PRISHTINË, 16 Dhjetor /ATSH/.- Puna e Kuvendit të Kosovës do të vijojë me intensitet të shtuar, me prioritetet tashmë të evidentuara dhe me theks të veçantë implementimin e ligjeve, theksoi sot Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë një takimi me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Ian Cliff.
Ambasadori Cliff i uroi suksese dhe punë të mbarë, kryeparlamentarit Veseli duke shprehur përkushtimin e tij që bashkëpunimi i deritanishëm shumë i mirë ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar të vijojë edhe në të ardhmen.
Sipas një komunikate për media, Veseli tha se "në tempullin e demokracisë do të dëgjohet zëri i deputetit dhe qytetarit", duke shtuar se Kuvendi do të jetë transparent në punën e vet dhe do të përshpejtojë axhendat legjislative drejt proceseve të rëndësishme integruese për vendin.
Veseli dhe Cliff janë pajtuar se bashkëpunimi në fushën e legjislativit do të thellohet dhe zgjerohet, duke cekur se axhendat ekonomike do të kenë prioritet, sikurse edhe mbrojtja e investitorëve dhe implementimi i ligjeve./Kosovapress/k.s/