‘Vendoret’/ Kandidatët në terren për garën e 14 majit! Peleshi e Filo në Korçë: Premtimet që bëjmë i kthejmë në realitet! Gjoni: Lezha s'mund të pajtohet me arrogancën e këtij pushteti

Kur ka mbetur pothuajse një javë kohë përpara periudhës së heshtjes zgjedhore, kandidatët e forcave politike kanë dalë sërish në terren në takim me qytëtarët ku kanë prezantuar programet e tyre.

Nga Korça, ministri i mbrojtjes, njëherazi drejtues politik i qarkut Korçë, Niko Peleshi shoqëroi kandidatin për kryetar në këtë bashki, Sotiraq Filon dhe gjatë fjalës së tij ai vuri theksin tek rritja e nivelit të jetesës dhe kalimi i Korçës në një tjetër nivel mirëqenieje.Ndërsa kandidati Filo, prezantoi disa nga projektet që do të zbatohen në qytet. Të cilat lidhen ngushtësisht me nevojat e qytetarëve.

Ndërsa kandidati i koalicionit Berisha-Meta për Lezhën, Pashk Gjoni, në një takim me familjet e vjetra Lezhjane dhe specialist të ndryshëm, ai u premtoi qytetarëve se do marrin zgjidhje për të gjitha problemet e tyre.

Ai tha se në fokus të programit të tij për bashkinë e Lezhës është zgjidhja e problemeve të infrastrukturës, marrjen e masave për mbrojtjen e hapësirave të gjelbërta dhe ndryshimet në sistemin e ujërave të bardha dh të zeza.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:26
Gjiknuri me Llatjan takime në lagjen ‘5 Maji’: Në 14 maj ‘çimentojmë’ marrëdhënien bashki-qeveri për zhvillimin e Elbasanit

 

“Më 14 Maj çimentojmë marrëdhënien bashki – qeveri për t’i thënë pro zhvillimit të Elbasanit, rritjes së pagave dhe pensioneve”. Kështu u shpreh Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri gjatë një bashkëbisedimi me banorë të lagjes “5 Maji” në Elbasan. 

I shoqëruar dhe nga Kryebashkiaku Gledian Llatja, numri dy i socialistëve deklaroi se zgjedhjet më 14 maj kanë të bëjnë me të ardhmen dhe qeverisjen e qytetit për të vijuar me punët e mira të bëra deri më tani.

“Më 14 Maj njerëzit duhet të kuptojnë kush është qëllimi i vërtetë i votimit. Patjetër që është zgjedhja e kryetarit të bashkisë, por zgjedhja e kryetarit të bashkisë nuk është zgjedhje thjesht e një individi, por është e një filozofie politike dhe ka të bëjë me të ardhmen dhe me qeverisjen e Elbasanit. Projektet në infrastrukturë, ujësjellës- kanalizime, “Auto Moto Parku”, rehabilitimi i lagjes së Kalasë, të gjitha këto projekte nuk do të bëhen të mundura, po s’pati një mbështetje nga qeveria shqiptare, sepse taksat e qytetarëve të Elbasanit nuk mjaftojnë për nevojat që ka ky qytet dhe kjo bashki. Gledi ka mbështetje qeverinë shqiptare. Prandaj binomi Parti Socialiste–bashki; Parti Socialiste – qeveri është shumë i rëndësishëm për zhvillimin e qytetit”, tha ai. 

Gjiknuri, që është dhe drejtues politik i qarkut, u shpreh se qytetarët e Elbasanit e dinë shumë mirë se kandidati përballë kërkon të bunkerizojë bashkinë për qëllime politike.

“Po ta vini re kundërshtarin, është tipiku i njeriut që ka krizë identiteti politik. Kur del në media, kur i thonë: Ore zotëri, pse se thua se ti përfaqëson koalicionin Berisha – Meta, “martesën” Berisha – Meta? Se është i zgjedhuri i tyre.  Jo, - thotë,- unë jam thjesht kandidat i qytetarëve, pavarësisht i majtë apo i djathtë.  Por po të jesh kandidat i qytetarëve, ti hyr kandidat i pavarur. Në fletën e votimit aty është “Bashkimi për Fitore” – Ilir Meta alias Luçiano Boçi. Kjo është fleta e votimit Ilir Meta – Luçiano Boçi. Është i zgjedhuri i tyre. Do të ndjekë politikën e tyre. Thjesht do të ndjekë politikën e dyshes Berisha – Meta. Ata e kanë shpalosur kush është qëllimi i tyre politik, të marrim ca bashki të mëdha të bëjmë përmbysjen e madhe. Të përmbysim qeverinë thotë; dhe ishalla po vijnë ata në pushtet, ata dy”, nënvizoi Gjinuri. 

