Vendimi me vdekje pa asnjë provë:
Ishin agjenta, të pushkatohen!

Vendimi me vdekje pa asnjë provë:<br />Ishin agjenta, të pushkatohen!<br>
Gjyqet partizane zhvilluar në rrethanat e luftës njihen si një prej levave kriminale me të cilat vepruan komunistët për të eliminuar kundërshtarët e tyre politik gjatë viteve të Luftës. Shpesh gjyqet zhvilloheshin brenda një kohe të shkurtër madje gjykimi dhe ekzekutimi i të dënuarve me pushkatim kryheshin edhe brenda ditës. Në këto gjyqe pothuajse gjithmonë mungonin provat dhe dëshmitarët në rastet me të shpeshta jepnin dëshmi të rreme ose të përgatitur që më parë sipas një skenari të caktuar.

Sot do të sjellim për lexuesit një dokument, që e dëshmon më së miri këtë. Vendimi i gjyqit partizan për të cilin flasim është marrë me 6 gusht 1944. Pas tij janë çuar në pushkatim tre persona pa asnjë provë, përveç faktit që partizanët e improvizuar si gjyqtarë mendojnë se ata janë tradhtarë.

Të dënuarit  me pushkatim ishin: Neki Xheneti, Veip Hasani dhe Xhemal Babameto, të cilët akuzoheshin se ishin futur në radhët e Ushtrisë Nacional çlirimtare si agjentë për të mbjellë përçarje. Me këtë akuzë ata dënohen nga gjyqi partizan me pushkatim. Më poshtë e sjellim të plotë vendimin e këtij gjyqi nënshkruar nga sekretari Pajtim Shyti, anëtarët N/Kol. Islam Radovicka dhe Rexhep Çami dhe kryetari i gjyqit Abdyl Këllezi.

Dokumenti i plotë
Vendim i një gjyqi partizan dërguar Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ-së

Gjyqi Ushtarak i Shtabit të Zonës së I Operative mbassi mori në pyetje tre agjentat e poshtë shënuar:

1.- NEKI XHENETI
2.- VEHIP HASANI
3.- XHEMAL BABAMETO

Të dërguar prej prefektit tradhtar Vehip Runa

Vendosi
Në një kohë kur përpjekjet gjigande po i shton populli Shqiptar me Ushtrinë e tij Nacional Çlirimtare, me atë ushtri që i zbardhi faqen atdheut t’onë; që i siguroj një vend nderi mbrenda familjes së madhe të kombeve përparim dashës, në një kohë kur herojt e popullit po derdhin rrëke gjaku, kundra vandalëve nazista dhe veglave të tija të ndyra si Balli Kombëtar, Legaliteti etj., në një kohë kur prisat tonë të denjë të popullit Shqiptar po e udhëheqin popullin dhe ushtrinë e tij heroike me hapa të sigurta, me vendosmëni, kanë pa-turpësinë të futen në radhët tona agjenta të verbët të tradhtarit Vehip Runa.

Lëvizja Nacional Çlirimtare, lëvizja heroike e këtij populli që ka luftuar dhe po lufton me tërbim për shlirimin e Shqipris dhe të popullit, që ka lëftuar për vdekje kompromizin dhe tradhëtinë, që ka derdhur lumej gjaku, ja përplas surratit agjentave dhe qeverisë kuislinge të Tiranës, shpalljet dhe propozimet e tyre të tradhëtisë.

Duke qenë se agjentat e sipërm janë dërguar nga tradhëtari më i fëlliqur i Gjirokastrës për të futur përçarje në radhët e Frontit Nac. Çlirimtar, duke qenë se një punë e tillë është një krim kundrejt Ushtris Nacional Çlirimtare dhe trathëti e hapët karshi popullit Shqiptar e karshi rinis Shqiptare, duke qenë se këta agjentave shpifin se janë të dërguar nga populli i Gjirokastrës, nga ai popull që ka ditur t’i qëndrojë torturave, vrasjeve, grabitjeve dhe çnderimeve të kryetarve të këtyre agjentave, vendosi me një zë dënimin e tyre me vdekje.

Kështu do të pësojnë të gjithë ata që duan të shkelin gjakun e dëshmorve partizanë, mbi të cilin gjak po ngrihet SHQIPRIJA E RE DEMOKRATIKE POPULLORE.

VDEKJE TRATHTARËVE
Sekretari
Pajtim Shyti
(Firma)

Anëtarët
N/Kol. Islam Radovicka
Rexhep Çami

Kryetari
Komisari Politik
(Abdyl Këllezi)
(Firma)

Zonë e Lirë 6 Gusht 1944

dosieri

Er.K/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë