Mijëra metra tokë buzë detit, kontratë fiktive dhe apartament me kredi/ Vettingu dhe ONM ‘gozhdojnë’ prokurorin e Durrësit

TIRANË- Pas gati një muaj shkëputje ka rinisur procesi i Vetting-ut me prokurorin pranë Gjykatës së Apelit në Durrës, Bujar Hoti. Trupa gjykuese e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit e përbërë nga Lulzim Hamitaj, Brunilda Bekteshi dhe Olsi Komici ka shqyrtuar dosjen e Hotit. Avokati përfaqësues i Hotit në këtë seancë ishte Julian Mërtiri. Vetë Hoti ndodhej në seancën dëgjimore, e cila po vazhdoi pa praninë e mediave.

Në këtë seancë pritet të bëhet shqyrtimi dhe prezantimi i rezultateve të hetimit ndaj Hotit. Hetimi i KPK-së është zhvilluar në tre shtylla, deklarimi pasuror, aftësitë profesionale dhe pastërtia e figurës.

Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta, raporton se KPK ka prezantuar rezultatet e hetimit për Hotin, ku sipas raportit në ILDKPI, Hoti ka bërë deklarim të saktë pasuror, dhe s’ka fshehur pasurinë.

Sipas raportit të ILDKPI-së, Hoti ka burime të ligjshme pasurore.

Pasuria e prokurorit të Durrësit, Bujar Hoti

KPK ka kryer një hetim të ndarë dhe të thelluar, ku është gjetur se prokurori Hoti, ka në pronësi një apartament banimi 157 m2, dhe shtesë 30 m2, në qytetin e Durrësit, me vlerë 4 milionë e 400 mijë lekë, i blerë me kredi. Sipas KPK-së, Hoti ka në pronësi një automjet tip Audi A4, blerë për 6500 euro.

Hoti ka në pronësi një tokë arë 4 mijë m2 në Spitall në Durrës, fituar nga ligji 7501, dhe një zyrë noteriale me sipërfaqë 41.3 m2 dhe një shtesë prej 19.6 metra katrorë. Bashkëshortja e Hotit ka patur të ardhura si notere nga viti 2003 deri në vitin 2016, në rreth 43 milionë lekë. Prokurori Hoti nga viti 2003 deri në vitin 2016 ka patur të deklaruara të ardhura në shifrën e 22 milionë lekëve. KPK deklaron se për njërin nga fëmijët e Hotit është paguar një tarifë për shkollimin në Universitetin e Oxfordit, në Angli.

Sipas hetimit të KPK-së, apartamenti në pronësi të Hotit prej 157 m2 është porositur në vitin 2004, për një vlerë prej 70 mijë euro. E njëjta gjë ka rezultuar edhe për një garazh, kontrata për të cilin është revokuar. Sipas KPK-së, Hoti për apartamentin prej 157 m2 ka paguar 68 mijë euro.

Sipas KPK-së, Hoti ka kryer deklarim të një çmimi fiktiv shitjeje për këtë apartament. Hoti ka paraqitur gjithashtu një kontratë fiktive, pasi për shtesën prej 30 m2 nuk provohet pagesa siç pretendon prokurori.

KPK ka thënë se përsa i përket 4 mijë m2 tokë në Spitall, Durrës, familja e Hotit është larguar nga Qerreti në Durrës që në vitin 1990 dhe sipas ligjit, nuk duhet të përfitonte më tokë, pasi ka përfituar një banesë në Durrës. Në këto kushte, sipas ligjit 7501, deklaron KPK, prokurori Hoti, s’mund të përfitonte më tokë. Gjithashtu, KPK sqaron se toka nuk është tokë bujqësore, pasi ndodhet shumë pranë detit. KPK ka kërkuar informacion nga prefektura, por ende nuk është marrë një përgjigje. Sipas KPK-së, Hoti nuk e ka deklaruar që prej fillimit shtesën e bërë në një apartament në pronësi të bashkëshortes. Edhe për këtë kontratë, Hoti rezulton se ka paraqitur të dhëna fiktive.

