TIRANE- Dy muaj kohë do të kenë krerët e komunave dhe të bashkive për të dhënë përgjigje mbi variantin e ndryshimit të ndarjes territoriale. Komisioni miratoi dje, pa prezencën e opozitës variantin paraprak të ndryshimit të bashkive dhe të qarqeve në vend. Pas marrjes së përgjigjeve zyrtare, vërejtjeve apo dhe propozime për të ndryshuar kufij apo zona të ndryshme, komisioni për reformën territoriale do të rimblidhet për të dhënë një draft përfundimtar i cili do të kalojë më pas për votim në kuvend.

Kreu i komisionit Bashkim Fino dha si afat datën 22 korrik kur do të ridiskutohet projektligji si dhe për të vendosur ndryshimet e fundit. Mazhoranca e re duket se ka vendosur miratimin e projektit para mbylljes së sesionit parlamentar ku data 31 korrik mbetet si afati i fundit. Përfaqësuesit e PS kanë theksuar se do të kërkojnë dhe mbështetjen e opozitës, por se tashmë i kanë dhe 84 votat e duhura për të realizuar ndryshimin e ligjit për ndarjen administrative, vota të cilat socialistët i kanë të siguruara.

Për të shmangur një rrezikim të ndarjes territoriale mazhoranca ka vendosur të mos prek pikat ku cënohet kushtetuta, duke u kufizuar vetëm në ndarjen e bashkive dhe komunave. Për këtë proces Fino tha se në këtë reformë Shqipëria plotëson një tjetër reformë, e cila do t’i shërbejë një ndarje më të mirë të fondeve si dhe krijimin e kushteve për investime reale apo dhe mirëmenaxhim të turizmit. Tashmë parlamenti do të nisë me një shkresë të posaçme kërkesën për marrjen e mendimeve prej krerëve të pushtetit vendor.

Rezervat pritet të jenë mbi formën e ndjekur për të arritur në bashkimin e zonave apo dhe për ndarjen e kufijve nga situata e mëparshme. Madje Fino theksoi se pret që të ketë dhe bashkëpunim me krerët e komunave apo bashkive që i përkasin të zgjedhurve nga PD, pasi si tha ai, ka pasur shumë prej tyre që janë të interesuar për realizimin e saj. 

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)