V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E RREGULLAVE PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E AGJENCISË kOMBËTARE TË MJEDISIT E TË AGJENCIve RAJONALE TË MJEDISIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, dhe të pikës 4, të nenit 59, të ligjit nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. Objekti DHE PËRKUFIZIME
1. Ky vendim përcakton rregulla të hollësishme për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe të agjencive rajonale të mjedisit, për ndarjen dhe organizimin e punës, statusin e punonjësve, si dhe për marrëdhëniet e saj me institucione të tjera.
2. Për qëllime të këtij vendimi, të gjithë termat e përcaktuar në ligjin nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar, kanë të njëjtin kuptim, ndërsa me termat e mëposhtëm nënkuptohet:
a) “AKM”, Agjencia e Kombëtare e Mjedisit.
b) “TMD” ka të njëjtin kuptim si në ligjin nr.10448, datë 14.7.2011, “Për lejet e mjedisit”.
c) “PMM”, praktikat më të mira mjedisore.
ç) “Ligji “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”” është ligji nr.10440, datë 7.7.2011, “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”.
d) “Ligji “Për mbrojtjen e mjedisit”” është ligji nr.10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar.
dh) “Ligji “Për lejet e mjedisit”” është ligji nr.10448, datë 14.7.2011,“Për lejet e mjedisit”, të ndryshuar.
e) “Ligji “Për nëpunësin civil”” është ligji nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”.
ë) “Kodi i Punës” është ligji nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar.
f) “Kodi Civil” është ligji nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
g) “Njësitë e qeverisjes vendore” kanë të njëjtin kuptim si në ligjin nr.8652, datë 31.7.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e njësive të qeverisjes vendore”.
II. ORGANIZIMI I AKM-SË
1. Agjencia Kombëtare e Mjedisit (në vijim AKM) është institucion qendror publik në varësi të ministrit përgjegjës për mbrojtjen e mjedisit.
2. AKM-ja ushtron funksionet e ngarkuara nga ligjet “Për mbrojtjen e mjedisit”, “Për lejet e mjedisit”, “Për vlerësimin e ndikimit në mjedis”, ky vendim dhe çdo akt ligjor dhe nënligjor, i posaçëm.
3. AKM-ja ka pavarësi në marrjen e vendimeve dhe ushtrimin e funksioneve të saj.
4. AKM-ja ushtron juridiksionin e saj në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, përmes zyrës së saj qendrore dhe agjencive rajonale të mjedisit (në vijim ARM).
5. Punonjësit dhe nëpunësit e AKM-së i nënshtrohen legjislacionit për nëpunësin civil dhe legjislacionit të punës referuar nenit 61, të ligjit nr.10431, datë 14.7.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”.
III. STRUKTURAT E AKM-SË
III/I. DREJTORI I PËRGJITHSHËM I AKM-SË
1. Titullari i AKM-së është drejtori i Përgjithshëm.
2. Drejtori i Përgjithshëm emërohet referuar ligjit nr.10431, datë 14.7.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”.
3. Drejtori i Përgjithshëm i propozon ministrit emërimin dhe lirimin e drejtorëve të ARM-ve, mbështetur në urdhrin e Kryeministrit për strukturën e drejtorive rajonale.
4. Drejtori i Përgjithshëm i propozon ministrit emërimin dhe lirimin e zëvendësdrejtorit, funksion i cili do të ushtrohet nga një prej drejtorëve të AKM-së.
5. Zëvendësdrejtori kryen të gjitha detyrat dhe përgjegjësitë në përputhje me këtë vendim dhe ushtron të gjitha kompetencat e deleguara nga drejtori i Përgjithshëm.
6. Drejtori i Përgjithshëm i AKM-së:
a) përfaqëson agjencinë në marrëdhënie me të tretët dhe është përgjegjës për organizimin dhe bashkërendimin e veprimtarisë së kësaj agjencie;
b) ka të drejtën dhe autoritetin të lidhë marrëveshje mbështetur në legjislacionin shqiptar me qëllim përmbushjen e objektit të punës së kësaj agjencie;
c) i propozon ministrit emërimin dhe lirimin nga detyra të punonjësit të kësaj agjencie, në përputhje me legjislacionin e zbatueshëm;
ç) administron buxhetin e miratuar të agjencisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi;
d) përgatit projektbuxhetin vjetor të kësaj agjencie për vitin e pasardhës dhe ia propozon ministrit;
dh) bashkërendon punën për aktivitetet e kësaj agjencie me institucionet e pushtetit qendror dhe vendor, si dhe me ente të tjera publike.
III/II. ZËVENDËSDREJTORI
1. Zëvendësdrejtor do të jetë një prej drejtorëve të AKM-së, i cili emërohet nga ministri, me propozimin e drejtorit të Përgjithshëm.
2. Detyrat dhe kompetencat e zëvëndësdrejtorit janë ato të deleguara me urdhër të brendshëm nga drejtori i Përgjithshëm.
IV. SELIA, STEMA DHE VULA ZYRTARE E AKM-SË
1. AKM-ja ka zyrën qendrore të saj në Tiranë dhe degët rajonale në qarqe (ARM).
2. AKM-ja ka stemën dhe vulën e saj zyrtare. Stema e AKM-së prodhohet në përputhje me kërkesat e vendimit nr.474, datë 10.7.2003, të Këshillit të Ministrave, “Për mënyrën e përdorimit të stemës së Republikës, si dhe raportin e përmasave të saj”.
