Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se ligji për tubimet do të miratohet përmes një akti normativ.

Balla tha se pas miratimit të aktit normativ nga Qeveria, ligji do të hyjë në fuqi menjëherë dhe më pas do të ketë 45 ditë kohë për t’u miratuar nga Kuvendi.

“Sa i përket ligjit për tubimet, jemi informuar nga Qeveria që do të miratohet me akt normativ. Akti normativ vjen në Kuvend për t’u miratuar. Akti normativ miratohet nga Qeveria, hyn në fuqi menjëherë dhe pastaj ka 45 ditë kohë për t’u miratuar nga Kuvendi.

Kodet, e para nuk bëhen me procedurë të përshpejtuar. Neni 83 i Kushtetutës ta ndalon që këto t’i kalosh me procedurë të përshpejtuar”, tha mes të tjerash Balla.

Çfarë përfshin ligji për tubimet:

Perimetra sigurie rreth objekteve të ndjeshme

Kur ka rrezik real dhe të afërt dhune, policia mund të kufizojë tubimet deri në 72 orë në një perimetër të caktuar rreth institucioneve arsimore, shëndetësore dhe shtetërore, objekteve të kultit dhe të trashëgimisë kulturore.

Thirrjet për dhunë në rrjetet sociale

Kur identifikon një thirrje për dhunë në kuadër të një tubimi, policia i dërgon mbajtësit të llogarisë një njoftim për fshirjen e postimit menjëherë dhe për mospërsëritjen e tij, duke i ofruar edhe mbështetje psikologjike kur ka nevojë.  Nëse postimi nuk fshihet ose sjellja përsëritet, policia vepron sipas legjislacionit në fuqi, përfshirë ndjekjen penale mbi bazën e figurave të veprave penale ekzistuese por edhe atyre të cilat janë propozuar në Kodin Penal sipas normave të reja europiane. 

Identifikimi i personave të maskuar

Sot, bazuar në ligjin ekzistues, fshehja e identitetit të individëve në protestë është e ndaluar, por ne do ta përfshijmë këtë ndalim në Kodin Penal, si vepër penale identike me atë të 27 vendeve europiane, duke ndjekur modelin francez.

Sanksione të parashikuara

Nuk ndodh në asnjë vend demokratik të Bashkimit Europian, që një grup njerëzish apo një turmë e caktuar të ushtrojnë arbitrarisht lirinë e protestës, duke u mohuar të tjerëve lirinë e lëvizjes në qytet dhe duke u penguar punën, shkollën, planin e tyre të ditës. Pjesëmarrja në një tubim pa leje dhe mosbindja ndaj thirrjeve për largim do të gjobiten nga 10 000 deri në 100 000 lekë të reja për çdo pjesëmarrës; mosbindja ndaj urdhërit për shpërndarje dhe fshehja e identitetit do të gjobiten deri në 500 000 lekë të reja për çdo pjesëmarrës. Ndërsa bllokimi i qarkullimit do të gjobitet me 5 000 lekë të reja për çdo pjesëmarrës.


Lajmi kryesor:

Paketa kundër dhunës në protesta/ PS mbledh Grupin Parlamentar, Balla: Ndryshimet në ligjin për tubimet do hyjnë në fuqi menjëherë me akt normativ, s'ka dialog me seksionin e dhunës të PD (VIDEO)