Avokati Spartak Ngjela vlerëson se vendimi “pa vendim” i Gjykatës Kushtetuese për kërkesën e Kryeministrit, lidhur me konfliktin e kompetencave me Gjykatën e Posaçme për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, ka prodhuar një krizë të madhe shtetërore dhe shoqërore.

Sipas tij, ndarja 4 me 4, që la në fuqi pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, është pasojë e një gabimi të rëndë ligjor.

“4 me 4 krijon krizë shoqërore dhe shtetërore të madhe. Është bërë një gabim në legjislacion. Ua kam thënë, por nuk dëgjonin. Si rregull, Gjykata Kushtetuese duhet ta ketë numrin tek, ndërsa këta e kanë çift. Duhej të kishte një rregullim në ligj që, po të dalë 4 me 4, fiton ai krah nga i cili anon kryetari. Kështu është në Perëndim. Që të ketë gjithmonë vendimmarrje, numri i anëtarëve duhet të jetë tek,” tha Ngjela gjatë një interviste në emisionin Frontline Interview në Report TV.

Debati u ndal edhe te reagimi i Edi Rama, i cili e quajti vendimmarrjen një “budallallëk botëror” dhe paralajmëroi ndërhyrje në legjislacion, veçanërisht për nenin 73, ku mandati i ministrit trajtohet njësoj si ai i deputetit. Rama ka deklaruar se gjykata nuk mund të pezullojë një person të emëruar nga ekzekutivi.

Ngjela e kundërshtoi këtë qëndrim.

“Po ligji nuk e thotë këtë. Pse ra në krizë Gjykata Kushtetuese? Sepse është çështje e vështirë. Janë të dy krahët e politikës që janë 4 me 4. Çështja qëndron: cili është respekti për Kushtetutën nga politika? Asnjë respekt nuk ka. Pushtetin e ka absolut, çfarë kërkon më shumë?” tha ai.

Sipas Ngjelës, problemi nuk lidhet vetëm me Ramën si individ.

“Do të ketë pushtet absolut. Jo vetëm Rama, por të gjithë kryeministrat gjithçka e lidhin me pushtetin e tyre. Pushteti del nga vota dhe ky i ka numrat. Ndërhyrjet në ligj mund t’i bëjë sepse i ka,” u shpreh ai.

Duke folur për mosmbledhjen e Këshillit të Mandateve për kërkesën e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për heqjen e imunitetit të Ballukut, Ngjela tha se kjo krizë nuk do të zgjidhet në gjykata, por në kutinë e votimit.

“Kjo është një krizë që nuk i sjell gjë Shqipërisë sepse mazhoranca është e madhe. A do bëhet akoma më e madhe sa të ndryshojë Kushtetutën? Çfarë privilegjesh do të japë? Në politikën e lartë flitet me privilegje dhe jo para. A do t’i japë privilegje klanit Berisha?” pyeti ai.

Ngjela parashikoi se situata mund të çojë në zgjedhje të parakohshme, si mjeti që ka Rama për të dalë nga ngërçi institucional dhe për të forcuar pozitat e tij. Por ai paralajmëroi se, nëse shumica e cilësuar nuk arrihet, përgjegjësia politike do të jetë e pashmangshme.

“Cila është mundësia më e madhe për Ramën? Nëse sondazhet e nxjerrin lart, do shpallë zgjedhje të reja. Këtu është loja. Do të ndodhë kjo? Të presim. Shenjat janë sikur i kanë ardhur rrotull. Çdo ekspert do t’i thoshte ‘shko në zgjedhje të reja’. Ai e ka të sigurt se fiton dhe prapë e ka pushtetin edhe nëse nuk merr 2/3. Por, nëse nuk i merr, duhet të japë dorëheqjen,” përfundoi Ngjela.