Numri dy i socialistëve komentoi dhe deklaratën e të dërguarit të posaçëm të SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar i cili tha në Report TV se qytetarët nuk duhet të shohin të kaluarën por të ardhmen ditën që do u drejtohen kutive të votimit. 

“Kush janë ata mjafton t’i referoheni deklaratës të një prej zyrtarëve të lartë të shtetit amerikanë që tha: “Shqiptarët nuk duhet të shohin nga e shkuara, nuk duhet votojnë për Sali Berishën”. E thanë haptazi. Ata janë e shkuara. Tani kur ajo është e shkuar në Tiranë, nuk qenka Luçiano e shkuar këtu në Elbasan? Bëjini pyetje vetes, çfarë përfaqëson? Çfarë ka bërë ai kur ishte kryetar i Partisë Demokratike? Po të shikoni nuk kanë asnjë angazhim publik, asnjë program publik. Del takon tek e tek njerëz që t’iu mbushë mendjen pse duhet votuar për të. Pra çfarë bëjnë tani, kapin njerëz, ty do të bëj drejtor u thonë. Këtë praktikë kanë. Pra praktikisht kanë premtime boshe”, theksoi Gjiknuri.

Ai nënvizoi se opozita është duke përgatitur alibinë për humbjen e radhës në zgjedhje. Gjiknuri shtoi se opozita nuk ofron asnjë program apo garanci për zhvillimin e Elbasanit.

“Tani po kalojnë te cikli tjetër, akuza: -Do na i vjedhin, po na blejnë zgjedhjet”. Doli ai i deleguari që ka në Elbasan, Flamur Noka, nuk e di çfarë lidhje ka ai me Elbasanin, tha: Po përgatitet vjedhja. Ku nuk do gjejnë terren do të thonë do na vjedhin, njëherë me banda njëherë do na blejnë votat. Bandat s’po i përmendin më. Tani kanë kaluar tek votat, po na blejnë votat. Ky është cikli i opozitës shqiptare. Prandaj them që vota për ta është votë boshe, nuk kanë asnjë vlerë politike, nuk kanë asnjë projekt për Elbasanin, s’kanë asnjë garanci zhvillimi, kanë vetëm fjalë të bukura, prozë apo poezi. Të bëhesh politikan dhe lidership nuk do vetëm të flasësh bukur, do karakter, do shtyllë kurrizore, do të tregosh aftësi që di të punosh me ekip dhe të drejtosh”, tha Gjiknuri. 

Sekretari i Përgjithshëm i PS u shpreh se vota më 14 maj është dhe mbështetje për politikat sociale të marra nga qeveria “Rama”.

“Më 14 Maj ne duhet ti themi pro edhe politikave të Qeverisë “Rama”. Ne kemi filluar politikën e rritjes së pagave edhe pagës minimale. Ne do ta çojmë pagën mesatare vitin tjetër në 900 Euro. Pse them se rritja e pagave do të bëjë që të rriten shanset për të rinjtë dhe të rejat që punojnë në vendin tonë? Ky është një investim për të ardhmen. Prandaj më 14 Maj ne i japim mbështetje edhe kësaj politike. Nga ana tjetër rritja e pagës dhe pensioneve do të rrisë dhe fondin e sigurimeve shoqërore dhe fondin e pensioneve, do të çojë në rritjen e pensioneve. Shqipërisë i është kthyer dinjiteti dhe Elbasani, unë e kam bindje, ka të ardhme.  Të gjitha këto do të bëhen të mundura me vazhdimësinë e rrugës që kemi nisur, bashki e Partisë Socialiste dhe qeveri e Partisë Socialiste”, deklaroi Gjiknuri.