3. Në vulën zyrtare të AKM-së shkruhet me shkronja kapitale “AGJENCIA KOMBËTARE E MJEDISIT”, ndërsa në vulën zyrtare të ARM-ve shkruhet me shkronja kapitale: “AGJENCIA KOMBËTARE E MJEDISIT, AGJENCIA RAJONALE E MJEDISIT (emri i rajonit përkatës)”.
4. ARM-të kanë zyrat e tyre në qarqet përkatëse pranë prefekturave dhe/ose bashkive përkatëse.
5. Selitë e zyrave të ARM-ve përcaktohen me urdhër të ministrit.
V. FUNKSIONET E AKM-SË DHE TË ARM-VE
1. AKM-ja, përmes zyrës qendrore dhe ARM-ve, ushtron funksionet e mëposhtme:
a) Kryen funksione rregullatore për lejet e mjedisit në përputhje me dispozitat e legjislacionit përkatës;
b) Monitoron dhe vlerëson gjendjen e mjedisit dhe përgatit Programin Kombëtar për Monitorimin e Mjedisit;
c) Përgatit dhe publikon raportin për gjendjen e mjedisit dhe botime të tjera që kanë lidhje me mjedisin;
ç) Kryen kërkime shkencore që lidhen me mjedisin ose kërkime të tjera për zhvillimin e teknologjisë dhe inovacionin;
d) Përcakton TDM-në dhe PMM-në;
dh) Ngre dhe mirëmban sistemin e informacionit për dokumentet e referencës për TDM-në, të miratuara nga ministri;
e) Bashkëpunon me Agjencinë Evropiane të Mjedisit dhe me organizata të tjera ndërkombëtare mjedisore dhe plotëson detyrimet raportuese përkatëse;
ë) Krijon dhe menaxhon sistemin e informacionit mjedisor;
f) Krijon dhe menaxhon Regjistrin e Shkarkimit dhe Transferimit të Ndotësve;
g) Siguron informacion mjedisor për publikun në lidhje me çështjet mjedisore;
gj) Siguron zbatimin e parimit të përgjegjësisë mjedisore;
h) Menaxhon sistemin e të dhënave për pyjet;
i) Përgatit dhe mbikëqyr Inventarin Kombëtar të Pyjeve;
j) Zhvillon planet e menaxhimit të pyjeve;
k) Monitoron pyjet në drejtim të zbatimit të detyrimeve kombëtare dhe ndërkombëtare;
l) Siguron zhvillimin dhe transferimin e teknologjive në lidhje me pyjet;
ll) I paraqet ministrit projektpropozime për mbështetje teknike të financuara nga buxheti i shtetit dhe donatorë ndërkombëtarë;
m) Shqyrton kërkesat për vlerësimin e ndikimit në mjedis;
n) Këshillohet dhe bashkëpunon me Inspektoratin Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave dhe inspektoratet e tjera në zbatim të legjislacionit mjedisor, përfshirë situatat e incidenteve, aksidenteve dhe emergjencave në mjedis;
nj) Përgatit formatin standard të kërkesës, informacionin që duhet të përmbajë kërkesa dhe formatin e lejes së mjedisit të tipeve “A” dhe “B” dhe ia propozon ministrit për miratim;
o) Përcakton kushtet e lejes së tipeve “A” dhe “B”;
p) Përgatit raport administrativ vjetor për veprimtarinë e kryer;
q) Funksione të tjera që i ngarkohen me legjislacion të posaçëm.
2. Agjencitë rajonale të mjedisit, brenda kompetencave që iu njeh ligji, ushtrojnë funksionet e mëposhtme:
a) Japin lejen e mjedisit të tipit “C”, sipas përcaktimeve në ligjin nr.10431, datë 14.7.2011, “Për lejet e mjedisit”.
b) Mbajnë dhe përditësojnë regjistrin me të dhëna për instalimet e kategorisë “C”, që ndodhen brenda territorit ku shtrihet fusha e kompetencave të tyre.
3. Për ushtrimin e funksioneve të saj AKM-ja duhet:
a) të informohet për politikat dhe objektivat e autoriteteve publike, funksionet e të cilave kanë ose mund të kenë ndikim në çështjet që mbulon agjencia;
b) të ketë parasysh nevojën për mbrojtjen e mjedisit në nivel të lartë dhe nxitjen e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik e shoqëror.
4. AKM-ja ushtron funksionet këshillimore me nismën e vet apo me kërkesë të ministrit, si më poshtë vijon:
a) I rekomandon ministrit të bëjë propozime për hartimin e akteve të reja, për ndryshime ligjore apo për çështje të tjera që lidhen me hartimin dhe zbatimin e politikave për mbrojtjen e mjedisit;
b) Përgatit informacione për çështje të ndryshme të mjedisit për ministrin, organe të qeverisjes qendrore dhe vendore, sipas kërkesës së tyre;
c) Organizon konferenca, seminare, trajnime në fushën e vet të veprimtarisë;
ç) Përgatit për ministrin informacione vlerësimi për ndikimet që mund të vijnë nga propozimet për miratim apo ndryshime legjislative në nivel kombëtar apo ndërkombëtar.
VI. KONTRATAT DHE MARRËVESHJET
AKM-ja:
a) lidh marrëveshje dhe bashkëpunon me njësitë e qeverisjes vendore mbështetur në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e njësive të qeverisjes vendore”, si dhe në legjislacionin mjedisor;
b) ka të drejtë të kontraktojë konsulentë për përmbushjen e funksioneve të saj. Çdo pagesë për konsulentin e kontraktuar do të mbulohet nga burimet financiare përkatëse;
c) lidh dhe zbaton kontratat civile, të parashikuara nga Kodi Civil;
ç) përfshin në raportin administrativ vjetor informacion për marrëveshjet dhe kontratat e sipërpërmendura.
