TIRANE- Raporti i Komisionit të Venecias mbi propozimet e ekspertëve shqiptarë për reformën në drejtësi, ka brenda vetes miratime, sugjerime dhe mospranime. Edhe pse në nisje të opinionit  paraprak për projekt-amendamentet kushtetuese, të miratuara nga Komisioni i Posaçëm Parlamentar, ka bërë një vlerësim tejet pozitiv për reformën e propozuar, Komisioni i Venecias nuk i ka kursyer vërejtjet dhe evidentimet e pikave ku kërkon zgjidhje alternative nga pala shqiptare ky raport ndahet në tre kategori: çështje të mbështetura me dakordësi totale, çështje për të cilat kërkohen përmirësime dhe çështje për të cilat sugjerohen ndërhyrje të ndryshme nga ato të propozuara nga ekspertët shqiptarë.

Kështu,  Komisioni i Venecias ka dhënë dakordësinë për disa çështje thelbësore, duke e nisur me ridimensionimin e kompetencave të Presidentit të Republikës në raport me sistemin e drejtësisë. Komisioni ka pranuar se për Kushtetutën Shqiptare, është mjaft e rëndësishme të sigurohet se roli i Presidentit në emërimin e gjyqtarëve të jetë sa më formal. Venecia ka pranuar shmangien e Presidentit të Republikës nga kompetenca për emërimin e shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm, si dhe qenia e tij në krye të KLGJ.

Kompetencën e Gjykatës Kushtetuese për të mos kontrolluar kushtetutshmërinë e amendamenteve kushtetuese, Komisioni i Venecias e ka vlerësuar si një standard normal dhe një zgjidhje të pranueshme, e po ashtu edhe zgjerimin e të drejtës së individëve për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese. Po ashtu, ky institucion mbështet riorganizimit të Gjykatës së Lartë, riformatimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor,  nevojën për ngritjen e disa institucioneve kushtetuese, si Këshilli për Emërimet, Tribunali Disiplinor, Inspektorati i Lartë të Drejtësisë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, SPAK , si dhe riorganizimin e Prokurorisë dhe domosdoshmërinë e rritjes së pavarësisë personale të prokurorëve në raport me hierarkinë institucionale.

Ka disa pika ku Venecia kërkon përmirësime, siç është pavarësia buxhetore e Gjykatës Kushtetuese; krijimin e një gjykate të lartë administrative, heqjen e imuniteti penal për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët dhe garantimin vetëm të imunitetit funksional, etj.

Megjithëkëtë, ka disa pika për të cilat nuk është gjetur zgjidhje, të cilat Komisioni i Venecias i përcjell me shqetësim. Kështu, kërkohet shtrirja e përgjegjësisë disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, duke përfshirë edhe GJK; reduktimi i mëtejshëm të rolit të Ministrit të Drejtësisë në KLGJ, pozicionimin e qartë të Inspektoratit të Pavarur të Drejtësisë në skemën institucionale kushtetuese; zgjedhja  e Prokurorit të Përgjithshëm nga KLP dhe Kuvendi mbi bazën e një liste, ku renditen të gjithë kandidatët, sipas kualifikimit, si dhe parashikimin e një mekanizmi zhbllokues, në rast të mosarritjes së shumicës prej 3/5 e po ashtu kërkohet qartësimi i raportit ligjor dhe institucional, me synim shmangien e mbivendosjes së kompetencave ndërmjet Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe Prokuroria e Përgjithshme.   
 
Rekomandimet e Komisioni i Venecias
 
Pikat e pranuara:


Ridimensionimin e kompetencave të Presidentit të Republikës në raport me sistemin e drejtësisë.
Kompetencën e Gjykatës Kushtetuese për të mos kontrolluar kushtetutshmërinë e amendamenteve kushtetuese.
Zgjerimin e të drejtës së idividëve për të vënë në lëvizje GJK
Riorganizimit të Gjykatës së Lartë, të formulës së emërimit të gjyqtarëve e të Kryetarit;
Riformatimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor në drejtim të emërtimit, përbërjes, kompetencave,etj;
Nevojën për ngritjen e disa institucioneve kushtetuese, si Këshilli për Emërimet, Tribunali Disiplinor, Inspektoriati i Lartë të Drejtësisë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, SPAK etj;
Riorganizimin e Prokurorisë dhe domosdoshmërinë e rritjes së pavarësisë personale të prokurorëve në raport me hierarkinë institucionale;
Ndërprerjen e mandatit të KLD dhe të PP për shkak të ristrukturimit radikal të këtyre organeve; 
Procesin e vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i diktuar nga gjendja alarmante e korrupsionit dhe profesionalizmit të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.
 
