Nëntë ish-magjistratë të shkarkuar nga vettingu, i kërkojnë gjykatës Kushtetuese rikthimin e tyre në sistem. Ndërsa për të paktën 4 prej tyre, ka qenë Gjykata e Strasburgut ajo që ka sugjeruar rihapjen e procesit për ta, të tjerët duket se thjesht po ritentojnë fatin, tani që Kushtetuesja ka trashëguar kompetencat e Kolegjit të Posaçëm të Apelit

Në qershor të vitit 2026, Komisioni i Posaçëm i Apelimit, i njohur si shkalla e dytë dhe më e lartë e vettingut, përfundoi misionin e tij. KPA konsiderohej si Dhomë e Gjykatës Kushtetuese, e për këtë arsye, kompetencat e saj i kanë kaluar kësaj Gjykate.

Deri më tani janë të paktën 9 ish gjyqtarë e prokurorë që kanë kërkuar rishikimin e vendimeve të KPA-së. Katër prej tyre, në fakt kanë në duar vendime të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, e cila ka konstatuar shkelje të ndryshme në procesin që çoi në shkarkimin e tyre, duke sugjeruar rishqyrtim të çështjeve.

Në këtë listë bën pjesë ish gjyqtari i Apelit Ervin Metalla, ish drejtuesi i Prokurorisë së Apelit Durrës, Ferdinand Elezi, ish prokurori Gentjan Osmani, si dhe ish kryetari i Gjykatës së Pukës Izet Kadana. Ky i fundit, i shkarkuar me probleme në të tri kriteret, përfitoi nga fakti se në trupën Gjykuese ndaj tij kishte marrë pjesë Luan Daci, i dënuar më pas nga Gjykata e Posaçme për falsifikimin e dokumenteve që i mundësuan përzgjedhjen në KPA. Për këtë arsye, Strasburgu kishte vlerësuar shkelje të “së drejtës për një gjykim të drejtë nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme e krijuar me ligj”

Gjykata europiane për të Drejtat e Njeriut, i ka dhënë të drejtë dhe ish gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Shkëlzen Selimi, me arsyetimin se gjatë procesit nuk ishte informuar për akuzat e ngritura ndaj tij. Por në këtë rast, nuk rezulton të ketë sugjeruar rihapjen e procesit. Megjithatë Selimi ka kërkuar që e gjithë procedura ndaj tij të rishqyrtohet nga fillimi për të tri kriteret e rivlerësimit.

Dhe janë të paktën 3 ish gjyqtarë që janë ankuar në Kushtetuese kundër vendimit të KPA-së: Bledar Avdullai ish gjykatës në Tiranë, i cili madje e ka paraqitur dy herë kërkesën me të njejtin objekt, Alltun Çela ish kryetari i Gjykatës së Sarandës, dhe Luan Hasneziri ish gjyqtar i krimeve të Rënda.

Rishikimi i vendimit, sipas praktikës së KPA, mund të kërkohet, nëse zbulohet një shkak i ri. Dhe pikërisht kjo klauzolë duket se është shfrytëzuar nga ish kryeprokurorja e Tiranës Elizabeta Imeraj.

Në listën e çështjeve drejtuar Kushtetueses, është dhe një kërkesë e SPAK-ut i cili ka marrë edhe funksionet e ish Komisionerit publik në procesin e Vettingut. SPAK kërkon shqyrtimin e vendimit të KPK që kishte lënë në detyrë prokuroren Elona Alvora. Konfirmimi i saj ishte kundërshtuar nga Komisionerja e atëhershme Irena Nino.

Por KPA, në korrik të vitit të shkuar kishte vendosur pezullimin e Alvorës nga detyra, dhe dërgimin e saj pranë Shkollës së Magjistraturës për trajnim për një periudhë 1 vjeçare. Një vendim i tillë ishte sugjeruar në atë proces dhe nga Adnand Xholi, si përfaqësues i SPAK-ut. Tani kur periudha e trajnimit të prokurores ka përfunduar pritet të shihet se cili do të jetë vendimi, për fatin e saj në radhët e Drejtësisë.