VII. BUXHETI
1. Buxheti i AKM-së financohet nga buxheti i shtetit.
2. AKM-ja siguron të ardhura edhe nga shërbimet e kryera prej saj ndaj palëve të tjera. Tarifat e këtyre shërbimeve përcaktohen sipas legjislacionit përkatës në fuqi.
3. AKM-ja administron të ardhurat nga buxheti i shtetit dhe ato të siguruara nga shërbimet ndaj palëve të tjera, sipas legjislacionit përkatës në fuqi.
4. AKM-ja harton projektbuxhetin vjetor në bazë të projektprogramit vjetor të saj.
VIII. DISPOZITA TRANSITORE DHE TË FUNDIT
1. Ministri, brenda 1 (një) muaji nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, duhet të marrë masat për t’i paraqitur:
a) Këshillit të Ministrave propozimin për emërimin e drejtorit të Përgjithshëm të AKM-së;
b) Kryeministrit propozimin për strukturën dhe organigramën e AKM-së.
2. Drejtori i Përgjithshëm i AKM-së i propozon ministrit kërkesat specifike për çdo pozicion në këtë agjenci.
3. Punonjësit që aktualisht janë emëruar në AMP dhe që përmbushin kërkesat e përcaktuara në pikën 2, të kësaj nënndarjeje, transferohen në pozicionet e reja të AKM-së, sipas urdhrit të Kryeministrit për miratimin e strukturës dhe organigramës.
4. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, Agjencia e Pyjeve dhe Mjedisit nuk ekziston më, pasi do të quhet Agjencia Kombëtare e Mjedisit dhe zyrat, ambientet e punës, pajisjet, dokumentacioni, fondet buxhetore dhe vlerat e tjera monetare të AMP-së do të jenë të AKM-së.
5. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, përballohen nga buxheti i shtetit, miratuar për Ministrinë e Mjedisit.
IX. SHFUQIZIME
Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, vendimet e Këshillit të Ministrave, nr.599, datë 20.12.1993, “Për krijimin e agjencive rajonale të mbrojtjes së mjedisit në prefektura”, nr.579, datë 23.8.2006, “Për krijimin e Agjencisë së Mjedisit dhe Pyjeve”, dhe çdo dispozitë, që bie në kundërshtim më këtë vendim, shfuqizohen.
X. Ngarkohen Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V e n d i m
PËR
KRIJIMIN DHE MËNYRËN E ORGANIZIMIT E TË FUNKSIONIMIT TË Inspektoratit SHTETËROR të Mjedisit, Pyjeve DHE UJëRAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 11 e 51, pika 3, të ligjit nr.10433, datë 16.6.2011, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Mjedisit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
I. KRIJIMI I INSPEKTORATIT SHTETËROR TË MJEDISIT, PYJEVE DHE UJËRAVE
1. Krijohet Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave (në vijim ISHMPU), si institucion qendror publik, buxhetor, në varësi të ministrit përgjegjës për mjedisin.
2. Ministria përgjegjëse mbështet funksionimin efektiv të ISHMPU-së. Në këtë përgjegjësi nuk përfshihet drejtimi operacional i veprimtarisë së inspektimit.
II. MISIONI DHE FUNKSIONET E ISHMPU-SË
1. ISHMPU-ja ka për mision garantimin e respektimit të kërkesave ligjore në fushën e mbrojtjes së mjedisit, pyjeve dhe ujërave.
2. ISHMPU-ja është përgjegjëse për të gjitha funksionet e inspektimit në fushën përkatëse në përputhje me përgjegjësitë e ministrisë përgjegjëse për mjedisin, ujërat dhe pyjet.
3. Përveç sa parashikohet në pikën 2, të këtij kreu, ISHMPU-ja është përgjegjëse për çdo funksion apo kompetencë tjetër të përcaktuar nga legjislacioni në fuqi për inspektoratin shtetëror që mbulon fushën e mjedisit.
