Enkelejd Alibeaj nuk ngurron ta konsiderojë ndarje finale mes dy grupimeve të PD futjen e kandidatëve për kryebashkiakë të Sali Berishës në zgjedhje me logon e Ilir Metës.

“Është e pafalshme, është një mëkat politik që një pjesë të demokratëve t’i marrësh dhe t’i orientosh në një parti tjetër. Ky është fundi I ekzistencës së një partie, fundi I moralit politik. Si mundet që një shtëpi e madhe siç është PD që mund të ketë debate, ide të ndryshme, pikëpamje të ndryshme, por në fund duhet të mbeten te e njëjta çati.  Çdo akt, çdo veprim që i orienton, shtyn mezor një pjesë të demokratëve drejt një partie tjetër, të majtë, që nuk ka asgjë me moralin dhe vlerat e PD, kjo është një ndarje, duhet ta pranojmë, një ndarje thuajse finale”, tha Alibeaj.

Tashmë, i qartë që Berisha do të refuzojë çdo përpjekje për bashkëpunim mes tyre për 1 kandidat unik për bashkitë, kryetari I komanduar I PD kujdeset të thotë se dora e shtrirë nuk ishte dobësi, apo pa-aftësi për të gjetur kandidatët e tij.

“Demokratët nuk kanë asnjë arsye përse mos të bëhen bashkë rreth 1 kandidati, më të mirin e mundshëm që ka treguar që vë interesin publik mbi atë personal, për të bërë ballë luftës me pushtetin. Mesa duket nuk po ndodh kështu, pavarësisht se shpresa vdes e fundit. Ne kemi mbajtur gjithmonë qëndrimin që po, dorë e shtrirë, po dorë e shtrirë jo si moment dobësie, por për interesin e qytetarëve, jo për interesin e njërës palë apo palës tjetër. Përsa kohë që halli është I njëjtë, korrupsioni, krimi, çështje që prekin çdokënd që nuk është në vorbullën e pushtetit, pse mos të bëhemi bashkë? Çdo sjellje tjetër tregon një gjë: Nuk ke qëllim për tu përballur me pushtetin, nuk i shërben interesave të njerëzve, por interesave personale të dikujt”, vijoi Alibeaj.

Në Mirditë, nga ku edhe i dha këto deklarata, Alibeaj pritet të kandidojë me kryetarin e degës lokale, Mark Ruçin, pavarësisht negociatave 4 mujore të strukturave atje për të dalë bashkë në zgjedhje, duke plotësuar kandidatët në të 3 bashkitë e qarkut të dytë më të rëndësishëm të veriut, Lezhës. Përballë tij, Sali Berisha ka zgjedhur përmes primareve kandidatin Arben Mëlyshi, i cili zyrtarisht regjistrohet nën logon e aleancës Meta-Dule-Ndoka.

Alibeaj pritet të bëjë publikë emrat e kandidatëve për zgjedhjet vendore, ndërsa deri më tani ka zbuluar emrat në rreth 20 bashki. 

1.    Mallakastër- Agron Kapllanaj
2.    Poliçan - Florian Qamo 
3.    Kuçovë - Ilirjan Koxhaj
4.    Kamëz - Bilbil Bajraktari
5.    Lezhë - Sandër Marku
6.    Krujë - Sabah Sheta
7.    Dibër - Naim Gazidede
8.    Kurbin- Genc Doçi
9.    Dimal- Dritan Sula
10.    Patos- Pranvera Rizai
11.    Vaut i Dejës- Klomentina Drini
12.    Fier -Eriselda Zotaj Çelaj 
13.    Librazhd -Bujar Vreto 
14.    Vorë- Ibrahim Bruka 
15.    Korçë -Gjergji Gjata
16.    Sarandë- Skënder Muço
17.    Mirditë Mark Ruçi