Ministrja e Arsimit Evis Kushi, njëherësh dhe deputete e Elbasanit u shpreh se vota për Gledi Llatjen është garanci për vijimin e investimeve. 

“Kanë mbetur pak ditë dhe më 14 maj të gjithë do të shkojmë drejt kutive të votimit për të votuar për Gledin dhe PS, por vota për Gledin është votë për gjithsecilin prej nesh, nuk është votë vetëm për Gledin. Vota për Gledin është votë për zhvillimin e Elbasanin, është votë për vazhdimin e punëve, për të ecur përpara, është votë për rikonstruksionin e rrugëve, ashtu siç është shtruar ky shesh të shtrohen të gjitha sheshet që kanë mbetur edhe në periferi dhe në zonat rurale dhe njësitë administrative. Vota për Gledin është edhe votë për arsimin, sepse Gledi është mbështetja më e madhe për mua si ministre e Arsimit, por edhe për ju qytetarët, për të gjithë prindërit, për të gjithë mësuesit. Sepse Gledi i ka dhënë një mbështetje shumë të madhe arsimit këto 4 vjet”, tha Kushi. 

Kryetari I Bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja nënvizoi se në këto 4 vite janë bërë punë që nuk ishin bërë në 30 vite.

“Ne kemi bërë punë këtë mandat. E nisëm me rrugët kryesore, e sistemuam të gjithë Elbasanin, lagjet kryesore dhe në periferi. Ne nuk po lëmë sektor pa investuar, nuk po lëmë fshat pa ndërhyrë, nuk po lëmë njësi administrative pas dore. Pavarësisht se kemi pasur shumë sfida të përbashkëta, si tërmeti, si pandemi, ne kemi qenë bashkë. Kemi qenë bashkë në investime, për të përmirësuar cilësinë e jetesës të gjithë banorëve tanë. Nuk i kemi bërë dot të gjitha ato që duheshin bërë për 30 vite ama në këto 4 vite kemi bërë një sërë punësh. Kemi shtruar mbi 100 mijë m2 asfalt në vit, kemi shtuar mbi 10 mijë m2 lulishte, kemi mbjellë mbi 100 mijë pemë në Elbasan. Kemi shtuar sipërfaqet tona në shkolla me mbi 7000 m2 për të gjitha klasat që ishin me 2 turne. Ne po ndërhyjmë gjithandej, po bëjmë palestrat e shkollave, po bëjmë terrenet sportive, po mbështesim të rinjtë për sportet, po mbështesim rininë me qendrën rinore”, tha ai.


Mes të tjerash, ai shtoi se po ndërtohet një zhvillim i qëndrueshëm dhe se po investohet tek projektet strategjike siç është bypasssi i Elbasanit. 

“PD është hera e dytë që nuk futet në zgjedhje, dhe duan të marrin pushtetin, të marrin bashkinë, të sjellin Sali Berishën prap në pushtet. Jo mor jo, ne po krijojmë atë perspektivën për Elbasanin, po krijomë atë qëndrushmëri ekonomike Elbasanit, dhe prandaj bashkë me qeverinë shqiptare, bashkë me Damianin, Evisin, me kryeministrin Rama po investojmë në projektet tona strategjike, siç është bypassi I Elbasanin që na jep një strategji ekonomike në të gjithë fushën e Elbasanit, zgjerimi I Korridorit 8, shëtitorja buzë lumit Shkumbin që më në fund do të kemi një shëtitore fanstastike buzë lumit, në ajër të pastër. Dhe Automoto Paku I Elnasanit që është një nga polet zhvillimore të Elbasanit. Kemi për të pasur një zhvillim të qëndrueshmë në Elbasan me përfundimin e këtyre investimeve që kemi nisur”, theksoi Llatja.

Ora 15:46
Kandidati i PS-së për Vaun e Dejës, Kristjan Shkreli me banorët e fshatit Hajmel: Nuk mund të presim asgjë nga një njeri që mashtron

Banorët e fshatit Hajmel të Vaut të Dejës kanë pritur kandidatin e Partisë Socialiste, Kristjan Shkreli i cili u ka bërë të ditur banorëve se në programin e tij për zhvillimin e kësaj bashkie është prioritet edhe zona e Hajmelit.