4. ISHMPU-ja ushtron juridiksionin e vet territorial në të gjithë territorin e vendit.
III. MËNYRA E ORGANIZIMIT DHE E FUNKSIONIMIT TË ISHMPU-SË
1. ISHMPU-ja organizohet në dy nivele: në atë qendror dhe rajonal ku këto të fundit janë për çdo rajon të vendit.
2. ISHMPU-ja drejtohet nga kryeinspektori, i cili është titullar i institucionit.
3. Në kuadër të funksioneve dhe detyrave të ISHMPU-së, kryeinspektori ushtron këto kompetenca:
a) Përfaqëson inspektoratin në marrëdhënie me të tretët dhe është përgjegjës për organizimin dhe bashkërendimin e punës për funksionimin, cilësinë dhe efektivitetin e veprimtarisë së këtij inspektorati;
b) I propozon ministrit emërimin dhe lirimin nga detyra të personelit të ISHMPU-së dhe të degëve rajonale, në varësi të tij, sipas procedurave të legjislacionit në fuqi;
c) Zbaton dhe administron buxhetin e miratuar të ISHMPU-së, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe përgatit projektbuxhetin për vitin e ardhshëm, të cilin ia përcjell ministrit përgjegjës;
ç) Nxjerr urdhra për mbarëvajtjen e vazhdueshme të punës për përcaktimin e procedurave, kompetencave, detyrave dhe funksioneve për kryerjen e veprimtarive inspektuese të strukturave të ISHMPU-së, në nivel qendror dhe rajonal, në fushën e inspektimit të mjedisit, pyjeve dhe ujërave;
d) Bashkërendon veprimtarinë e ISHMPU-së me organet qendrore dhe organet e tjera shtetërore në fushën e inspektimit të mjedisit, pyjeve dhe ujërave;
dh) Siguron kontakte me organe homologe dhe organizata të ndryshme, të huaja, për zgjidhjen efektive të problemeve në fushën e inspektimit të mjedisit, pyjeve dhe ujërave, si dhe kryen veprimtari të tjera për plotësimin e detyrave të përcaktuara në legjislacionin në fuqi për inspektimin në këtë fushë;
e) Siguron zbatimin dhe kontrollin e zbatimit të akteve ligjore e nënligjore, që rregullojnë veprimtarinë në fushën e inspektimit të mjedisit, pyjeve dhe ujërave;
ë) Ushtron çdo funksion tjetër të përcaktuar në ligje të tjera të posaçme, që kanë të bëjnë me mbrojtjen e mjedisit.
4. Kryeinspektori i ISHMPU-së i raporton drejtpërdrejt ministrit përgjegjës për mjedisin, përveçse kur ministri ka përcaktuar shprehimisht, me urdhër, një njësi tjetër raportimi në aparatin e ministrisë përgjegjëse.
5. ISHMPU-ja në nivel qendror ka këto funksione:
a) Planifikon dhe bashkërendon veprimtarinë e inspektimit;
b) Siguron unifikimin e praktikave të inspektimit, në shkallë vendi;
c) Bashkërendon veprimtarinë e laboratorëve të vet dhe siguron kryerjen e analizave nga laboratorë të tjerë të akredituar, në rastin e pamundësisë së kryerjes së tyre nga laboratorët e vet;
ç) Informon publikun për veprimtarinë e inspektimit;
d) Jep mbështetje teknike, administrative dhe shkencore për veprimtarinë e inspektimit;
dh) Përgatit programin dhe raportin vjetor të inspektimit.
6. Përveç sa parashikohet në pikën 5, të këtij kreu, ISHMPU-ja në nivel qendror është përgjegjëse për kryerjen e këtyre funksioneve të brendshme për të gjithë institucionin, përfshirë edhe degët në nivel rajonal:
a) Menaxhimin e burimeve njerëzore, si dhe ndjekjen e çështjeve ligjore, të teknologjisë së informacionit, të mirëmbajtjes dhe shërbimeve të tjera mbështetëse;
b) Përgatitjen dhe zbatimin e buxhetit, mbajtjen e kontabilitetit dhe kryerjen e auditimit të brendshëm.
7. Pranë ISHMPU-së në nivel qendror krijohet “Komisioni i ankimit të ISHMPU-së”, i cili drejtohet nga kryeinspektori.
8. Përbërja nominale e komisionit të ankimit, procedurat për shqyrtimin e ankimeve dhe mënyra e vendimmarrjes përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
9. Komisioni i ankimit të ISHMPU-së ushtron funksionet në përputhje me afatet dhe procedurat e ankimeve të parashikuara në ligjin nr.10433, datë 16.6.2011, “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, Kodin e Procedurave Administrative dhe ligjin nr.10279, datë 20.5.2010, “Për kundërvajtjet administrative”.
10. Degët rajonale të ISHMPU-së ushtrojnë veprimtarinë e tyre në territorin e qarkut përkatës dhe janë përgjegjëse për inspektimin në qarkun përkatës. Me urdhër të kryeinspektorit, inspektorët e një dege rajonale mund të ushtrojnë veprimtarinë e tyre edhe në territorin e një qarku tjetër, në bashkëpunim me degën rajonale përkatëse.
11. Degët rajonale, që kanë në territorin e tyre pika të kalimit të kufirit, bashkëpunojnë me organet doganore dhe organet e tjera përkatëse për parandalimin e dëmtimit të cilësisë së mjedisit apo të përbërësve të tij të veçantë.
12. Degët rajonale të ISHMPU-së drejtohen nga drejtuesi i degës rajonale. Drejtuesi i degës rajonale përfaqëson degën rajonale në marrëdhënie me të tretët në nivelin e qarkut përkatës dhe është përgjegjës për organizimin dhe bashkërendimin e punës për funksionimin, cilësinë dhe efektivitetin e veprimtarisë së degës së tij.
13. Përveç sa parashikohet në pikën 12, të këtij kreu, drejtuesi i degës rajonale:
a) jep autorizimin e inspektimit, në përputhje dhe në bazë të programit të miratuar të inspektimit;
b) vendos për shtyrjen e kohëzgjatjes së autorizimit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për inspektimin, vendos për zëvendësimin e inspektorëve gjatë inspektimit, me përjashtim të rasteve kur urdhërohet nga kryeinspektori qendror.
14. Drejtuesi i degës rajonale i përgjigjet dhe i raporton drejtpërdrejt kryeinspektorit të ISHMPU-së, përveçse kur kryeinspektori ka përcaktuar shprehimisht, me urdhër, një njësi tjetër raportimi pranë ISHMPU-së në nivel qendror.
IV. STEMA DHE VULA ZYRTARE E ISHMPU-SË
1. ISHMPU-ja identifikohet me stemën dhe vulën zyrtare.
2. Stema e ISHMPU-së përbëhet nga stema e Republikës dhe shënimet: “Republika e Shqipërisë, Ministria e Mjedisit, Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave”.
