Veshjet popullore të Rrajcës, rrezikojnë zhdukjen, pasi të rinjtë nuk kanë interes për ta vazhduar traditën.
Shpresa dhe Gëzimja, të paktat artizane të zonës të cilat vazhdojnë të bëjnë kostume, ngrenë alarmin se nëse nuk ndërmerren iniciativa që mund të ndihmojnë në ruajtjen dhe promovimin e kësaj tradite, ajo mund të zhduket.
Shpresa Ballshkashi dhe Gëzime Rira, janë 2 nga 5 gratë e zonës së Rrajcës në Prrenjas, që vazhdojnë zanatin e prodhimit të kostumeve tradicionale.
Prej dekadash ato punojnë plot pasion, pavarësisht së bërja e një kostumi kërkon muaj të tërë.
“Do të paktën 10 ditë punë. Por ka shumë pjesë që kërkojnë kohën e vetë. 3 muaj ndoshta me të gjitha pjesët e kostumit”, tha Shpresa Ballshkashi.
“Kemi që prej 30 vitesh që punojmë me këto kostume. Na i kanë pëlqyer. Veshje shumë e bukur. Puna e dorës vlerësohet shumë, sepse e duan me dorë lulen dhe jo me makinë”, tha Gëzime Rira.
Kërkesat për kostume tradicionale, vitet e fundit kanë njohur vetëm rritje.
“Tani në fillim nuk është se kishte shumë kërkesë për këto. Por ka 6 vite dhe këtej që ka shumë kërkesë për kostumet Rrajcare”, tha Shpresa Ballshkashi.
“Çdo çift e do kostumin popullor. Në Itali, në Gjermani, kudo që të jenë, vijnë e blejnë”, tha Gëzime Rira.
Por, dy artizanet i druhen zhdukjes së traditës. Sikurse rrëfejnë, janë përpjekur shumë që zanatin t’ua trashëgojnë fëmijëve të tyre, por pa sukses.
“Janë të ikur fëmijët dhe nuk e dimë do e marrë ndonjëri apo jo. Thirrje u bëjmë me shumë dëshirë që ta marrin e ta trashëgojnë këtë gjë, sepse nuk është mirë që të humbë kjo traditë e jona”, tha Shpresa Ballshkashi.
“Po edhe mund të humbë, sepse kush do arrijë që t’i bëjë. S’e kanë me qejf të rejat. Sepse thonë ‘nuk merrem me këto’. Ato duan të vazhdojnë shkollën dhe punën”, tha Gëzime Rira.
Shpresa dhe Gëzimja apelojnë për më shumë vëmendje dhe iniciativa që mund të ndihmojnë në ruajtjen dhe promovimin e kësaj tradite shekullore, duke e konsideruar atë jo vetëm si pjesë trashëgimisë kulturore, por edhe si një mundësi zhvillimi për turizmin dhe ekonominë lokale.
Komente











