Ish-gjyqtari i Apelit të Durrësit do të qëndrojë jashtë sistemit të drejtësisë për 15 vite. Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka lënë në fuqi vendimin e KPK për përjashtimin e tij për shkak të korrupsionit.

Madje Gjykata e Posaçme e Apelit e dënoi Petraq Dhimitrin me tre vite burg për korrupsion, por ish-gjyqtari përfitoi ulje me 1/3 e dënimit pasi kishte kërkuar gjykim të shkurtuar. 

Fillimisht Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nisi procesin e verifikimit për Dhimitrin në nëntor të vitit 2019 dhe në 6 korrik të 2020 e përjashtoi atë nga sistemi i drejtësisë për 15 vite.

Petraq Dhimitri së bashku me Kliton Spahiun dhe Petrit Çenon janë dënuar për korrupsion për një udhëtim të tetorit 2014 drejt Spanjës, për të parë ndeshjen e futbollit midis Real Madridit dhe Barcelonës me shpenzimet e një biznesmeni shqiptar, Namik Sadikut, për të marrë një vendim gjyqësor në favor të tij.

Edhe ky i fundit i dënuar me 1 vit burg. Por para udhëtimit që i vuri pas hekurave, një tjetër udhëtim, edhe më i dyshimtë, ishte bërë nga dy prej gjyqtarëve (Spahiu dhe Dhimitri), më 2 tetor të 2014-ës, 22 ditë para udhëtimit për Madrid.

Dy gjyqtarët Klinton Spahiu, Petraq Dhimitri dhe biznesmeni Namik Sadiku, kanë udhëtuar nën shoqërinë e Artan Shqypit drejt Italisë, ku kanë qëndruar për tre ditë në shtëpinë e Ferdinando Mullos, një prej anëtarëve të rëndësishëm të organizatës mafioze “Camorra”,  i dënuar me 12 vjet e 6 muaj burgim për akuzën e vrasjes së ortakut të tij në një biznes në Itali, Salvatore Ridosso.