3. Vula e ISHMPU-së ka formën dhe elementet e përcaktuara në pikën 2, të vendimit nr.390, datë 6.8.1993, të Këshillit të Ministrave, “Për rregullat e prodhimit, administrimit, kontrollit dhe ruajtjes së vulave zyrtare”, të ndryshuar. Vula e ISHMPU-së në nivel qendror përmban edhe shënimin identifikues “Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave”, ndërsa vulat e degëve rajonale përmbajnë shënimin identifikues: “Inspektorati Shtetëror i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave, Dega Rajonale e Qarkut (emri përkatës i qarkut)”.
4. Vula e ISHMPU-së dhe vulat e degëve rajonale prodhohen, administrohen dhe ruhen në përputhje me legjislacionin në fuqi.
V. DISPOZITA TRANSITORE DHE TË FUNDIT
1. Ngarkohet ministri i Mjedisit, që, brenda 1 (një) muaji nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të marrë masat për paraqitjen e propozimit te Kryeministri për:
a) emërimin e kryeinspektorit të ISHMPU-së;
b) miratimin e strukturës e të organikës së ISHMPU-së, sipas ligjit.
2. Kryeinspektori i ISHMPU-së, mbështetur nga njësitë përgjegjëse për shërbimet mbështetëse të Ministrisë së Mjedisit dhe në përputhje me kërkesat specifike për arsimin e inspektorëve, të miratuara nga Inspektorati Qendror, miraton kërkesat specifike për çdo vend pune në ISHMPU.
3. Nëpunësit, që kryejnë funksionet e inspektimit, që janë aktualisht të emëruar pranë Ministrisë së Mjedisit, përfshirë institucionet e saj të varësisë apo drejtoritë e saj rajonale dhe që plotësojnë kërkesat e përgjithshme për pranimin në shërbimin civil, transferohen në detyra të reja pranë ISHMPU-së, brenda numrit dhe pozicioneve të organikës së miratuar sipas urdhrit përkatës të Kryeministrit.
4. Nëpunësit ekzistues, që nuk mund të transferohen në ISHMPU, mbeten në institucionet përkatëse, të cilat riorganizohen brenda një periudhe 2-mujore nga hyrja në fuqi e këtij vendimi.
5. Në çdo rast, kryerja e procedurave sipas pikave 1, 2, 3 dhe 4, të këtij kreu, kryhet duke respektuar kërkesat e ligjit nr.152/2013, “Për nëpunësin civil”, dhe të akteve nënligjore në zbatim të tij.
6. Brenda tre muajve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, ministri i Mjedisit përcakton edhe rishpërndarjen e mjediseve e të mjeteve të punës, si dhe merr masat e duhura për financimin me fonde buxhetore të ISHMPU-së për vitin buxhetor 2014.
7. Çdo dispozitë apo akt nënligjor, që vjen në kundërshtim me këtë vendim, shfuqizohet.
8. Vendimi nr.223, datë 13.3.2013, i Këshillit të Ministrave, “Për organizimin dhe funksionimin e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Peshkimit”, shfuqizohet.
VI. Ngarkohet ministri i Mjedisit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet në datën 1 janar 2014.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.719, DATË 20.10.2011, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR KRIJIMIN, ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E DREJTORISË SË SHËRBIMEVE TË PESHKIMIT DHE AKUAKULTURËS”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 66, të ligjit nr.64/2012, datë 31.5.2012, “Për peshkimin”, të neneve 6 e 7, të ligjit nr.90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, dhe të nenit 10, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Pika 5, e vendimit nr.719, datë 20.10.2011, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, ndryshohet, si më poshtë vijon:
“5. Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës ka për mision përmbushjen e të gjitha shërbimeve të nevojshme shtetërore që lidhen me menaxhimin e infrastrukturës dhe të dhënave të peshkimit e të akuakulturës, si dhe garantimin e respektimit të kërkesave ligjore në mbrojtjen e peshkimit dhe akuakulturës në Republikën e Shqipërisë.
Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës kryen këto detyra:
a) Menaxhon infrastrukturën e peshkimit, përfshirë portet dhe qendrat e peshkimit;
b) Grumbullon të dhënat e peshkimit;
c) Harton programet e ripopullimit të kategorive ujore;
ç) Menaxhon qendrën dhe impiantet e midhjes në Sarandë;
d) Menaxhon ekonomitë e rasateve të peshkut në Zvezdë, Korçë, të rasateve të koranit në Lin, Pogradec, dhe ekonomitë e tjera të rasateve të peshkut;
dh) Garanton respektimin e kërkesave ligjore në fushën e mbrojtjes së peshkimit dhe akuakulturës nëpërmjet monitorimit dhe inspektimit të veprimtarisë së peshkimit. Monitorimi dhe inspektimi i veprimtarisë së peshkimit kryhen nga sektori i monitorimit dhe kontrollit të peshkimit, pjesë e Drejtorisë së Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës.”.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.541, DATË 13.6.2013, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR SHPRONËSIMIN, PËR INTERES PUBLIK, TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME, PRONË PRIVATE, QË PREKEN NGA NDËRTIMI I LANDFILLIT “BAJKAJ””
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 20 e 21, të ligjit nr.8561, datë 22.12.1999, “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë, pronë private, për interes publik”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.541, datë 13.6.2013, të Këshillit të Ministrave, bëhen këto ndryshime:
a) Pikat 3, 4 dhe 6 ndryshohen, si më poshtë vijon:
“3. Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, të kompensohen në vlerë të plotë sipas masës përkatëse, që paraqitet në tabelën bashkëlidhur këtij vendimi, për tokë bujqësore, me një vlerë të përgjithshme prej 20 734 735 (njëzet milionë e shtatëqind e tridhjetë e katër mijë e shtatëqind e tridhjetë e pesë) lekësh.
