Gjykata Kushtetuese e rrëzoi mbrëmjen e së premtes kryeministrin Rama, duke lënë kështu në fuqi vendimin e marrë nga SPAK e GJJKKO në muajin nëntor, për pezullimin nga detyra të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e marrë e pandehur, për shkelje të barazisë në tendera.
Por historia nuk mbaron këtu. Shpallja e këtij vendimi pas një mbledhjeje 10 orëshe të gjyqtarëve kushtetues, do të ketë efekte në dy drejtime.
Së pari, anëtarja e qeverisë mund të vijojë betejën në apelin e Gjykatës së Posaçme, aty ku ankimi i saj ngriu pasi gjyqtarët thanë se do të prisnin vendimin e Kushtetueses. Balluku, me gjasë do t’i rikthehet kërkesës që gjykata ta çlirojë nga pengesa për të ushtruar detyrën e ministres dhe zëvendëskryeministres.
Nga ana tjetër, socialistët duhet të thërrasin Këshillin e Mandateve për t’i dhënë përgjigje SPAK, për një kërkesë tjetër, edhe më të ashpër, atë për arrestimin e Ballukut. Prokurorët kanë deklaruar se gjatë hetimit, kanë lindur dyshime se ajo nuk shkeli barazinë në tendera vetëm në Tunelin e Llogarasë, por në të paktën 7 praktika tenderuese për Unazën e Madhe, ndërsa nën hetim kanë vënë dhe tre vepra të tjera të rëndësishme infrastrukturore.
Mbledhja e parë dhe e vetme e Këshillit të Mandateve u bë në 19 dhjetor, dhe pavarësisht se SPAK nënvizoi se çdo vonesë dëmton hetimin, socialistët thanë se do të shpreheshin pasi të fliste Kushtetuesja.
Tashmë që ky vendim u shpall, kryetari i Kuvendit duhet të mbledhë Këshillin e Mandateve, apel ky që është bërë nga opozita menjëherë pasi foli mbrëmë Gjykata Kushtetuese.
Vetë Rama apo socialistët nuk e kanë komentuar vendimin e Gjykatës që rrëzoi kërkesën e kryeministrit dhe detyron Ballukun të largohet nga qeveria.
Seanca maratonë prej më shumë se 10 orësh, gjithsesi nuk i dha një zgjidhje përfundimtare pyetjes, nëse një gjykatë mund të pezullojë nga detyra një anëtar qeverie, pa marrë më herët leje nga Kuvendi.
Gjyqtarët u ndanë 4 me 4, dhe kjo barazi, sipas ligjit e rrëzon automatikisht kërkesën, sepse asnjë palë, as kryeministri dhe as SPAK, nuk bindën dot të paktën 5 gjyqtarë rreth vetes.
Anëtari që bëri diferencën ishte Gent Ibrahimi, i cili u rreshtua me prokurorët dhe doli kundër Edi Ramës. Bie në sy se mes gjyqtarëve që mbështeti Ballukun dhe Kryeministrin, ishte Sonila Bejtja, e njohur si e afërt me opozitën, pasi bashkëshorti i saj drejton televizionin e familjes Berisha.
Marjana Semini
Fjona Papajorgji
Sandër Beci
Asim Vokshi
Marsida Xhaferllari
Ilir Toska
Komente












