Me ritëm më të ngadalë ka nisur turizmi i këtij viti. Afro 1.6 milionë të huaj erdhën në Shqipëri në 3 muajit e parë të këtij viti ose rreth 50 mijë më shumë se e njëjta periudhë vjet.

Turizmi një nga motorët kryesor të rritjes ekonomike, edhe pse aktualisht shfaqet i pandikuar nga Lufta në Lindjen e Mesme, përsëri ka shtuar pasiguritë. Ekspertët thonë në ‘Portofol’ se kërkesa për Shqipërinë është shumë e lartë pasi pushuesit po ikin prej vendeve të Lindjes, të ndikuar nga pasiguria.

“Sezoni turistik ka filluar le të themi pak më rëndë, pak më aktiv sesa viti i kaluar, veçanërisht kjo periudha e fillimit të pranverës. Këtu ka ndikuar shumë edhe pjesa e trazirave që janë në Lindjen e Mesme, por edhe gjithashtu pasiguria e perceptuar, përshembull për Egjiptin apo Turqinë që ranë ose ndaluan shitje deri diku nga frika e luftës pavarësisht se janë vende të sigurta. Kështu që kjo ka rritur kërkesën për Shqipërinë si destinacion. Ka pasur kërkesa urgjente dhe të menjëhershme nga vendet perëndimore siç janë Anglia për çartera për të konkluduar kontratat që të mund të vijnë turistët, që kjo është diçka shumë e rrallë në industri turistike”, thotë Aneo Hila, operator turistik.

Por sa mund ti përgjigjet Shqipëria, me cilësi, kushte dhe çmime këtyre turistëve? Kryetari i Shoqatës së Hoteleri-Turizëm thotë se kapacitetet nuk mjaftojnë, dhe se gjendemi mes konkurrencës së lartë.

“Rajoni ka ecur goxha përpara. Ne na duhet patjetër të bëjmë hapa të shpejta, të zbatojmë strategjitë, se ne e bëjmë strategji të mira, po i lëmë në letër. Ta jetojë aktivitete dhe modeli i ri është miks me pak fjalë një destinacion i cili ka të përmbledhura të gjitha kategoritë e njerëzve pa dallim”, thotë Zak Topuzi.

Kurse eksperti i ekonomisë Fatos Çoçoli thotë se sfida më e madhe e këtij viti është pastërtia.

“Në ka një gjë që jo vetëm turisti elitar, por edhe turisti i zakonshëm, nuk jetojnë dot me pisllëkun. Gjënë e parë që ne duhet të bëjmë është jo vetëm në formën e aksioneve, por pastrim i përditshëm që të paktën këtë e kemi ne në dorë”, shprehet Çoçoli.

Aneo Hila operator turistik, thotë se deri më tani lufta nuk i ka ndaluar shqiptarët të udhëtojnë, por nëse lufta zgjatet biletat nuk do të jenë më të lira.

“Problemi më i madh për turistët që duhet të vijnë këtë vit në Shqipëri është ngritja e kostos pritshme të biletave të avionit për shkak të rritjes së karburantit. Aktualisht në momentet që flasim asnjë gjë nuk ka ndryshuar për sa i përket turistëve shqiptarë që shkojnë jashtë vendit, vazhdojnë të fluturojnë, ikin drejt Evropës, drejt Turqisë”, thotë Hila.

Do shpenzojmë më shumë apo më pak këtë verë? Në këtë pikë, ekspertët gjykojnë njësoj “vera do jetë më e shtrenjtë”.

“Sigurisht që do shpenzojmë më shumë, gradualisht do rriten shpenzimet. Problemi që diskutojmë ne është kjo domethënë që balanca midis çmimit dhe shërbimit dhe këtu jemi”, tha Topuzi.

“Kështu që nuk mendoj se do na vij shumë, por harakiri i vërtetë është po të rrisim çmimet. Për një hotel se ka kolltukun e bukur të japësh një çmim 250-300 euro ta harrojmë se do na vijnë më turistë”, thotë Çoçoli.