4. Shuma e përgjithshme e shpronësimit prej 20 734 735 (njëzet milionë e shtatëqind e tridhjetë e katër mijë e shtatëqind e tridhjetë e pesë) lekësh, të përballohet nga “llogaria e veçantë” e Ministrisë së Financave në Bankën e Shqipërisë”, “Fondi i shpronësimeve”.
6. Shpronësimi të fillojë në datën 29.1.2014.”.
b) Tabela bashkëlidhur vendimit, e cila përmendet në pikën 3, të tij, zëvendësohet me tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Ministria e Financave, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Sarandë dhe Këshilli i Qarkut të Vlorës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË ADMINISTRIM TË MINISTRISË SË BUJQËSISË, ZHVILLIMIT RURAL DHE ADMINISTRIMIT TË UJËRAVE TË FONDIT TË TOKËS BUJQËSORE TË ISH-NDËRMARRJEVE BUJQËSORE DHE ISH-INSTITUCIONEVE KËRKIMORE - SHKENCORE TË KËSAJ MINISTRIE, AKTUALISHT NË DISPOZICION TË AGJENCISË SË KTHIMIT DHE KOMPENSIMIT TË PRONAVE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 10 e 15, shkronja “c”, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave dhe të ministrit të Drejtësisë, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në administrim të Ministrisë së Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave të fondit të tokës bujqësore me sipërfaqe 18 076 (tetëmbëdhjetë mijë e shtatëdhjetë e gjashtë) ha të ish - ndërmarrjeve bujqësore dhe ish - institucioneve kërkimore - shkencore të kësaj ministrie, e cila aktualisht është në dispozicion të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave.
2. Sipërfaqet e tokave bujqësore, sipas pikës 1, të këtij vendimi, të administrohen sipas ligjit nr.8318, datë 1.4.1988, “Për dhënien me qira të tokës bujqësore e pyjore, të livadheve dhe kullotave që janë pasuri shtetërore”, të ndryshuar, ligjit nr.125/2013, “Për koncesionet dhe partneritetin publik/privat”, dhe vendimit nr.460, datë 22.5.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve, rregullave dhe procedurave të dhënies me qira të tokave bujqësore në pronësi të shtetit”.
3. Shkronja “c”, e pikës 1, të vendimit nr.567, datë 5.9.2007, të Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kritereve dhe procedurave për caktimin e pronave, fond pasurie të paluajtshme, për kompensim fizik”; vendimi nr.868, datë 18.6.2008, i Këshillit të Ministrave, “Për krijimin e fondit të kompensimit fizik nga fondi i tokës bujqësore”; pika 1, e vendimit nr.459, datë 22.5.2013, të Këshillit të Ministrave, “Për një ndryshim në fondin e kompensimit fizik të krijuar nga fondi i tokës bujqësore”; urdhri nr.265, datë 1.10.2002, i Kryeministrit, “Për evidentimin dhe ndërprerjen e procedurave të tjetërsimit ose dhënies me qira të pronës shtetërore, tokë bujqësore, pyjore livadhe dhe kullota”, dhe urdhri nr.287, datë 20.12.2006, i Kryeministrit, “Për evidentimin dhe ndërprerjen e procedurave të tjetërsimit të pronës së shtetërore, tokë bujqësore, livadhe dhe kullota”, shfuqizohen.
4. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe drejtoritë e administrimit dhe mbrojtjes së tokës, pranë këshillave të qarqeve, për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DHËNIEN NË HUAPËRDORJE, PA KUNDËRSHPËRBLIM, NË FAVOR TË BASHKISË SË KORÇËS, TË NJË SIPËRFAQEJE PREJ 23 000 M² TOKË ARË
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 901 e në vijim, të ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, të nenit 5, të aktit normativ nr.4, datë 9.7.2008, të Këshillit të Ministrave, “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim të shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve”, të miratuar me ligjin nr.9967, datë 24.7.2008, dhe të ligjit nr.8318, datë 1.4.1998, “Për dhënien me qira të tokës bujqësore e pyjore, të livadheve dhe kullotave që janë pasuri shtetërore”, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe të ministrit të Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Dhënien në huapërdorje, pa kundërshpërblim, në favor të bashkisë së Korçës, të pasurisë shtetërore nr.30/2, ZK 8561, vol. 30, fq.70, dhe nr.31/1, ZK 8561, vol.30, fq.98, tokë arë, me sipërfaqe të përgjithshme 23 000 m², në qytetin e Korçës, për realizimin e projektit të impiantit fotovoltaik.
2. Afati i kontratës së huapërdorjes të jetë 30 (tridhjetë) vjet, me të drejtë ripërsëritjeje.
3. Të drejtat dhe detyrimet të përcaktohen në kontratën e huapërdorjes që do të lidhet ndërmjet palëve, në përputhje me kërkesat e ligjit nr.7850, datë 29.7.1994, “Kodi Civil i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.
