Vetting në drejtësi, ekonomia dhe administrata, Zaev prezanton programin e qeverisë së re maqedonase

Vetting në drejtësi, ekonomia dhe administrata, Zaev prezanton programin e qeverisë së re maqedonase

TIRANE-Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev prezantoi programin qeverisës për 4 vitet e ardhshme.  Prioritet lufta kundër korrupsionit. Zaev paralajmëroi edhe reforma në administratën publike nëpërmjet shkurtimit për 20 për qind. Ai gjithashtu tha se në programin katërvjeçar të qeverisë është prioritet edhe vetingu në gjyqësor dhe ndërtimi i shtetit të së drejtës.

"Do të shqyrtojmë disa modele për reforma në administratë dhe shkurtimin për 20 për qind me riorganizim, pensionim dhe transferimin në sektorin privat. Gjykatësit për të cilët do të dëshmohet se qëllimisht dhe me vetëdije kanë vjetërsuar lëndë, do të shkarkohen. Lëndët e Prokurorisë Speciale Publike patjetër të marrin epilog. Vendosim sistem të kontrollimit të pasurisë së gjithë funksionarëve.

Qeveria e re është e përkushtuar në marrëveshjet e Prespës dhe atë me Bullgarinë, të cilat e bënë të mundur. Do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Do të vazhdojmë me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, e cila është baza e bashkëjetesës ndëretnike. Përpara nesh është një periudhë në të cilën si shtet do të marrim shumë më tepër sesa do të japim.

Ne jemi të përkushtuar të hapim 80 përqind të kapitujve të negociatave në katër vitet e ardhshme – tha Zoran Zaev-Kryetar i LSDM-së. Qeveria e re, të cilën do ta udhëheqë lideri i LSDM-së, Zoran Zaev do të ketë 19 ministra, 7 ministri më pak se qeveria aktuale. LSDM-ja do të ketë 11 ministri dhe 6 do të jenë për partinë shqiptare BDI e Ali Ahmetit

Prioritetet e qeverisë së re të Maqedonisë

Ekonomi

Në program Qeveria bën të ditur se do të vazhdojë me angazhimet e saj – rritje të pagës minimale deri në fund të mandatit në vlerë prej 20 deri në 40 për qind i rritje të pagës mesatare deri në fund të mandatit prej 20 deri në 30 për qind, varësisht gjatësisë dhe ndikimit të epidemisë ndaj ekonomisë botërore dhe vendore.

Qeveria angazhohet se shkallën e papunësisë gjatë krizës do ta mbajë të qëndrueshme, ndërsa pas përfundimit të krizës dhe deri në fund të mandatit do të vazhdojë ta ulë papunësinë në nivel prej tre për qind në vit, me çka qëllimi është që pas fundit të krizës, papunësia të jetë në numër njëshifror.

Qeveria parasheh rikonfigurim të TVSH-së përmes sjelljes së Ligjit të ri për tatim të vlerës së shtuar përmes të cilit do të mundësohen përfitime tatimore për ndërmarrjet të cilat janë të orientuara kah eksporti në atë mënyrë që gjatë importit nuk do të paguajnë TVSH për lëndët e para dhe makinat të cilat janë të dedikuara për eksport. Shkallë të vetme prej 10 për qind të TVSH për të gjitha shërbimet e restoranteve, revidim të shkallës së tatimit të vlerës së shtuar për lëndët e para për prodhuesit vendorë dhe ulje të shkallës së TVSH-së për prodhuesit bujqësorë dhe ulje të shkallës së TVSH-së për lëndët e para për kompanitë e orientuara kah eksporti, ulje prej 18 në pesë për qind të TVSH për shërbimet artizanale, ngritje të pragut për pagesë të TVSH-së prej 2 milionë në 3 milionë qarkullim vjetor prej 01.01.2022 dhe barazim me pragun e lirimit të tatimit të fitimit deri në 3 milionë denarë qarkullim vjetor.

Qeveria do ta vazhdojë projektin “TVSH-jaIme” dhe do ta rrisë limitin për individ në 2.300 denarë për një tremujor dhe 9.200 denarë në vit, gjegjësisht në 36.800 denarë për një familje katër anëtarëshe.

