Ditën e sotme është miratuar projektligji për Vetingun në Policinë e Shtetit, i cili do të prekë rreth 13 mijë punonjës, për këtë në një intervistë për Report Tv, zv.ministrja e brendshme Rovena Voda ka thënë se ky proces është paraqitur si një nevojë pas një analize të thelluar në këtë institucione.

“Miratimi i këtij projektligji erdhi pas një analize të thelluar në këto institucione dhe për të patur punonjës me integritet dhe me performancë sa më të lartë”, u shpreh Voda.

Voda u shpreh se ky projektligj është miratuar pas një konsultimi me bazë të gjerë në institucionet që do të preken dhe konsultimit me partnerët.

“Për sa i përket partnerëve ndërkombëtarë, ata do të kenë një rol këshillues duke filluar që nga përzgjedhja e anëtarëve të Komisionit të Jashtëm si dhe në vëzhgimin e këtij procesi”, tha Voda për Report Tv.

Zv.ministrja e brendshme u shpreh se edhe qytetarët mund të japin ndihmën e tyre në vetingun në Policinë e Shteti, duke dhënë sugjerimet e tyre.

E pyetur në lidhje me deklarimin e pasurisë që do ti ushtrohet, çdo punonjës dhe nëse pasuria e tyre është e ardhur nga bashkëpunimi me krimin dhe abuzimi me detyrën, Voda u shpreh se, “Mendoj se gjatë kësaj kohe është hedhur baltë mbi policinë e shtetit, pasi në 2017 pati një performancë të lartë të policisë në luftën kundër kanabisit. Por ne kërkuam që ky të Veting të ishte sa më i thellë prandaj dhe kërkuam edhe deklarimin e pasurisë nga ana e punonjësve”.

Projektligji i miratuar sot nuk është një fshesë në radhët e policisë së shtetit është shprehur zv.ministri i Brendshëm Hodaj.

Ky proces do të prek Policinë e Shtetit, Gardën e Republikës dhe SHÇBA-në. 

Er.K/Shqiptarja.com