4. Autorizohet Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave për nënshkrimin e kontratës me bashkinë e Korçës.
5. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe bashkia e Korçës për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SË GRANTIT NR.TF014999, NDËRMJET SHQIPËRISË DHE BANKËS NDËRKOMBËTARE PËR RINDËRTIM DHE ZHVILLIM, QË VEPRON SI ADMINISTRATORE E FONDEVE TË GRANTIT TË AKORDUAR NGA FONDI I MIRËBESIMIT ME SHUMË DONATORË, PËR FINANCIMIN E PROJEKTIT TË ZBATIMIT TË NISMËS PËR TRANSPARENCË NË INDUSTRINË NXJERRËSE NË SHQIPËRI (EITI)
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Energjisë dhe Industrisë dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes së grantit nr.TF014999, ndërmjet Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, që vepron si administratore e fondeve të grantit të akorduar nga Fondi i Mirëbesimit me Shumë Donatorë, për financimin e projektit të zbatimit të Nismës për Transparencë në Industrinë Nxjerrëse në Shqipëri (EITI), me një shumë prej 300 000 USD-sh, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES SHTESË TË FINANCIMIT TË MARRËVESHJES SË FINANCIMIT DHE PROJEKTIT, NËNSHKRUAR MË 13 DHJETOR 2007, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË, PËRFAQËSUAR NGA MINISTRIA E FINANCAVE E UJËSJELLËS - KANALIZIME SHKODËR, DHE KFW, FRANKFURT AM MAIN, PËR FINANCIMIN E PROGRAMIT “MBROJTJA MJEDISORE E LIQENIT TË SHKODRËS”
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës dhe të ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin, në parim, të marrëveshjes shtesë të financimit të marrëveshjes së financimit dhe projektit, nënshkruar më 13 dhjetor 2007, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave e Ujësjellës - Kanalizime Shkodër, dhe KfW Frankfurt am Main, për financimin e programit “Mbrojtja mjedisore e liqenit të Shkodrës”, me një shtesë granti prej 3 000 000 (tre milionë) euro-sh, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
2. Vendimi nr.741, datë 16.10.2012, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin, në parim, të marrëveshjes shtesë të financimit të marrëveshjes së financimit dhe projektit, nënshkruar më 13 dhjetor 2007, ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Ministria e Financave e Ujësjellës - Kanalizime Shkodër, dhe KfW Frankfurt am Main, për financimin e programit “Mbrojtja mjedisore e liqenit të Shkodrës””, shfuqizohet.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
KALIMIN NË PËRGJEGJËSI ADMINISTRIMI TË MJEDISEVE, NGA KOMISIONERI PËR MBROJTJEN E TË DHËNAVE PERSONALE, AGJENCIA PËR MBËSHTETJEN E SHOQËRISË CIVILE DHE KOMITETI SHTETËROR I MINORITETEVE TE MINISTRIA E ZHVILLIMIT URBAN DHE TURIZMIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kalimin në përgjegjësi administrimi të mjediseve, nga Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile dhe Komiteti Shtetëror i Minoriteteve te Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, sipas planimetrive bashkëlidhur këtij vendimi, për t’u përdorur si mjedise pune nga kjo ministri.
2. Vendimet e Këshillit të Ministrave nr.217, datë 2.2.2009, “Për dhënien në përdorim Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave Personale të një pjese të ndërtesës së ish-Ministrisë së Transporteve e Telekomunikacioneve”, nr.223, datë 7.4.2010, “Për dhënien në përdorim Agjencisë për Mbështetjen e Shoqërisë Civile të disa mjediseve të ndërtesës së ish-Ministrisë së Transporteve e Telekomunikacioneve”, dhe nr.249, datë 13.4.2010, “Për dhënien në përdorim Komitetit Shtetëror të Minoriteteve të disa mjediseve të ndërtesës së ish-Ministrisë së Transporteve e Telekomunikacioneve”, shfuqizohen.
3. Ngarkohen Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Agjencia për Mbështetjen e Shoqërisë Civile, Komiteti Shtetëror i Minoriteteve dhe kryeregjistruesi i Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
DISA NDRYSHIME NË VENDIMIN NR.532, DATË 7.7.2010, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR PJESËMARRJEN E FORCAVE TË ARMATOSURA TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË OPERACIONE USHTARAKE NË SHTABE TË NDRYSHME NË AFGANISTAN”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të nenit 7, të ligjit nr.9363, datë 24.3.2005, “Për mënyrën dhe procedurat e vendosjes dhe kalimit të forcave ushtarake të huaja në territorin e Republikës së Shqipërisë, si dhe për dërgimin e forcave ushtarake shqiptare jashtë vendit”, të ndryshuar, dhe të pikave 6 e 11, të nenit 14, të ligjit nr.8671, datë 26.10.2000, “Për pushtetet dhe autoritetet e komandimit e të drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Në vendimin nr.532, datë 7.7.2010, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
a) Në pikën 1.1, nënndarja “- Numri i pjesëmarrësve 3 (tre) ushtarakë.” zëvendësohet me “- Numri i pjesëmarrësve 5 (pesë) ushtarakë.”.
b) Në pikën 1.2, fjalët “… 31 dhjetor 2014 …” zëvendësohen me “… 31 janar 2014…”.
2. Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga fondet e miratuara për çdo vit në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes.