Në pjesën ekonomike të programit ka plane të cilat do të kontribuojnë për përmirësim të klimës së biznesit para së gjithash në pjesën e ndërmarrjeve mikro dhe të vogla. Në program qëndron se do të mundësohet që firma të themelohet me vetëm një euro dhe në dy vitet e para të punës të mos paguhet taksë për firmë. Është paralajmëruar edhe ulje drastike e çmimeve për dhënie të dokumenteve nga Regjistri Qendror, dogana dhe institucione të tjera. Me këtë masë qytetarët kanë mundësi që të themelojnë firmë me shpenzime minimale.

Në industrinë TI deri në vitin 2023 nuk do të paguhet tatim personal, me atë që heqja e tatimit do të bëhet gradualisht edhe atë nga viti i ardhshëm pesë për qind, pastaj tre për qind, që në vitin 2023 të arrijë zero, gjegjësisht të hiqet. Tatimi i të ardhurave personale mbetet në 10 për qind me mundësi për vendosje të sërishme të tatimit progresiv, ndërsa do të vendoset edhe tatim i luksit, si dhe tatim të ri të fitimit gjatë pagesës së lojërave të fatit prej katër për qind nga bruto vlera e paguar, të cilin do ta paguajnë organizatorët.

Qeveria planifikon edhe ligj për falimentim personal, ligj për ndalesë për hapjen e kazinove dhe lojërave të fatit në afërsi të shkollave, kopshteve dhe objekteve fetare.

Politika sociale

Në programin e Qeverisë qëndron se qëllimi i saj është çrrënjosja e varfërisë së fëmijëve dhe të arrihet përfshirje prej 60 për qind e fëmijëve prej 3 deri në 6 vjet në kujdesin dhe edukimin parashkollor deri në fund të vitit 2024. Qeveria do t’i analizojë mundësitë për të sjellë arsim të detyrueshëm parashkollor, ndërsa për të gjithë fëmijët nga familjet me të ardhura të ulëta do të sigurojë kujdes falas.

Në program qëndron edhe se pensioni i ri minimal do të jetë të paktën 10.700 denarë për të gjithë, ndërsa do të krijohet mundësi për blerje të stazhit me qëllim që të arrihet e drejta e pensionit. Në program qëndron se do të mundësohet sistem fleksibil pensional me mundësinë për pensionim të parakohshëm deri në maksimum pesë vite para realizimit të të drejtës së pensionit, me vlerë proporcionale të ulur të pensionit të rregullt.

Arsim

Sa i përket arsimit, Qeveria angazhohet që të investojë në potencialin njerëzor, gjegjësisht në përmirësimin e mësuesve, me çka do të mundësojë zhvillim të vazhdueshëm profesional të mësuesve përmes trajnimeve falas nga provajderët e akredituar, ndërsa njohuritë e arritura do të zbatohen gjatë realizimit të përmbajtjeve mësimore. Mësuesit të cilët në vazhdimësi do të mësojnë dhe do të rikualifikohen do të marrin edhe më shumë të ardhura, sipas rregullores së ndryshuar për paga dhe kompensime.

Qeveria premton se do të sjellë Strategji Kombëtare për digjitalizim të sistemit arsimor, me çka do të definohet mësimi në distancë si alternativë e mundshme për mësim me zbatim të mjeteve për komunikim elektronik pa prani fizike të akterëve.

Qeveria do të promovojë politika të respektimit të ndërsjellë dhe shfaqje të dallimeve nga përkatësia etnike dhe kulturore si përparësi e shoqërisë sonë, qëndron në program. Në njëzetvjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, ndërsa në emër të kohezionit të brendshëm, 13 Gushti do të shpallet Dita e Marrëveshjes së Ohrit dhe e njëjta do të shënohet, shtohet në programin qeveritar.

Qeveria do të propozojë Ligj të ri për shqetësim në vendin e punës (mobing) që do të mundësojë mbrojtje të vërtetë dhe efikase të punëtorëve nga mobingu dhe do të propozojë ratifikimin e Konventës për dhunë dhe shqetësim dhe rekomandimet për dhunë dhe shqetësim, të organizatës ndërkombëtare të punës të miratuar në vitin 2019.

Qeveria angazhohet se do të luftojë kundër dallimeve gjinore në paga përmes krijimit të politikave dhe masave për punësim të cilat do të ndikojnë ndaj uljes së mos aktivitetit të grave në tregun e punës, politika të cilat e rregullojnë mungesën e prindërve, ruajtjen e vendit të punës, orarin fleksibil të punës dhe orarin e shkurtër të punës dhe vende të punës të cilat janë të përshtatshme për nënat, rritje të qasjes në kopshte veçanërisht në rajonet rurale dhe rritje të numrit të shtëpive për të moshuar në të gjitha rajonet.

