Vizita e zotit Venizellos vjen ndërkohë pikërisht kur është bërë publike botimi i Rezolutës për zgjidhjen e çështjes çame në Fletoren Zyrtare. Më në fund politika shqiptare, kryesisht ajo e mazhorancës ka në dorë një dokument referimi për këtë çështje të rëndësishme që ende pikon gjak, për nga tragjizmi i vet. PDIU e nxori nga sirtaret e harresës së oportunizmit politik të udhëheqësisë sonë dhe sot askush s’mund të thotë se ajo nuk ekziston. Skeptikët duhet të mbyllin gojën. Ata që janë në krye të punëve duhet të përcaktojnë qartësisht si duhet të sillen përballë detyrimeve të një dokumenti parlamentar, si rezoluta, i vetmi në llojin e vet, që e drejton qeverinë në veprimtarinë e vet të përditshme. Partia Socialiste ka patur në programin e vet në qershor 2013, zgjidhjen e çështjes çame, por jo vetëm. Ndërsa ne përpiqeshim të miratonim në Kuvend tekstin tonë të projektrezolutës në dhjetor të 2012, Partia Socialiste propozoi një tekst alternativ, që megjithëse ishte i shkurtër, ishte thelbësor. Njëlloj sikur rezoluta e 2004-ës që u riaktivizua ligjërisht, projekti i Partisë Socialiste kishte në themel Traktatin e miqësisë midis dy vendeve ; e konsideronte çështjen çame si çështje për t’u zgjidhur, dhe kërkonte raportimin në parlament të diplomacisë për hapat në zgjidhjen e saj.
Në këtë kontekst rrethanash, ne presim me të drejtë, pa kurrfarë ndjenje presioni ndaj ekzekutivit që ministri ynë i jashtëm Ditmir Bushati, kryeministri Edi Rama, Presidenti Bujar Nishani ta trajtojnë sot çështjen çame në bisedat e tyre me kryediplomatin grek. Gjithë problemi është ai i qasjes ndaj kësaj çështjeje në këtë kontekst të ri, në hapësirën që do të ketë në morinë e çështjeve të tjera të cilat s’duhen kushtëzuar me njera tjetrën, duke patur parasysh rifutjen në axhendë pas disa vitesh heshtjeje.
Si kryetar i partisë së katërt parlamentare në Shqipëri, do thoja se në pikëpamje përmbajtësore çështja çame është një çështje e shkeljes masive të të gjithë të drejtave themelore, duke nisur nga ajo më themelorja- e drejta e jetës. Pavarësisht mospërputhjes që mund të kenë palët në përkufizimin e çështjes çame, qasja është rreptësisht e përcaktuar. Si të restaurohet ky kuadër tërësor i të drejtave të një komuniteti në rrethanat aktuale kur kanë kaluar mbi 60 vjet dhe komuniteti ynë, nuk ka reshtur së kërkuari këto të drejta ? Ne mendojmë se Traktati i miqësisë, megjithë mungesën e kuptueshme të referencave, pra dhe të përmendjes së çështjes çame është baza e drejtë ligjore për ta hapur atë çështje për diskutim. Është tjetër gjë, pastaj se për t’u zbatuar në praktikë, për të zgjidhur problemin, ky Traktat ka nevojë për akte të tjera nënligjore të shtetit grek.
E sidomos traktati ka nevojë të respektohet në frymë, pra si traktat i miqësisë, mbi të cilin asnjë ligj lufte, mbetje e së kaluarës, absurd i së tashmes, nuk ka kuptim. Një pjesë e ligjit të luftës, sipas pranimit të vetë shtetit grek ende ekziston dhe ekziston vetëm dhe vetëm për të ndaluar kërkimin e të drejtave legjitime nga shqiptarët e Çamërisë. Është e qartë se takimet e sotshme nuk zhvillohen në kuadër të një situate lufte, e si pasojë është e vetëkuptueshme se kjo ]ështje duhet të marri fund, që sot.
Traktati i miqësisë në vetëvete ka dy palë, palën shqiptare dhe atë greke. Pala shqiptare i ka respektuar të gjithë kërkesat e Traktatit, përkundrejt çdo pretendimi grek ndaj nesh, ndërsa pala greke nuk ka përmbushur asnjë detyrim të këtij Traktati. Greqia nuk mund të refuzojë kryerjen në tavolinë të një bilanci realizimesh të këtij Traktati 17 vjet pas firmosjes së tij. Dhe nga bilanci do dilnin të qarta detyrimet e Greqisë ndaj popullit shqiptar, përkatësisht komunitetit çam. Ky komunitet ka shumë të vrarë, të plagosur, të dhunuar, ka prona të grabitura, shtetësi të mohuar, nëpërmjet fajësimit kolektiv politik dhe jo penal, pasiqë gjyqet famëkeqe të Janinës të vitit 1945-1946, nuk janë të vlefshëm sipas vetë legjislacionit grek. A mundet Greqia ta mohojë këtë realitet ? Nuk mundet, sepse komuniteti ynë është shumë i fortë dhe ka rrënjë të thella në të djeshmen dhe të sotmen e Greqisë dhe ato rrënjë nuk mund të shkulen. Nuk ka kurrfarë arsye pse Greqia të thotë sot se ky problem nuk ekziston, kur deri në vitin 1996, ai ekzistonte dhe trajtohej në bisedimet dypalëshe. A është zgjidhur ai prej 1996-ës ? Jo, as mbi baza individuale, as mbi baza kolektive. Atëherë kjo çështje është akoma e hapur, dhe ne presim që të zgjidhet përfundimisht. E dimë që do kohën e vet, por koha nuk pret më.
Ne duam që sot ministri Bushati ta trajtojë çështjen çame ashtu si duhet. Me dinjitet. Çdo çështje në axhendën aktuale të diplomacisë sonë ka rëndësinë e vet, ka vendin e vet, por çështja çame nuk mund të mohohet nga askush. Madje ngritja e çështjes çame e ndihmon pozitën e Shqipërisë në marrëdhëniet dypalëshe. Nëse ne tërhiqemi vazhdimisht nga presioni i palës greke, atëherë do të jetë ajo që vazhdimisht kërkon dhe vetëm kërkon nga ana jonë. Ne e kuptojmë lojën e interesave, por sot më shumë se kurrë Shqipëria nuk mund të sakrifikojë, dhe nuk mund të tërhiqet nga të drejtat e një komuniteti që dje dhe sot ka qenë komuniteti më patriot i shoqërisë. Ai komunitet u përzu me forcë, u vra, vetëm pse ishte shqiptar, pse kishte vetëdije kombëtare dhe për asnjë arsye tjetër. Përndryshe, ne duam që zoti Venizellos ta kapërcejë paraardhësin e vet. Megjithëse ishte ideatori i largimit të komunitetit tonë nga Greqia në vitet 20, në momentet e mobilizimit të shtetit shqiptar sado i dobët ishte ai, Elefteros Venizelos u detyrua ta pranojë ekzistencën e minoritetit shqiptar në Greqi. Ai u detyrua ta ndalonte shkëmbimin dhe largimin përfundimtar të këtij komuniteti nga trojet etnike. Sot afro 100 vjet më pas, pasaardhësi i tij, Evangelos Venizelos’mund të mohojë ekzistencën e një problemi kaq të madh sa ç’ është problemi çam, dhe të jetë më i padrejtë se paraardhësi i vet, ndërsa etërit shpirtërorë të Agimit të Artë, realizuan veprën e largimit tërësor të komunitetit mysliman çam.
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)