Pesë vatra zjarri vijojnë të jenë aktive në vend, ndërsa dy të tjera janë nën monitorim.
Lajmin e bëri të ditur Ministria e Mbrojtjes përmes një njoftimi, ku ka theksuar se në terren janë angazhuar rreth 130 forca operacionale vendore, ndërsa Forcat e Armatosura vijojnë të mbështesin operacionet me 90 efektivë dhe dy helikopterë.
Vatrat kryesore aktive janë në Dajt dhe Priskë të Tiranës, Lufaj të Mirditës, Tërbun–Gojan të Pukës dhe Shashicë të Selenicës.
Në Dajt, operacioni vijon me 50 efektivë të Forcave të Armatosura, 15 forca të Zjarrfikëses dhe 5 forca të AZM-së. Ndërkohë, në Priskë vijojnë të jenë të angazhuara forcat Zjarrfikëse. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në të dyja rastet nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Lufaj, vatra mbetet aktive me intensitet të ulët, ndërsa në terren vijojnë të jenë të angazhuara forcat e Shërbimit Pyjor dhe Zjarrfikëses. Edhe në këtë zonë nuk raportohet rrezik për banesat.
Situata më e rënduar paraqitet në Tërbun–Gojan të Pukës, ku era e fortë ka favorizuar përhapjen e flakëve. Forcat operacionale vijojnë ndërhyrjen në terren, ndërsa zjarrfikësit është përqendruar në mbrojtjen e banesave. Aktualisht, edhe këtu nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.
Ndërkohë, në Gurë-Lurë zjarri është shuar dhe zona vijon të mbahet nën monitorim. Në Qafë Helmes, vatra është izoluar dhe operacionet vijojnë me forcat lokale për shuarjen e plotë të flakëve.
Strukturat e Mbrojtjes Civile vijojnë angazhimin e koordinuar në të gjitha zonat e prekura, me prioritet mbrojtjen e jetës dhe banesave, si dhe izolimin e plotë të vatrave aktive.
Në Fushë-Lajë të Tërbunit, flakët po përpijnë gjithë sipërfaqen pyjore duke rrezikuar stanet dhe fshatrat Gojan i Vogël e Gjegjan. Prej dy ditësh, zjarri ka kaluar në pyjet e Kuzhnenit duke iu afruar staneve.
Një prej tyre është djegur, kurse 2 të tjerë rrezikohen. Bagëtitë janë evakuuar, ndërsa 3 helikopterë po punojnë për shuarjen e flakëve.
“Situata me zjarret boll keq është. Jemi detyruar të largojmë bagëtinë, kanë marrë masat, por është përhapur. Zjarr i fuqishëm shumë. Më ka dëmtuar bagëtitë, rrethimin.”
“Më shumë më dhimbset natyra sesa stani. Po kaloi rrugën, do të djegë gjithë fshatin. Është shumë i rrezikshëm për gjithë zonën”, thonë banorët.
Sipas specialistëve, mendohet të jenë rreth 120 hektarë të prekur, një pjesë e të cilëve pishë e zezë.









Komente
Komento