Ai u tha banorëve të këtij komuniteti se një nga qëllimet kryesore është asfaltimi i rrugëve dhe plotësimi i tyre me ndriçim, trotuare si dhe riparime në rrjetin elektrik.

"Rrugët në fshatin Hajmel dhe do të shtrohet me asfalt dhe do të pajisen me ndriçim, trotuare dhe nuk do të ketë asnjë rrugicë në fshatin Hajmel pa shtuar. Gjithashtu është planifikuar edhe ndërhyrja në rrjetin elektrik pasi kemi bërë kërkesë në Drejtorinë Rajonale të OSHEE në Shkodër", tha Shkreli.

Më tej ai nuk la pa përmendur kandidatin e tij kundërshtar në këtë garë elektorale, për të cilin tha se nuk mund të pritet asgjë nga një individ që mashtron për gjithçka.

"Nuk mund të presim asgjë nga një individ që mashtron për gjithçka, e së fundmi doli që ka mashtruar edhe për shkollimin e tij ku thotë është shkolluar në Turqi", tha Shkreli

Ora 15:05
Kandidati i koalicionit Berisha-Meta për Vaun e Dejës, Zef Hila: Prioritet kemi zhvillimin e infrastrukturës

Në një takim me banorët e fshatit Rranxa në Vaun e Dejës kandidati i koalicionit Berisha-Meta, Zef Hila u prezantoi banorëve të këtij komuniteti programin dhe planet e tij për këtë zonë.

Ai tha se Fshati Rranxa, si simbol i harmonisë do të jetë në vëmendjen e bashkisë Vau Dejës në katër vitet e ardhshme.Gjatë bashkëbisedimit me ta, kandidati Hila, u renditi banorëve disa nga prioritet e tij për këtë zonë te bashkisë Vau Dejës.

Më tej ai u tha banorëve se do të punohet gjithashtu në zhvillimin e infrastrukturës në zonë dhe zgjidhjen e problemeve që banorët kanë.

"Ne mendojmë që në 4 vitet e ardhshme në fshatin Rranxa, është një program i cili është diskutuar nga përfaqësuesit e fshatit edhe më parë që do të fillojë me sistemimin dhe asfaltimin e rrugëve të lagjeve dhe pallateve.Ndaj do jemi pjesë e një projekti me termoizolim dhe të një sistemi të veshjes me kapotë jo vetëm të pallateve të Rranxanit por për gjithë zonën e Vaut të Dejës.Do të sistemojmë pjesën përballë fshatit me stola, ndriçim dhe çezmë publike. Trotuari nga kryqëzimi i Rranxanit do të bashkohet me segmentin tjetër ne fund të rrugës.Do të kemi prioritet që varrezat duhet të jenë të rrethuara, ju e dini që ne ka një kohe të gjatë që bashkeqeverisim bashkë dhe bashkë na ka mbajtur  fjala një dhe puna dy", tha Hila.

 

Ora 14:31
Pjerin Ndreu me banorët e Barbullojës në Lezhë: Unë do të jem garant i fjalës së mbajtur, në fokus kemi zhvillimin e infrastrukturës

 

Kandidati i Partisë Socialiste për Lezhën, Pjerin Ndreu është ndalur në Barbullojë dhe në lagjen e Spitalit për të takuar banorët e këtij komuniteti dhe për t’i  prezantuar atyre planet dhe idetë që qëndrojnë në themel të programit të tij për qytetin e Lezhës.

Në fjalën e tij për banorët e Barbullojës, Ndreu tha se ka dhënë impulse pune në të gjithë Lezhën dhe pjesë e investimeve do të jetë edhe kjo zonë e lënë në harrese, ai u zotua se do të sillte ndryshim rrënjësor në jetën e banorëve të këtij komuniteti.

“Kam dhënë impulse të punës në gjithë Lezhën dhe këto impulse ka ardhur koha ti përfitojë edhe Barbullonja, rrugët do të asfaltohet, urat do të bëhen me një sistem tjetër , do hapim kanale kulluese 600 km kanale kulluese të tjera në këtë mandat ”- tha ai.

