Romantike dhe magjepsëse, Venecia është ëndërr për mijra turistë që vijnë në qytet çdo ditë për të përjetuar eksperienca të reja. Por qyteti i intrigave të pafundme dhe i shumë vizitorëve, po kërcënohet nga plagë sociale dhe turizmi i shfrenuar. Brezi i ri dhe çiftet e sapomartuara po largohen nga qyteti pasi në Venecia nuk ndërtohet dhe askush nuk u jep atyre shtëpi me qera.

Për shumë që jetojnë këtu, jeta është bërë e padurueshme edhe prej dinamikës së shfrenuar prej turizmit. Më shumë se 500 kroçiera në vit, duke kaluar nëpër kanalet e ngushtë të qytetit, shkaktojnë një lloj cunami që përplaset në fasadat dhe themelet e ndërtesave monumente, duke i dëmtuar ato.

Një tjetër problem për venecianët është ndotja e shkaktuar nga anijet turistike që emetojnë në ajër dyoksid karboni ndërsa në ujë dyoksid squfuri. Për shumë banorë, tubimet janë e vetmja mënyrë që zërat e tyre të dëgjohen. Grupe aktivistësh kanë nisur të protestojnë jo vetëm për anijet por dhe për zbrazjen e qytetit nga të rinjtë, problemet mjedisore dhe strehimin.

Administrata e qytetit ka vendosur që për vitin 2019 të vendosë “traun” në hyrje të Venecias. Që prej muajit janar, vizitorët duhet të paguajnë një biletë hyrje, që varion nga 2.5-5 euro, në varësi të stinës.

Por tarifa mund të arrijë edhe në 10 euro në periudhat e pikut të sezonit turistik. Administrata e qytetit beson se mund të përfitojë të ardhura shumë më të mëdha sesa nga taksa e turizmit e deri më tanishme dhe mendon që ti përdorë ato për të ulur sadopak tensionet sociale.