VENEZIA - Një nënë e re shqiptare, 19-vjeçare, ka vdekur gjatë natës mes së mërkurës dhe së enjtes, pak orë pasi kreu një lindje natyrale në spitalin e Venezia-s. Marsida Vogli (foto), me banim në Noale kishte sjellë në jetë atë pasdite vajzën e saj dhe gjithçka dukej se kishte shkuar rregullisht.

Ajo kishte kaluar orët pas lindjes në shoqërinë e të shoqit, Artanit, por gjatë natës kushtet e saj shëndetësore filluan të përkeqësoheshin menjëherë, duke e çuar drejt vdekjes.

Nga sa ka mësuar media lokale, vajza është ankuar për dhimbje në gjoks por pavarësisht nga ndërhyrja e mjekut gjinekolog dhe atij kardiolog nuk është arritur që nëna e re të mbahej në jetë.

Kartela mjekësore e gruas është sekuestruar dhe drejtësia italiane ka hapur një hetim që tashmë është përqëndruar tek disa persona, por emrat e tyre nuk janë bërë të ditur.

(im/shqiptarja.com)