“Nëse e hyn online është një verifikim shumë i thjeshtë për t'u bërë, për zonën e Golemit në periudhën e qershorit të një familjeve do të paguaj plus 2000€ për një hotel deri 4 mijë euro. Kurse në periudhën e gushtit kjo shifër për të vjen në familje fillon nga 2600-2700 euro e më lart”, thotë Hila.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:34
Sa shpenzon një turist në Shqipëri? Eksperti: Jemi më të lirët në rajon, kemi pushues ‘autostop-i’

Përveç kontributit në rritjen ekonomike, një nga treguesit më të matshëm të rritjes së turizmit, ka të bëjë me shpenzimet e pushuesve të huaj. 5.7 miliardë euro fituam vjet nga 4.9 miliardë në 2024-ën. E përkthyer në kosto për pushues, rezulton që një i huaj shpenzoi në total 459 euro në Shqipëri vjet, me rritje minimale në raport me 2024-ën.

Njëkohësisht shqiptarët shpenzuan jashtë mbi 3 miliardë euro nga 2.7 miliardë në 2024-ën, ose mesatarisht 353 euro personi.

“Ne në raport me rajonin jemi më të lirët dhe kjo është e dukshme. Ne vetë e kemi shitur Shqipërinë loë cost kështu që paketa shqiptare është më e lirë. Sigurisht që nuk kemi, arritur dot standardet që ka rajoni. Pra Greqia është lider botëror, Italia po ashtu, Kroacia po ashtu, Mali i Zi ka ecur me ritme jashtëzakonisht të shpejta”, thotë Zak Topuzi.

Ekspertët vlerësojnë se duhet më shumë fokus tek turizmi elitar, në mënyrë që ekonomia të përfitojë më shumë, por për këtë duhen standarde.

“Një turist elitar konsumon vetëm 3% të kapaciteteve akomoduese dhe sjell tetë herë më shumë. Dhe në këtë rast nuk është problemi se ne duhet të heqim dorë nga turizmi masiv por kombinimi është mjeti më i mirë. Ne nuk është se do ta kthejmë Shqipërinë në një oazë që vetëm për të pasur, por ama dhe ta kthesh që të vijë çdo njeri dhe të nxjerri gishtin, më ço deri në Vlorë apo diku tjetër dhe ky s'ka kuptim”, tha Topuzi

Më shumë se 12.4 milionë të huaj hynë në Shqipëri gjatë vitit 2025, shifra më e lartë e regjistruar ndonjëherë, rreth 770 mijë më shumë se në 2024-ën. Po ashtu edhe shqiptarët kanë lëvizur më shumë jashtë vendit, 8.5 milionë dalje u regjistruan vjet.

Ora 20:33
Kriza ‘djeg’ fluturimet, nisin anulimet e charterave që do vinin në Shqipëri, eksperti: Nëse lufta zgjat, cenohet turizmi

Operatori turistik Aneo Hila thotë se efektet e krizës së çmimeve të karburantit kanë nisur të ndjehen. Fluturimet e planifikuara nga Barcelona drejt Tiranës janë anuluar.

“Efekti i parë është kompania ka anuluar fluturimet nga Barcelona drejt Tiranës dhe ky njoftim na erdhi para dy ditësh. Kur një avion fluturon ka 200 pasagjerë shumëzim për 7 ditë, shumëzim për 12 javë sezoni, është humbje se këto ishin të gjithë turistë potencial që do të vinin të shpenzonin para në Shqipëri që tani ju ndalua mënyra e ardhjes”, thotë eksperti.

Charterat do të jenë më të dëmtuarit nëse lufta do të vijojë më gjatë.

“Po edhe në rast se lufta vijon, ne nuk jemi për fat shumë afër zonës së luftës. Nga pikëpamja teknike çarterat do të ishin ata të parët që do të vuanin nga kjo”, thotë Fatos Çoçoli.

Në këto kushte kur fluturimet po anulohen, trendi i ri janë udhëtimet tokësore, që do ta përqendronin turizmin vetëm në rajon.

“Tregjet siç e shikojmë ne orientimin po shtohet kërkesa e njerëzve që duan të shkojnë në pushime me rrugë tokësore, domethënë me mjetet e tyre personale. Kjo do të sjellë një ngritje të njerëzve që do të vijnë do të shkojnë me pushime në vende të ngjitur me njëri-tjetrin”, pohon Hila.