Vetëvendosje: FSK të bëhet ushtri

Vetëvendosje: FSK të bëhet ushtri
Duke e dënuar sulmin mbi ushtarët e KFOR-it, dhe duke ju dëshiruar të lënduarve shërim sa më të shpejtë, Lëvizja VETËVENDOSJE në reagimin e saj tha se përplasja që ndodhi në datën 1 qershor në veri të Kosovës edhe një herë vë në pah brishtësinë e sigurisë në Kosovë. Kërcënimi publik që shpërfaqin strukturat kriminale të Serbisë në Kosovë tregoi persistencë, pavarësisht lëshimeve që Kosova ka bërë përmes negociatave të padrejta e të pabarabarta me Beogradin.

“Ky kërcënim publik, që shfaqet përmes barrikadave, përmes spastrimit etnik të shqiptarëve që jetojnë në ato fshatra, përmes dhunës direkte dhe vrasjes së banorëve siç ndodhi në rastin e Selver Haradinajt, nuk mund të paqtohet e nuk mund të zgjidhet përveçse duke shtrirë në ato zona kontrollin dhe sovranitetin shtetëror e institucional të Republikës së Kosovës” thuhet më tej në reagim duke e mbështetur në, siç thonë Vetëvendosje. qëndrimin se Kosova ka nevojë për ushtri të sajën.

Vetëvendosje përsëriti kërkesën për formimin e ushtrisë duke treguar aspektet që i përkasin policisë dhe ato që i takojnë ushtrisë.

“Policia ruan rendin publik, por integriteti territorial dhe mbrojtja e kufijve janë arsyeja pse ekzistojnë ushtritë. Kosova është i vetmi shtet në Ballkan që nuk ka ushtri. Dhe, Kosova është shteti më i rrezikuar në Ballkan, për shkak të apetiteve të Serbisë të cilat nuk janë teori konspirative, por janë shpallur haptazi. Shpallja dhe bërja e FSK-së ushtri do t'ia lehtësonte punën NATO-s.” ishte kërkesa e Vetëvendosjes si reflektim i ngjarjeve të fundit.


Ndërkaq integrimi i veriut dhe bashkimi i Mitrovicës nuk duhet kuptuar vetëm si një çështje e lirisë së lëvizjes, thotë Vetëvendosje.

Vetevendosje thotë se këto hapa veprimi janë çështje vitale për sigurinë dhe mirëqenien e popullit të Kosovës, e për këtë arsye duhen shkatërruar strukturat kriminale të Serbisë, duhet shporrur MUP-i prej andej, ndërsa paralelisht nevojitet një plan gjithëpërfshirës i zhvillimit ekonomik. Duhet kuptuar se integrimi i vërtetë dhe i qëndrueshëm nuk është vetëm integrimi institucional, por edhe ai shoqëror. E këtë të fundit e garanton veçse zhvillimi ekonomik i përqendruar në prodhim e në punësim.

Vetëvendosje bën thirrje që të ndalen bisedimet për veriun, përderisa atje janë në veprim strukturat ilegale shtetërore të Serbisë, sepse këto bisedime paraqesin inkurajim për ato struktura dhe për vetë Beogradin. Sa i përket serbëve lokalë që nuk janë të përfshirë në ato struktura, me ta është e kotë të bisedohet për sa kohë i kanë strukturat armiqësore e kriminale të Serbisë mbi kokë. Problemet në Kosovë nuk vijnë nga mungesa e dialogut, por nga apetitet e Serbisë.

  • Sondazhi i ditës:

    Sa përcaktuese do jetë vota e emigrantëve në zgjedhjet e 2025-ës?



×

Lajmi i fundit

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza

Hezbollahu godet një fushë futbolli në Izrael, 10 viktima, fëmijë dhe adoleshentë! 30 të vrarë nga sulmet izraelite në një shkollë në Gaza