Ndërsa në takimin elektoral me banoret e lagjes së Spitalit, Pjerin Ndreu garantoj se pas zbatimit të projektet të ujerave të bardha dhe të zeza do të ndërhyhet menjëherë në infrastrukturën e kësaj zone.

E teksa i ka kërkuar banorëve të besojnë te ai dhe ti japin mundësinë që të fitojë garën për një mandat të dytë, ai u premtoi qytetarëve se do të jetë garant i fjalës së mbajtur.

Ora 14:04
Spahia me banorët e Dobraçit dhe Golemit: Rivalët vijnë pa projekt dhe me mashtrime 3D, ne kemi një plan të qartë

 

Me banorët e Dobraçit dhe të Golemit e zhvilloi takimin e radhës kandidati i koalicionit  Berisha-Meta, Bardh Spahia, i cili mori mbështetjen e tyre për 14 Majin.

 Spahia duke folur për punën e bashkisë në këtë mandat 1 vjeçar të tijin, hodhi poshtë akuzat e kryeministrit se janë bërë pengesë për rrugën Shirokë – Zogaj dhe ujësjellësin e Zogajve. Arsyeja që nuk punohet është mungesa e financimit pasi bashkia ka kryer në kohë rekord lejet deklaroi ai.

“Ndërsa rivalët vijnë pa projekt për Shkodrën dhe vetëm me mashtrime 3D, ne kemi një plan të qartë dhe investime të përcaktuara sipas nevojave të çdo zone tha kandidati Spahia.”- tha ai.

Fitorja e 14 Majit do të sjellë për Shkodrën zhvillimin e kërkuar u shpreh në mbyllje të takimit kandidati Spahia.

Ora 14:00
Benet Beci takim me banorët e lagjes Dërgut! Premton ndërhyrje për rikonstruksionin e shesheve mes pallateve 

 

Kandidati për kryetar i bashkisë Shkodër Benet Beci ka zhvilluar një takim me banorët e rajonit numër 3 të cilët i shprehën problematikat e tyre dhe mungesën e plotë të vëmendjes në këto vite nga bashkia e Shkodrës. Ndërkohe gjate takimit me banoret e kësaj zone u regjistrua edhe një incident pasi një pjese e suvasë të një pallati ra ne vendit ku po zhvillohej takimi , por fatmirësisht nuk pati dëme ne njerëz. Në fjalën e tij përpara banorëve kandidati i PS për bashkinë Shkodër, Benet Beci tha se duhet një ndërhyrje emergjente për rikonstruksionin e këtyre pallateve ndërsa shtoi se ka ardhur koha qe ti kthejmë faqen Shkodrës. Kandidati Beci deklaroi se projektet për infrastrukturën do të jenë fokusi kryesor në punën e tij.

Ora 12:24
Zgjedhjet e 14 majit, Balla nga Patosi: Votoni punën dhe zhvillimin e qytetit tuaj! Koha kur bashkia flinte gjumë është një e shkuar e trishtë

Kryetari i Grupit Parlamentar dhe njëherësh Drejtuesi politik i PS për qarkun e Fierit Taulant Balla është ndalur sot në Patos ku ka theksuar se më 14 maj votohet për çuar përpara të gjitha projektet për zhvillimin e çdo qyteti, të çdo bashkie, si dhe bëri thirrje që askush mos ta çojnë votën dëm tek hijet e së shkuarës. 

Balla nënvizoi se nëse doni një bashki që punon dhe nuk fle gjumë atëherë të votojnë Partinë Socialiste pasi është e vetmja zgjidhje për të çuar përpara Shqipërinë dhe shqiptarët. 