Pikat ku kërkohen rregullime:
 
Iniciativën për pavarësi buxhetore dhe financiare të GJK;
Depolitizimin e procesit të emërimit të gjyqtarëve;
Efektin pozitiv të krijimit të një gjykate të lartë administrative,
Ngritja e një inspektorati të pavarur të drejtësisë.
Heqjen e imuniteti penal për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët;
Dhënia e përgjegjësisë prokurorit të çështjes dhe heqjes së varësisë personale të tij nga PP në hetimin e një çështjeje të caktuar;
Forcimin e rolit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
 
Sugjerimet e Venecias:


Rishikimin e dispozitave që mundësojnë (nga pikëpamja kushtetuese) integrimin e Shqipërisë në BE;
Parashikimin e disa kritereve profesionale për të gjithë anëtarët e Këshillit të Lartë gjyqësor.
Përgjegjësi disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke përfshirë edhe gjykatën Kushtetuese;
Reduktimin e mëtejshëm të rolit të Ministrit të Drejtësisë në KLGJ, sidomos apo qenies së tij si anëtar i Tribunalit Displinor; 
Përfshirjen në Këshillin për Emërimet edhe të anëtarëve nga jashtë gjyqësorit për të shmangur koorporatizmin në gjyqësor;
Pozicionimin e qartë të Inspektoratit të Pavarur të Drejtësisë në skemën institucionale kushtetuese;
Zgjedhjen  e Prokurorit të Përgjithshëm nga KLP dhe Kuvendi mbi bazën e një liste, si dhe parashikimin e një mekanizmi zhbllokues, në rast të mosarritjes së shumicës prej 3/5;
Qartësimin e raportit ligjor dhe institucional, me synim shmangien e mbivendosjes së kompetencave ndërmjet Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe PP;  
Parashikimin e një procedure më sintetike në Kushtetutë për procesin e vlerësimit të gjyqtarëve e prokurorëve.

Xhafaj: “Nuk u rrëzua asgjë, rivlerësim prokurorëve e gjyqtarëve”
Kryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafaj, doli dje në një konferencë për shtyp ku siguroi se Venecia do të jetë referenca më e sigurt e kësaj reforme. Xhafaj tha se Venecia nuk ka rrëzuar asnjë prej pikave të draftit të ekspertëve, por ka bërë vetëm vlerësime dhe sugjerime.  

“Jam i gatshëm të sfidoj për këto që do të them cilindo politikan, jurist, gjyqtar, prokuror, mbi opinionin e Komisionit të Venecias. Nuk ka asnjë dispozitë të atij projekti që s’ka gjetur mbështetjen e Komisionit të Venecias. Komisioni i Venecias në raportin e tij në asnjë faqe dhe në asnjë rresht të tij nuk kryqëzon ndonjë nga amendamentet, përkundrazi, mbështet shumicën e amendamenteve dhe zgjidhjeve të dhëna nga ekspertët e nivelit të lartë”-tha Fatmir Xhafaj. Drejtuesi i reformës në drejtësi, tha se do të ketë një rivlerësim për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët aktualë, një pikë kjo e mbështetur nga Venecia. “Është mbështetur fort procesi i rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Raporti i Komisionit të Venecias thotë e zeza në të bardhë se ky është një proces i domosdoshëm që duhet të kryhet në drejtësinë shqiptare. Duke konsideruar si një proces që diktohet nga gjendja alarmante e korrupsionit dhe niveli të ulët profesional në sistemin e drejtësisë shqiptar. Këtë e thotë raporti i Komisionit të Venecias. Çfarë nuk kishte thënë nëpër tryeza, nëpër tribuna politike lidhur me procesin e vlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Sot ka ardhur përgjigja, po do të ketë vlerësim të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Këtë e pranon pa asnjë ekuivok Komisioni i Venecias”-theksoi Xhafaj. Ai tha falënderoi të gjithë anëtarët e Komisionit të Venecias, duke shtuar “dua t'i siguroj se ne do ta ndjekim me përkushtim të plotë politik dhe profesional rrugën e sugjeruar për përfundimin e punës kolosale të bërë deri këtu”.  Xhafaj e mbylli fjalën e tij me një mesazh për të gjithë: “Mirë se vini në trenin e reformës! Ky është treni i drejtësisë për qytetarët dhe jo drejtësisë për politikanët e zyrtarët! Ky është treni i drejtësisë ku të gjithë duhet të ulemi dhe të sillemi, të respektohemi dhe të ndëshkohemi si të barabartë para ligjit! Kush e pranon këtë udhëtim si të tillë është i mirëpritur të zërë vendin që i përket. Ka vend për të gjithë!”
 
Nishani: “Duhet tryezë politike për drejtësinë”
Në një intervistë për median, Presidenti i Republikës Bujar Nishani, bëri thirrje për një tryezë politike për reformën në drejtësi, tashmë pasi Komisioni i Venecias ka dhënë orientimin e tij mbi standardet e patjetërsueshme që duhet të ndiqen gjatë këtij procesi. Presidenti i Republikës mirëpriti opinionin paraprak të Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi, dhe sugjeron edhe një akord mes palëve në një tryezë të posaçme politike.

Tashmë vendi ka një ligj dhe ndryshimet kushtetuese  të dekretuara pa vonesë nga kreu i shtetit, i cili bën thirrje për zbatimin e tij. Presidenti Nishani tërheq vëmendjen tek nevoja për dekomunistizimin dhe u kujton autoriteteve që edhe ligjin e miratuar para disa muajsh për hapjen e dosjeve ende nuk kanë nisur ta zbatojnë. 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 25 Dhjetor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)