Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të vendosë gjatë ditëve të para të muajit shtator nëse anëtarja e dorëhequr e Gjykatës së Lartë, Mirela Fana, do t’i nënshtrohet apo jo procesit të Vetingut.
Trupa gjykuese që po shqyrton çështjen përbëhet nga Natasha Mulaj kryesuese, Rezarta Schuetz relatore dhe anëtarët Albana Shtylla, Ardian Hajdari dhe Sokol Çomo. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, me vendim numër nr 5, datë 23.03.2018 vendosi që të ndërpresë Vetingun për anëtaren e Gjykatës së Lartë, Mirela Fana, e cila dha dorëheqjen pikërisht për t’i shpëtuar kontrollit.
Ndërkaq, Komisioneri Publik i ka kërkuar Kolegjit të Apelimit rrëzimin e vendimit të KPK. Kolegji i Posaçëm i Apelimit do të vendosë në fillim të muajit shtator nëse do të rrëzojë vendimin e KPK apo do ta konfirmojë. Deri më tani, për një çështje të ngjashme, Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka konfirmuar vendimin e KPK.
Bëhet fjalë për vendimin e ndërprerjes së Vetingut për ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla, i cili u larguar nga drejtësia për t’i shpëtuar kontrollit të trefishtë. Megjithatë, dy anëtarë votuan kundër, duke kërkuar që Adriatik Llalla t’i nënshtrohej Vetingut. Gjithashtu, Kolegji i Apelimit ka lënë në fuqi edhe vendimin e KPK për shkarkimin nga detyra të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, Fatos Lulon, duke e larguar përfundimisht këtë të fundit nga drejtësia. Gjatë javëve në vijim, Kolegji i Apelimit do të marrë edhe disa vendim të tjera të rëndësishme.
Tashmë bëhet fjalë për kërkesën e Komisionerit Publik, për shkarkimin nga detyra të disa gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët janë konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Apelimit. Komisioneri Publik është vënë në lëvizje nga përfaqësuesit e Operacionit Ndërkombëtarë të Monitorimit, të cilët kërkojnë largimin nga detyra të kryetarit të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori, kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, gjyqtarit të Administratives Gentjan Medja, gjyqtarit të Krimeve të Rënda Artur Malaj dhe prokurorit të Krimeve të Rënda, Gentian Osmani.