TIRANE- Pas dënimit me 300 mijë lek gjobë nga gjykata e Tiranës, ish-kundëradmirali i Flotës Detare Shqiptare Kristaq Gërveni, ka humbur një tjetër proces gjyqësor, ku përballej me ministrinë e Mbrojtjes. Ushtaraku që njihet si personi që ka udhëhequr negociatat për kufirin detar me Greqinë të cilat më pas u konkretizuan me një marrëveshje të gabuar dhe që më tej u rrëzua poshtë nga Gjykata Kushtetuese, para dy ditësh ka humbur gjyqin për rikthimin në punë.

Vendimi është marrë nga Gjykata Administrative, e cila ka vendosur të mos pranojë kërkesën e Kristaq Gërvenit, i cili kundërshtonte vendimin e ministrisë së Mbrojtjes për nxjerrjen në reformë të tij. Pas një sërë seancash gjyqësore, ish-kundëradmirali i Flotës Detare ka humbur gjyqin për tu rikthyer në vendin e punës. Gjykata Administrative e ka quajtur si të drejtë në reformë të tij, dhe për pasojë ka lënë në fuqi vendimin e marrë nga ministria dhe kryeministria.

Grada nga rrobaqepësi
Ndryshe nga çfarë uniforme kishte marrë nga ministria e Mbrojtjes mbi të cilën ishte vendosur grada e kundëradmiralit, Gërveni ka zgjedhur rrobaqepësin për të bërë një modifikim mbi uniformën ushtarake. Ky modifikim konsiston në qepjen e një shiriti në mëngët e uniformës, duke rritur numrin e tyre në tre, dhe për pasojë ka vetëmarrë gradën e lartë ushtarake “Admiral”.

Organi procedues pasi ka kryer një hetim të plotë, të gjithanshëm dhe objektiv ka arritur në përfundimin se në rastin konkret mbajtja e shenjave dalluese të gradës ushtarake "Admiral" në kundërshtim me dekretin e presidentit dhe ligjin, si dhe aktet e tjera ligjore në fuqi për Forcat e Armatosura, nga kundëradmirali Kristaq Gerveni është bërë botërisht dhe në këtë mënyrë ai ka konsumuar plotësisht elementet e veprës penale.

Po ashtu në shkresë dhe dokumentacionin bashkëngjitur në dosjen hetimore përcaktohet se i pandehuri kundëradmiral Kristaq Gerveni është furnizuar nga Drejtoria e Administratës dhe Shërbimeve në Ministrinë e Mbrojtjes me uniforma ushtarake sipas normave dhe kartelës personale që është bashkëlidhur. Në këtë kartelë nuk rezulton që ky i pandehur të jetë furnizuar me uniformë me shenjë dalluese të gradës ushtarake madhore “Admiral".

Përvetësimi i titujve
Ka qenë prokurori Petrit Bici, ai që ka ngritur akuzën e “Pranimit të favoreve nga ushtaraku”. Sipas prokurorit gjatë periudhës që i pandehuri shërbente në misionin e RSH pranë NATO-s,në Bruksel, konkretisht më datat 22.01.2014 dhe 23.01.2014, në takimin e zhvilluar në Komitetin Ushtarak të NATO-s në shtabin e NATO-s në Bruksel, takim i cili është zhvilluar në formatin e shefave të Shtabeve, ai ka vepruar në kundërshtim me dekretin nr.6262 datë 15.09.2009 të Presidentit të Republikës si dhe me ligiin nr.9171 date 22.01.2004 "Për gradat dhe karrierën ushtarake të FA”.


Vendimi, Gërveni në prill të 2015, u dënua me 300 mijë lek

Në prill të 2015 Gjykata e Tiranës ka dënuar me 30 mijë lekë gjobë ish-atasheun tonë ushtarak në NATO, Kristaq Gërveni. Prokuroria kishte kërkuar 6 muaj burg për Gërvenin, por gjykata vendosi ta dënojë atë me gjobë. Kundëradmiral Gërveni akuzohej për “pranimit të favoreve nga ushtaraku”. Kallëzimi ndaj Kristaq Gërvenit është bërë në qershor të vitit të kaluar nga zyra juridike e Ministrisë së Mbrojtjes, ku sipas informacionit të paraqitur në prokurorinë e Tiranës përdorimi i gradës “Admiral” është zbuluar në rastin e takimit të 170-të të shefave të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s dhe atyre partnere të zhvilluar në selinë e Aleancës në Bruksel.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 31 Korrik 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)