Në një deklaratë për mediat pas takimit me kryebashkiakun Erion Veliaj në burgun e Durrësit, ku i pranishëm ishte edhe avokati britanik, Ben Brandon (takim që u mundësua për herë të parë pas 8 muajsh), Plarent Ndreca tha se fokusi i diskutimit ishte aplikimi në Gjykatën e Strasburgut për masën e arrestit me burg.

Ai ritheksoi se do të apelohet edhe vendimi i shkallës së parë të Gjykatës Administrative që nuk pranoi legjitimitetin e Veliajt si palë. Ndreca shtoi se është ngritur edhe çështja e marrjes së dosjeve dhe mandatit të kryetarit të bashkisë, duke theksuar sërish se ky proces ka nisur i manipuluar nga një kallëzues anonim. Faktet do të prezantohen së shpejti. Çështja do të depozitohet me gjasë në shtator dhe gjithçka lidhet me Gjykatën e Strasburgut do të realizohet në bashkëpunim me avokatët anglezë e amerikanë.

Plarent Ndreca: Kolegët nga Anglia kanë ardhur për t’u lejuar për herë të parë, pas 8 muajsh kërkesash të vazhdueshme që ata kanë bërë në Prokurorinë e Posaçme, të komunikojnë me Veliajn. Fatkeqësisht, edhe pse nuk ka ndryshuar asnjë rrethanë proceduriale, është bërë e mundur pas një kohë kaq të gjatë që një pjesë e ekipit të huaj, të vijë e të vizitojë Erionin sepse duhet të keni parasysh që ekipi amerikan nuk është lejuar akoma për të ardhur e për ta vizituar. I gjithë takimi në intervistën që bëmë sot më në fund, me kolegët, lidhet me aplikimin që do bëjmë në Gjykatën e Strasburgut, në lidhje me masën e sigurimit, sepse vërtet ne korrëm një fitore në Gjykatën Kushtetuese, e cila e ktheu çështjen, shfuqizoi vendimin e Gjykatës së Lartë për të riparë çështjen e masës së sigurimit. Megjithatë, nuk janë pranuar të gjitha pikat që kemi kërkuar në Gjykatën Kushtetuese dhe për këto pika do të shkojmë në Gjykatën e Strasburgut. Për këtë është edhe ekipi anglez i mbrojtjes.
Në lidhje me dy pikat e tjera që ju përmendët, sigurisht që i kemi ngritur. Në lidhje me emërimin e z. Dado, kemi bërë të qartë se do apelojmë vendimin e shkallës së parë, i cili nuk ishte vendim në themel që na rrëzonte kërkesën, por ishte një vendim i cili nuk pranonte që ne të legjitimoheshim në këtë kërkesë, çka është një shmangie nga gjykimi i një çështje që ka, jo vetëm interes juridik e ligjor për ne, si mbrojtje e z. Veliaj, për z. Veliaj si kryetar i Bashkisë, por ka interes në fakt për çdo qytetar të Republikës së Shqipërisë, i cili duhet të dijë nëse një prokuror në Prokurorinë e Posaçme, në këtë rast është i emëruar apo jo në mënyrë të ligjshme, i cili ka në dorë një pushtet të deleguar nga Kushtetuta që mund të shkaktojë dëme të rënda në të drejtat, liritë themelore të njeriut. Kjo çështje do vijojë deri kur të marrim të drejtën, ashtu siç ne e kemi marrë gjithmonë kur kemi këmbëngulur dhe kemi trajtuar çdo element juridik të çështjes së Erionit.
Kemi ngritur çështje që kanë të bëjnë me marrjen e dosjeve, i morëm dosjet, kaloi kohë, por i morëm. Kemi ngritur edhe çështjen e mos komunikimit me avokatët e huaj. Kaloi një kohë e gjatë, por e morëm komunikimin me avokatët e huaj.
Në lidhje me çështjen e mandatit të kryetarit të Bashkisë, e morëm edhe mandatin e kryetarit të Bashkisë. Kemi ngritur çështjen e masës së sigurimit. Kaloi kohë e gjatë, por edhe ajo besoj se u fitua në Gjykatën Kushtetuese. Ne do e ndjekim çdo element juridik deri në Gjykatën e  Strasburgut, sepse jam i bindur që ky proces ka filluar i manipuluar nëpërmjet një kallëzimi anonim, i cili shumë shpejt do i bëjmë publike edhe elementë e fakte të tjerë në lidhje me këtë kallëzues. 
Ajo që duhet thënë dhe ne do e përsërisim gjithmonë është që do ndjekim çdo lloj ankimi juridik për të çuar çështjen deri në fund dhe për ta çuar këtë betejë deri në fitoren e z. Veliaj.

-Kur pritet t’i drejtoheni Strasburgut dhe cila ishte gjendja e klientit tuaj?

Plarent Ndreca: Gjendja e klientit tonë është shumë e mirë. Është besimplotë, është shumë mirë fizikisht dhe mendërisht. Është i qartë, shumë i qartë për çështjen dhe betejën që ka bërë dhe e pret. Çështja në Strasburg duhet të depozitohet brenda 4 muajsh nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, por ne besojmë se do e bëjmë shumë shpejt. Ndoshta në shtator, fillim shtatori.

-Hapi tjetër i radhës, përveç Strasburgut?

Plarent Ndreca: Ne jemi në gjykim në themel dhe do jeni të informuar mbi çdo lëvizje që do bëjmë edhe në gjykimin në themel. Ne do çojmë në Strasburg edhe vendimin e Gjykatës paraprake, i cili nuk i krijoi mundësinë z. Veliaj të njihej me çështjen, madje të mos kishte as avokat në gjykimin paraprak dhe gjithashtu do çojmë edhe një çështje tjetër që ka lidhje me pavlefshmërinë e akteve në Gjykatën Kushtetuese; pra do ndjekim çdo lloj hapi dhe ju do jeni të informuar mbi çdo hap që ne do ndjekim.

-Çfarë i sjell mbrojtjes ekipi anglo-amerikan?

Plarent Ndreca: Sigurisht një vlerë e shtuar. Eksperienca e një ekipi të njohur nga Anglia për çështje që lidhen me Strasburgun dhe sigurisht, që gjithë çështjet që kanë të bëjnë me Strasburgun do i realizojmë në bashkëpunim me kolegët nga Anglia dhe Amerika, të cilët fatkeqësisht nuk e kanë marrë lejen akoma nga SPAK, për t’u prezantuar me klientin e tyre.


Lajmi kryesor:

Veliaj 18 muaj në burg, në shtator ankim në Strasburg! Avokati britanik e viziton në qeli: GJEDNJ do ta rikthejë në detyrë