LEZHË- Nga kjo e premte, dy qendrat pritëse në Shëngjin dhe Gjadër janë gati për të pritur kontigjientin e parë të emigranteve. Nuk ka ende një datë se kur kryhet inaugurimi, megjithatë zyrtarët italianë të cilët kryen një inspektim në prani të ambasadorit Fabrizio Bucci thanë se strukturat janë pajisur me logjistike dhe personel.

Zona brenda kampit të Gjadrit do të monitorohet nga policia italiane e cila qëndron ndërmjet ambienteve të punonjësve dhe refugjatëve. Kapaciteti aktual nuk i kalon 400 vende, por kampi mund të zgjerohet në muajt në vazhdim.

Brenda këtij rrethimi, por të veçuar nga pjesa e tjetër e grupit do të vendosen refugjatët të cilëve u refuzohet azili dhe që nuk pranojnë të riatdhesohen. Autoritetet italiane do të përcaktojnë mënyrën e operimit, në këtë zonë, që ngjan me qelitë e burgut, 8 dhoma me nga 4 shtretër secili.

Këtu gjendet dhoma gjykimi sipas legjislacionit italian për refugjatet që kryejnë vepra penale dhe ruhet plotësisht nga policia italiane dhe pas tyre janë qelitë.

Edhe pse emigrantët e parë pritet të mbërrijnë për pak ditë, në kampin e Gjadrit do të vijohet me punime, pasi ka mbetur dhe 30 për qind e volumit pa përfunduar. Qendra ishte planifikuar të hapej më 1 shtator, por për shkak të vonesave në punime është shtyrë deri më sot.

Marrëveshja me Italinë për emigrantët u nënshkrua në muajin nëntor të vitit të kaluar mes Kryeministrave Rama Meloni dhe më pas u ratifikua nga të dyja parlamentet. Në vendin tonë u kërkua edhe një aprovim i Gjykatës Kushtetuese.