Në program qëndron edhe se do të vendoset koncept i ri për siguri në komunikacion “Qytete të sigurta” (Safe City), veçanërisht në qendrat urbane, që nënkupton rregullim të qartë dhe rigoroz të shpejtësive në vendbanime, vendosjen e sistemit të kamerave për kontroll të respektimit të rregullave dhe shpejtësive, automatizim i plotë të procesit të dënimeve dhe lidhje të gjobave me regjistrimin e automobilit.

Gjyqësori dhe lufta kundër korrupsionit

Në program Qeveria thekson se është i nevojshëm “veting” efikas dhe objektiv në gjyqësor. Hapi i parë për veting tashmë është bërë me kompetencën e KSHPK-së që ta hetojë gjendjen pronësore të gjykatësve dhe prokurorëve publikë. Kontrollimi mund ta përfshijë edhe të kaluarën personale dhe profesionale, profesionalizmin dhe rezistencën e ndikimit të grupeve të interesit, qëndron në program.

Qeveria, siç bëhet e ditur, do të përkushtohet në sigurimin e monitorimit të BE-së në lëndët gjyqësore të korrupsionit të lartë sa më shpejtë që është e mundur.

Në programin e Qeverisë bëhet e ditur edhe se do të ulen taksat gjyqësore, ndërsa në procedurat gjyqësore në të cilat paditet shteti për shkeljen e të drejtave të qytetarëve, taksat gjyqësore do të paguhen vetëm pas përfundimit të procesit, nëse gjykata përcakton se nuk ka pasur shkelje të tyre.

Qeveria angazhohet se do t’i ulë privilegjet e funksionarëve publikë, me qëllim që të parandalohet keqpërdorim i funksionit për interesa personale, ulje të shpenzimeve të buxhetit dhe rritje në efikasitetin e kryerjes së funksionit. Do të propozohet edhe detyrim ligjor për publikim të të gjitha shpenzimeve zyrtare të të gjithë funksionarëve në pushtetin ligjvënës, ekzekutiv, lokal dhe gjyqësor.

Qeveria do të propozojë që krahas vetingut në gjyqësor të krijohet sistem efikas i kontrollimit të origjinës së parave dhe kapitalit te secili ish funksionar dhe funksionar aktual, sipas praktikave më të mira të BE-së.

Qeveria do të propozojë ndryshime në Kodin Zgjedhor me të cilin do të vendoset parimi i listave të hapura që në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Reforma në administratë

Qeveria në program parasheh se administrata publike duhet të sigurojë shërbime digjitale, si opsion i detyrueshëm dhe se nuk guxon të kërkojë nga qytetarët dhe bashkësia afariste asnjë informacion ose të dhënë, i cili tashmë është siguruar dhe duhet të dizajnojë shërbime publike të cilat për nga definicioni janë gjithëpërfshirëse dhe i përmbushin nevojat e grupeve të ndjeshme, siç janë të rriturit dhe personat me nevoja të veçanta.

Në program qëndron se në gjashtë muajt e parë, do të shpërndahen dhe do të nisin me punë të gjithë ata që janë punësuar në bazë të Marrëveshjes së Ohrit në institucionet shtetërore përderisa institucionet do t’i miratojnë kërkesat e të punësuarve për njohjen e arsimit sipas ndryshimeve të fundit në Ligjin për të punësuarit në administratën publike dhe sektorin publik.

Qeveria premton se përkatësia etnike nuk do të keqpërdoret gjatë punësimeve.

Mbrojtja e mjedisit jetësor

Qeveria në programin e saj thekson disa prioritete për mbrojtje të mjedisit jetësor. Deri në vitin 2024 asnjë institucion shtetëror nuk do të ngrohet me sisteme të vjetra dhe joekologjike për ngrohje. Deri në fund të vitit 2020 synohet që të vendoset kontroll 24/7 të Inspektoratit Shtetëror për Mjedis Jetësor dhe inspektorateve lokale. Do t’i ashpërsojë dënimet vetëm në sferën e mbrojtjes së mjedisit jetësor për shkak të përvojës së keqe nga mosazhurnimi i institucioneve dhe udhëheqja burokratike e procedurave.

Për ata të cilët jashtëligjshëm e ndotin mjedisin jetësor dhe e rrezikojnë shëndetin për fitim, Qeveria paralajmëron edhe përgjegjësi penale.