“Më 14 maj vota juaj është vendimtare për Patosin dhe për gjithë Shqipërinë. Nëse doni punë keni Fationin, nëse doni ta çoni votën dëm janë dy kandidate të tjera me të cilat nuk kam asnjë problem, se nuk janë ato problemi, por problemi i tyre janë ata që i kanë vënë. Fationi është një kandidat që Edi Rama dhe Partia Socialiste e kanë sjellë për Patosin, për të vazhduar përpara shumë punë të mira që janë bërë në këto vite, por gjithashtu edhe për të realizuar ato që nuk janë bërë ende. Nëse do që bashkinë ta vësh në punë duhet t’ia japësh votën përfaqësuesve të Partisë Socialiste, nëse do që bashkinë ta vësh në gjumë kemi miqtë e bilbilit dhe iku bashkia. Gjithashtu pajisja me certifikatë pronësie të tokës është një prej atyre detyrimeve që ne si Parti Socialiste e kemi detyrim, pasi është e pamundur që asaj toke t’i japësh vlerë ekonomike nëse nuk e ke atë certifikatë. Gjithashtu ne kemi arritur disa reforma të rëndësishme, qoftë për rritjen e pensioneve apo të rritjes së pagave. Ndaj ne socialistët jemi e vetmja mundësi për të vazhduar, për të çuar përpara dhe për të zgjidhur halle. Më 14 maj votoni Fation Duro dhe Partia Socialiste, kjo është zgjedhja më e mirë, vota tek ata të tjerët është votë e çuar dëm”.- tha Balla.

Ora 12:17
Kandidati i koalicionit Berisha-Meta për Lezhën, Pashk Gjoni: Lezha s'mund të pajtohet me arrogancën e këtij pushteti

 

Në një takim me familjet e vjetra Lezhjane dhe specialist të ndryshëm, Pashk Gjoni kandidati i koalicionit Berisha-Meta u premtoi qytetarëve se do marrin zgjidhje për të gjitha problemet e tyre.

Ai tha se në fokus të programit të tij për bashkinë e Lezhës është zgjidhja e problemeve të infrastrukturës, marrjen e masave për mbrojtjen e hapësirave të gjelbërta dhe ndryshimet në sistemin e ujërave të bardha dh të zeza.

"Lezha ka problem me përmbytjen, Lezha ka problem me ujërat e bardha, me parkingun me sipërfaqet e gjelberta. Katër vite më parë kemi qenë më të qetë, pasi nafta kushtonte më pak, taksat ishin më të pakta dhe shpenzimet po ashtu, ndërsa sot çdo gjë është vështirësuar. Ndaj ju premtoj se do të bëj të mundurën dhe të  pamundurën të jem njëri prej jush pasi nuk do ja lejoj vetes të maskohem ,të rri me xhama të errët dhe në sendilen mbrapa. Unë do ec vetëm sepse nuk kam frikë", tha Gjoni.

Pjesë e këtij takimi ishte dhe ish-prefekti socialist i Lezhës Gjok Jaku i cili tha se nuk mund të pajtohemi me arrogancën e këtij pushteti, ndërsa në të njëjtën linjë ishin dhe qytetar të tjerë të cilët garantuan mbështetje maksimale për doktor Pashk Gjonin.

Kandidati i koalicionit Berisha-Meta për Lezhën, Pashk Gjoni u shpreh i bindur në fitoren e 14-majit, pasi Lezha nuk mund të pajtohet me arrogancën dhe papërgjegjshmërinë e këtij pushteti.

Ora 10:17
Fier, kandidatja e PD në lagjen ‘Afrim i ri’: Zona kërkon frymëmarrje, është lënë prej vitesh në harresë

 

Eriselda Zotaj Çelaj,  kandidatja e Partisë Demokratike për bashkinë e Fierit, ka denoncuar gjendjen në të cilën ndodhet infrastruktura në lagjen "Afrim I Ri". Sipas saj, kjo lagje ka nevojë për investime konkrete në shumë sektorë, e të ndjejë dorën e pushtetit për ta ndjerë vetën të barabartë me qytetarët që jetojnë në qendër të qytetit

Problematikat në këtë zonë janë pohuar edhe nga banorë të zonës

Zotaj Çelaj është ndalur edhe tek procesi i votimit dhe mënyrën se si qytetarët duhet të votojnë në zgjedhjet e 14 majit

Zgjedhjet e 14 maji, sipas kandidatet së Partisë Demokratike, janë zgjedhjet për ti dhënë frymëmarrje Afrimit të ri, të gjitha zonave rurale e bashkisë së madhe të Fierit

Ora 10:12
‘Vendoret’/ Peleshi dhe Filo takime në Korçë me qytetarët: E kemi treguar se premtimet që bëjmë i kthejmë në realitet

 

Nga lagjja 1 e qytetit të Korçës në takimet e zhvilluara në kuadër të fushatës për zgjedhjet vendore të 14 majit, ministri i mbrojtjes, njëherazi drejtues politik i qarkut Korçë, Niko Peleshi, vuri theksin tek rritja e nivelit të jetesës dhe kalimi i Korçës në një tjetër nivel mirëqenieje.