3. Ngarkohet ministri i Mbrojtjes për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN, NË PARIM, TË MARRËVESHJES, NDËRMJET REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË DHE SHTABIT SUPREM TË FUQIVE ALEATE NË EVROPË (SHAPE) E SHTABIT TË KOMANDËS SUPREME ALEATE PËR TRANSFORMIMIN, NË PLOTËSIM TË PROTOKOLLIT TË PARISIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5 e 7, të ligjit nr.8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e ministrit të Mbrojtjes, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin, në parim, të marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Shtabit Suprem të Fuqive Aleate në Evropë (SHAPE) e Shtabit të Komandës Supreme Aleate për Transformimin, në plotësim të Protokollit të Parisit, sipas tekstit bashkëlidhur këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
NJË NDRYSHIM NË VENDIMIN NR.718, DATË 29.10.2004, TË KËSHILLIT TË MINISTRAVE, “PËR LISTËN E PERSONAVE TË SHPALLUR SI FINANCUES TË TERRORIZMIT”, TË NDRYSHUAR
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 5, pika 1, 14, pika 1, 18, pika 1, 25, pika 1, e 28, pika 1, të ligjit nr.157/2013, datë 10.10.2013, “Për masat kundër financimit të terrorizmit”, me propozimin e ministrit të Punëve të Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Në listën e personave të shpallur sipas rezolutave të Këshillit të Sigurimit (“Lista e OKB-së”), që i bashkëlidhet vendimit nr.718, datë 29.10.2004, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhet ndryshimi i mëposhtëm:
Nga lista e shkronjës “C”, “Lista e individëve anëtarë ose bashkëpunëtorë me organizatën Al-Qaida”, çregjistrohen individët e renditur në shkronjën “a”, të listës “Lista e individëve të çregjistruar nga lista e individëve anëtarë ose bashkëpunëtorë me organizatën Al-Qaida”, që i bashkëlidhet këtij vendimi, si persona të çregjistruar nga anëtarë, bashkëpunëtorë apo financues për Al-Qaida-n me rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KALENDARIT TË MENAXHIMIT TË SHPENZIMEVE PUBLIKE PËR VITIN 2014
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 22, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e kalendarit të menaxhimit të shpenzimeve publike për vitin 2014, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohen Ministria e Financave, Ministria e Integrimit Evropian, Departamenti i Programimit të Zhvillimit, Financimeve dhe Ndihmës së Huaj, në Kryeministri, dhe të gjitha njësitë e qeverisjes së përgjithshme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2014.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
PËRCAKTIMIN E NUMRIT TË PUNONJËSVE ME KONTRATË TË PËRKOHSHME NË NJËSITË E QEVERISJES QENDRORE, PËR VITIN 2014
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 2, të nenit 18, të ligjit nr.7961, datë 12.7.1995, “Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 11, të ligjit nr.185, datë 28.12.2013, “Për buxhetin e vitit 2014”, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Numri i punonjësve me kontratë të përkohshme në njësitë e qeverisjes qendrore, për vitin 2014, është 541 veta, sipas lidhjes nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
2. Përjashtimisht, për punonjësit e përkohshëm për Agjencinë e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale dhe për 4 (katër) punonjësit e Drejtorisë së Dëmshpërblimit të Ish-të Përndjekurve Politikë në Ministrinë e Financave, nuk zbatohet pika 3, e vendimit nr.1703, datë 24.12.2008, “Për vendosjen e standardeve të shërbimeve dhe aktiviteteve sezonale/të përkohshme për ministritë dhe institucionet buxhetore”.
3. Përjashtimisht, për qendrat e transferimit të teknologjisë në Ministrinë e Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, për shkak të veçorisë së punës, pagesa e punonjësve të kontraktuar përllogaritet sipas volumit të punës së kryer dhe paguhet sipas preventivit përkatës.
4. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi përballohen nga shpenzimet korente të miratuara në buxhetin përkatës të njësive të qeverisjes qendrore për vitin 2014. Përjashtimisht, për ALUIZNIN, QTTB-të, për punonjësit e SHISH-it (Shtëpitë e pushimit) dhe të Shërbimit Gjeologjik Shqiptar efektet financiare përballohen vetëm nga të ardhurat e vetë institucionit. Efektet financiare për pozicionet e kontraktuara për periudhën kohore vjetore fillojnë më 1 janar 2014.
5. Ngarkohet Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë të depozitojë një kopje të kontratës së lidhur për punonjësit që ushtrojnë profesionin “mjek” në institucionet e përcaktuara në lidhjen nr.1, pranë këtyre institucioneve si dhe në Ministrinë e Shëndetësisë.
6. Ngarkohen ministritë dhe institucionet buxhetore të përmendura sipas lidhjes nr.1, bashkëlidhur, të depozitojnë pranë Ministrisë së Financave detajimin e numrit të punonjësve të përcaktuar brenda kritereve të vendimit nr.1703, datë 24.12.2008, “Për vendosjen e standardeve të shërbimeve dhe aktiviteteve sezonale/të përkohshme për ministritë dhe institucionet buxhetore”.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
MIRATIMIN E KUADRIT MAKROEKONOMIK E FISKAL PËR PERIUDHËN 2015 - 2017
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 23 e 27, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Miratimin e kuadrit makroekonomik e fiskal për periudhën 2015 - 2017, sipas lidhjes nr.1, “Treguesit kryesorë makroekonomikë”, dhe lidhjeve nr.2/1 e nr. 2/2, “Treguesit fiskalë sipas buxhetit të konsoliduar”, që i bashkëlidhen këtij vendimi dhe janë pjesë përbërëse e tij.
2. Ngarkohet Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA
***
V E N D I M
PËR
Miratimin e PROGRAMIT ekonomik e fiskal TË SHQIPËRISË për periudhën 2014 - 2016
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Miratimin e programit ekonomik e fiskal të Shqipërisë për periudhën 2014 - 2016, sipas tekstit që i bashkëlidhet këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA