Helikopterët që janë në varësi të Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Shëndetësisë do të kalojnë nën administrimin e Ministrisë së Mbojtjes. Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim për kalimin pa shpërblim të helikopterëve tek Ministria e Mbrojtjes. Sipas Vendimit në rast të pamundësisë së përdorimit të helikopterëve, që shërbejnë për Ministrinë e Punëve të Brendshme (Policinë e Shtetit) dhe Ministrinë e Shëndetësisë, do të përdoren helikopterët e Ministrisë së Mbrojtjes. Edhe punonjësit do të kalojnë nën varësinë e Ministrisë së Mbrojtjes.
 
“Helikopterët dhe pajisjet e tyre, në administrim të Ministrisë së Punëve të Brendshme (Policisë së Shtetit) dhe Ministrisë së Shëndetësisë, të kalojnë, pa shpërblim, në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes (Ministria e Punëve të Brendshme) dhe (Ministria e Shëndetësisë). Helikopterët dhe pajisjet të dorëzohen në gjendjen aktuale që ato ndodhen. Dorëzimi dhe marrja në dorëzim bëhen me komisione përkatësisht të Ministrisë së Punëve të Brendshme (Policisë së Shtetit), Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Mbrojtjes, sipas legjislacionit në fuqi.
 
Komandimi i helikopterëve për qëllimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme (Policisë së Shtetit) dhe të Ministrisë së Shëndetësisë do të bëhet nga personat e autorizuar, përkatësisht, ministri i Punëve të Brendshme dhe ministri i Shëndetësisë. Në rast të pamundësisë së përdorimit të helikopterëve, që shërbejnë për Ministrinë e Punëve të Brendshme (Policinë e Shtetit) dhe Ministrinë e Shëndetësisë, do të përdoren helikopterët e Ministrisë së Mbrojtjes.
 
Personeli prej 11 vetash, i angazhuar në Komisariatin Special të Helikopterëve, në përbërje të RENEA-s, i zbritet numrit të përgjithshëm të punonjësve të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe i shtohet numrit të përgjithshëm të punonjësve të Ministrisë së Mbrojtjes. Personeli prej 11 vetash, i angazhuar në Njësinë e Transportit Mjekësor me Helikopterë, të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore të Ministrisë së Shëndetësisë, i zbritet numrit të përgjithshëm të punonjësve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe i shtohet numrit të përgjithshëm të punonjësve të Ministrisë së Mbrojtjes”, - thuhet në vendimin e qeverisë të publikuar në Fletoren Zyrtare.

vendimi

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)