Vettingu, BE i përgjigjet sulmeve
të PD: Dënojmë akuzat e rreme

Vettingu, BE i përgjigjet sulmeve<br />të PD: Dënojmë akuzat e rreme
Bashkimi Europian ka reaguar ashpër pas akuzave të ngritura nga Partia Demokratike se ligji i vettingut, i cili iu përcoll Komisionit të Venecias nga Gjykata Kushtetuese, u përkthye gabim qëllimisht nga misioni i EURALIUS dhe zyra e delegacionit të BE-së në Tiranë. 

Maja Kocijançiç, Zëdhënëse për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë e BE-së dhe për Politikën e Fqinjësisë dhe Negociatave të Zgjerimit thotë se transmetimi i përkthimeve zyrtare të çdo dokumenti është përgjegjësi vetëm e atyre institucioneve shqiptare që i paraqesin ato para Komisionit të Venecias.

Në deklaratën e saj, Koncijançiç thotë se BE dënon akuzat e rreme në adresë të Brukselit, ndërsa i cilëson ato si tendencë për të vonuar zbatimin e reformës në drejtësi. 
 
"BE dënon përhapjen publike të akuzave të rreme që pretendonin se EURALIUS dhe Delegacioni i BE-së janë përfshirë në gabime që supozohen të qëllimshme në përkthimin anglisht të legjislacionit shqiptar që i është dërguar për shqyrtim Komisionit të Venecias.

Shqiptarët mbështesin në shumicë dërrmuese reformën tërësore të drejtësisë që përfshin procesin e rivlerësimit (vettingun). Veprimet apo deklaratat, të cilat në mënyrë artificiale synojnë të krijojnë konfuzion, duket se kanë të vetmin qëllim që të mundohen të vonojnë zbatimin e reformës së drejtësisë, përfshirë rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
 
BE-ja është e vendosur të vazhdojë të sigurojë gjithë asistencën e nevojshme që qytetarët e Shqipërisë të kenë qasje në një sistem drejtësie të besueshëm dhe të përgjegjshëm"
, thuhet në deklaratën e zëdhënëses së Bashkimit Europian.

Partia Demokratike ka ngritur pretendime më herët se përkthimi i ligjit të Vettingut nga anglishtja, rezultonte me gabime. Një deklaratë të tillë e ka përforcuar edhe më tepër sot, nënkryetari demokrat i komisionit të posaçëm të reformës në drejtësi, Oerd Bylykbashi. Sipas tij, PD ka prova të "forta" që ligji i vettingut është dërguar në Komisionin e Venecias me gabime të qëllimshme. 


Redaksia Online
l.q/Shqiptajra.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Refuzoi gjobën, i riu dhunon efektivin e policisë në Ksamil! Shpallet në kërkim, shoqërohet i vëllai

Refuzoi gjobën, i riu dhunon efektivin e policisë në Ksamil! Shpallet në kërkim, shoqërohet i vëllai