 “Ky mandatë do të mbahet mend gjatë aq sa ne mbajmë mend çfarë ka ndodhur në Korçë. Ndryshimin e Korçës ne do ta kalojmë në një nivel tjetër. Edhe Shqipëria po kalon në nivel tjetër. E kemi filluar punën të fundit në Ballkanin Perëndimor dhe me rritjen e pagave do të kalojmë në krye të vendeve të rajonit. Na u deshën 10 vite për të shlyer borxhet e trashëguara dhe njëkohësisht të bënim investime në çdo qytet. Ndaj sot shohim vetëm përpara. Ka ardhur dita të flasim me rritje pagash dhe të merremi në shtator edhe me pensionet.”- tha Niko Peleshi

Për kryetarin e bashkisë Korçë, Sotiraq Filo, projektet që do të zbatohen në qytet janë shumë të larmishme. Ndaj për të vijuar vetëm përpara, duhet që banorët e Korçës t’i besojnë alternativës së duhur dhe njerëzve të punës që po e çojnë Korçën në një të ardhme të ndritur.

 “Veç projekteve madhore që kemi nisur të zbatojmë dhe do të zbatojmë në mandatin e ardhshëm, ne po mendojmë edhe për anën estetike të qytetit. Është një projekt që do të heqë kabllot nga ajri për t’i vendosur ato nën tokë për t’i dhënë pamje dhe hijeshi lagjeve tona. Prandaj momenti i projektit të gazifikimit do të përdoret edhe për këtë. E kemi treguar se premtimet që bëjmë i kthejmë në realitet. Prandaj është koha të mos votojmë me bindje të verbër politike por të vlerësojmë njerëzit e punës, transformimin dhe atë që na pret përpara që është një e ardhme e ndritur për Korçën.”- tha Sotiraq Filo.

Ora 09:44
Mediu takim me këshilltarët republikanë të Bashkisë Tiranë: Jemi në situatën më të vështirë të historisë sonë kombëtare

 

Mediu zhvilloi një takim me këshilltarët Republikan të bashkisë së Tiranës që mbi 90% janë të rinj. Kreu i PR-së, Fatmir Mediu theksoi se është momenti I tyre dhe e domosdoshme që të luftojmë fort në çdo rrugicë, lagje apo fshat të Tiranës, të bisedojmë dhe dëgjojmë njerëzit dhe ti kërkojmë të votojnë Nr4 Partinë Republikane.

Po ashtu theksoi se ditën e hënë bashkë me të rinjtë do zhvillojnë një takim të rëndësishëm për familjen dhe besimin si baza të ideve republikane me autoritete politike të Kongresit Amerikan, Britanik dhe Gjerman.

“Ky është një moment jetik për Shqipërinë dhe shqiptarët.  Mendoj që jemi në situatën më të vështirë të historisë sonë kombëtare.

Shpopullimi, varfëria, korrupsioni, krimi, dominojnë shoqërinë, duke krijuar një problem shumë të madh me bindjen se çfarë duhet bërë dhe çfarë po bëhet në Shqipëri.

Kështu që zgjedhjet e 14 majit nuk janë thjesht zgjedhje për kryetar bashkie, apo zgjedhje për këshilltarë bashkie.

Ky është një moment jashtëzakonisht i vështirë për faktin sepse ky pushtet përpiqet me cdo mënyrë të ushtrojë presion për të larguar njerëz nga puna, ushtron presion me varfërinë, me ndihmën ekonomike, me shkatërrimin e bizneseve, me shkatërrimin e pronës, dhe ajo që është më e papranueshmja, ata mendojnë se shqiptarët janë në shitje.”- tha ai.  

G.MO/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Lezha: 04/05/2023 14:23

    Pashk Gjoni me u ba kryetar bashki qe ja ka pi gjakun lezhjanëve bashke me gruan !nje arrogant,

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?