Sipas KPK-së, shtëpia e banimit në plazhin e Durrësit, është deklaruar se është blerë me kredi për 93 mijë euro. Por ende, për këtë pasuri s’ka një hipotekë, përveç një kontrate sipërmarrjeje.

Në deklaratën e Vetting-ut, thuhet se në tetor të vitit 2007, ky apartament është shlyer me 23.900 euro. Ndërkohë që me të njëjtën kompani, prokurori ka bërë dhe dy kontrata për 2 apartamente të tjera. KPK sqaron se këtë kontratë për 2 apartamente, prokurori e paraqiti në bankë dhe fitoi kredinë.

I pyetur nga KPK, për këtë, prokurori Bujar Hoti, thotë se firma ka bërë një lapsus dhe se ai s’ka firmosur dy kontrata të dyta me firmën.

KPK sqaron se sërish, prokurori ka paraqitur një kontratë fiktive me qëllim përfitimin e kredive. Po ashtu, Hoti nuk ka treguar destinacionin real për 68 mijë euro.

Bashkëshortja e prokurorit, ka udhëtuar në SHBA dhe Austri. Pagesat për këto udhëtime, sipas KPK-së, nuk janë të justifikuara, megjithëse është deklaruar se udhëtimin në SHBA ia ka paguar motra, dhe atë në Austri, dhoma e noterëve.

Aftësitë profesionale të prokurorit të Durrësit, Bujar Hoti

KPK sqaron se sipas raportit të DSIK, (Drejtoria e Informacionit të Klasifikuar), prokurori Bujar Hoti është i përshtatshëm për të vazhduar detyrën e tij si prokuror. KPK deklaron se sipas raportit të dërguar nga prokuroria e Përgjithshme, prokurori Hoti, ka aftësi për të kryer procedura hetimore, njeh ligjin dhe është i vlerësuar shumë mirë.

Vendimi për Hotin do të jepet më 10 shtator, ora 10:00.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:36
“Shkuat për të blerë bukë dhe kek tek kasapi”, përfaqësuesi i ONM-së replikon me prokurorin Hoti

Gjatë seancës dëgjimore të KPK-së, përfaqësuesi i Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Teo Jacobs, ka replikuar me prokurorin Hoti, ku i ka thënë se Hoti, po përpiqet të shesë këtë skenar panelit të KPK-së.

Replikat e ONM-së me Hotin:

Teo Jacobs: Unë do shkojë për të blerë bukë dhe kek, por do shkoj t’i blej tek kasapi. Zoti Hoti, ju po përpiqeni t’ia shisni këtë skenar panelit. Këtu duhen thënë të vërteta. Ju s’keni patur kursime dhe thoni që në vitin 2007, përdorët kursimet e vitit 2005, që nuk i deklaruat në vitin 2006. Morët një kredi prej 70 mijë euro, dhe kjo kredi kaloi në llogarinë personale të administratorit të kësaj kompanie.

Julian Mërtiri, avokati i Hotit: Kërkoj që pyetjet e përfaqësuesit të ONM të shkruhen në kontekstin e realitetit shqiptar.

Prokurori Bujar Hoti: Kam 32 vite që punoj si hetues. Askush s’ka kurajo të më kërkojë anën morale dhe ekonomike. Kam standart dhe jam përplasur me grupe kriminale të ndryshme. Kam mbuluar mbi 60% të Shqipërisë, dhe për këto jam shpërblyer. Moto kam vetëm punën, e s’kam asnjë vërejtje apo ankesë.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Armando Broja luan 20 minuta, Everton ndal Cityn 1-1 në Manchester! Haaland shpërdoron penalltinë në 'Boxing Day'

VIDEO/ Armando Broja luan 20 minuta, Everton ndal Cityn 1-1 në Manchester! Haaland shpërdoron penalltinë në 'Boxing Day'