Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi sot me shumicë votash pushimin e shqyrtimit të çështjeve të dy prokurorëve, Gentian Habazaj dhe Ylli Pjetërnikaj, pasi SPAK, që përfaqëson Komisionerin Publik në Vetting-un e KPA-së, në fund të procesit gjyqësor, kërkoi lënien në fuqi të vendimit të konfirmimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.  

Gjatë arsyetimit të vendimit, kryesueset respektive, gjyqtarja Ina Rama dhe Natasha Mulaj sqaruan se kërkesa për lënien në fuqi të vendimit të Komisionit dhe moskundërshtimi i tij nga ankuesi barazohet me heqjen dore nga ankimi.

Për këtë arsye, Kolegji vendosi pushimin e shqyrtimit të çështjes, duke arsyetuar se kjo i jep formë të prerë vendimit të konfirmimit të KPK-së.

Dy njoftimet e KPA

Njoftim vendimi

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë nga Ina Rama kryesuese, Natasha Mulaj relatore, Albana Shtylla, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 12/2024, datë 29.03.2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 736, datë 31.01.2024, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Gentian Habazaj.

Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 4, pika 6 të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, dhe në nenet 451, shkronja “b” e 463 të Kodit të Procedurës Civile, me shumicë votash, vendosi:

Pushimin e shqyrtimit të çështjes (JR) nr. 12/2024, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 736, datë 31.01.2024 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për subjektin e rivlerësimit Gentian Habazaj.

Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

U shpall sot, më datë 17.10.2025, në Tiranë.

Njoftim vendimi

Trupi gjykues i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, i përbërë Natasha Mulaj kryesuese, Albana Shtylla relatore, Ina Rama, Mimoza Tasi, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen nr. 37/2023, datë 02.08.2023, që i përket ankimit të Komisionerit Publik kundër vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, nr. 650, datë 27.4.2023, që lidhet me subjektin e rivlerësimit Ylli Pjetërnikaj.

Në përfundim të gjykimit, trupi gjykues, bazuar në nenin 4, pika 6 të ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, dhe në nenet 451, shkronja “b” e 463 të Kodit të Procedurës Civile, me shumicë votash, vendosi:

Pushimin e shqyrtimit të çështjes (JR) nr. 37/2023, për ankimin e Komisionerit Publik kundër vendimit nr. 650, datë 27.04.2023 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, që i përket subjektit  të rivlerësimit Ylli Pjetërnikaj.

Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm.

U shpall sot, më datë 17.10.2025, në Tiranë.