Dy vitet e para të mandatit do t’i përkushtohen gjelbërimit intensiv në shtet, ndërsa veçanërisht qytetet më të ndotura. Në vitin 2020 Qeveria paralajmëron se do ta miratojë Planin Kombëtar për parandalim të mbeturinave si qëllim kombëtar dhe politikë për krijim, ulje, përdorim të sërishëm dhe riciklim të mbeturinave (2020-2026), qëndron në program.

Politika e jashtme, NATO dhe BE

Qeveria në program angazhohet se qëllimi i politikave të saja do të jetë që t’i miratojë standardet dhe vlerat evropiane në vend dhe t’iu sigurojë qytetarëve mënyrë evropiane të jetës.

Qeveria planifikon që t’i përmbyllë negociatat sa më shpejtë dhe të bëhet anëtare e BE-së gjatë valës së parë të ardhshme të zgjerimit. Deri në vitin 2024 në mandatin e kësaj Qeverie, planifikon të hapë 80 për qind të kapitujve dhe të jetë të paktën në nivel të njëjtë të integrimit me shtetet e Ballkanit Perëndimor të cilët për momentin po negociojnë për anëtarësim me BE-në, qëndron në program.

Të gjitha fondet pa dallim të sferës në të cilën dedikohen do të shfrytëzohen për përforcim dhe reformë të institucioneve dhe politikave, për avancim të dialogut me të gjithë faktorët dhe do të matet ndikimi i tyre ndaj përfshirjes sociale, barazisë gjinore, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe mbrojtjes së mjedisit jetësor, qëndron në program.

Qeveria ka për qëllim që fondet e BE-së t’i afrojë më afër qytetarëve, kjo nënkupton se krahas institucioneve shtetërore, mjetet e reja nga IPA 3 do t’i sigurojnë edhe për komunat, shkollat, sindikatat, grupet e margjinalizuara, punëdhënësit, të papunët, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, organizatat qytetare, universitetet dhe institucionet hulumtuese,e madje edhe për grupet joformale të qytetarëve, thuhet në program.

Qeveria do të hapë gjashtë vendkalime të reja kufitare me fqinjët me qëllim që të sigurohet komunikim më i lehtë i vendeve kufitare edhe atë Strezimir-Restelicë (me Kosovën), Majden-Promahi dhe Matrkova Noga (me Greqinë), Klepallo (me Bullgarinë), Llojan – Miratovc dhe Golesh-Bosiligrad (me Serbinë) dhe Xhepishtë-Trebishtë (me Shqipërinë).

Qeveria do të ngre iniciativë për Qendër Rajonale për Dialog – Forumi i Prespës, prej ku do të dalin iniciativa të reja për bashkëpunim rajonal.

Qeveria, siç bën të ditur në program, do të vazhdojë të investojë në rrjetin cilësor diplomatik, ndërsa në Sektorin e diplomacisë publike do të bëhet përgatitje konkrete dhe thelbësore e kuadrit diplomatik me elemente për veprimin e tyre diplomatik në drejtim të diplomacisë publike, kulturore dhe ekonomike.

Në program qëndron se do të favorizohen e-Ambasada, do të digjitalizohen shërbimet e bashkëqytetarëve tanë të cilët udhëtojnë jashtë vendit, ose janë në qëndrim të përkohshëm dhe të përhershëm jashtë Republikës së Maqedonisë së Veriut përmes vendosjes së aplikacionit “e-Ambasada” me qëllim që PDK-të tona me kohë t’iu dalin në ndihmë nevojave, kërkesave të bashkëqytetarëve tanë.

Sa i përket mbrojtjes, Qeveria angazhohet se do të vazhdojë me financim stabil të mbrojtjes dhe arritjen e dy për qind të BPV-së për buxhetin e mbrojtjes deri në vitin 2024 përmes rritjes për 0,2 për qind të BPV-së për çdo vit.

Në pjesën e dokumenteve strategjike, qëndron në program, fokusi kryesor do të jetë në Planin caqeve në mbrojtje i cili i definon planet tona zhvillimore dhe aktivitetet në përputhje me procesin e planifikimit të mbrojtjes në NATO – NDPP – NATO defence planning process.

Më tutje, Qeveria planifikon që në bashkëpunim me universitetet në vend, të vendosë linjë buxhetore në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes për përkrahje të projekteve shkencore me interes të mbrojtjes.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë