Rreth 12 mijë punonjës policie do t’i nënshtrohen procesit të Vetingut gjatë viti 2018. Uniformat blu do të kalojnë në një skaner të trefishtë për integritetin, ligjshmërinë e pasurive që posedojnë dhe profesionalizimin.

Nëse ligjshmëria e pasurisë është komponenti bazë i Vetingut në drejtësi, lidhjet me krimin do të jetë baza e Vetingut në Polici. Në kuadër të këtij procesi, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj zhvilloi dje një takim me kreun e ILDKP-së, Shkëlqim Ganaj, Avokatin e Popullit, Erinda Ballancën dhe drejtues të tjerë të organeve ligjzbatuese, në godinën e Ministrisë së Drejtësisë.

Në takim morën pjesë edhe përfaqësues të Shoqërisë Civile, nga Pedagogjia, përfaqësuese nga SHISH, Garda e Republikës, deputetët të Komisionit të Sigurisë dhe Komisionit të Ligjeve, përfaqësues nga SHÇBA, nga Drejtoria për Parandalimin e Pastrimit të Parave etj.

Takimi u zhvillua me dyer të mbyllura, ku në fokus të tij ishin konsultimet dhe bashkëpunimi mes organeve të ndryshme shtetërore për realizimin e Vetingut në Policinë e Shtetit. Më konkretisht, konsultimet janë fokusuar tek përmirësimi i draftit që është hartuar për Vetingun në Polici. Shërbimi Informativ Shtetëror, Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Drejtoria për Parandalimin e Pastrimit të Parave do të kenë një rol të rëndësishëm në kontrollin e uniformave blu.

Roli i tyre do të reflektohet në draftin për Vetingun në Policinë e Shtetit. Gjithashtu, në draft do të reflektohet edhe roli i organeve të tjera, që do të bashkëpunojnë për kryerjen e këtij procesi. Në ligj do të parashikohen të gjitha rregullat dhe modalitetet e kontrollit të shurishtë të uniformave blu. Ligji do të përcaktojë gjithashtu edhe kushtet kur një punonjës do të përjashtohet nga Policia e Shtetit. Nisma pritet të miratohet në javët e para të vitit që vjen nga Kuvendi i Shqipërisë.

Detaje nga projektligji

P/ligji synon të ndërtojë institucione të forta me profesionistë me integritet. Kriteret e vlerësimit për punonjësit e Policisë janë tre: integriteti, pasuria dhe profesionalizmi. Nisma ligjore u prezantua nga zv/ministri i Brendshëm Julian Hodaj, i cili shpjegoi detajet e draftit, përfshirë mënyrën e funksionimit të komisioneve që do të kryejnë Vetting-un. “Ky model presupozon ndarjen në tre kategori të mëdha dhe zhvillimin e procesit me tre faza. Janë rreth 300 punonjës që kanë funksione me grada të larta që vlerësohen në fazë të parë.

Rreth 2500-3000 punonjës me funksione si grada të mesme, që vlerësohen në fazën e dytë dhe rreth 9 mijë punonjës të nivelit zbatues që vlerësohen në fazë të fundit. Presupozohet që në fazën e pare, ata 300 punonjës me grada dhe funksione të larta të vlerësohen nga një Komision i Jashtëm Vlerësimi, i përbërë nga 15 anëtarë me prejardhje të ndryshme.

Një herë që mbaron kjo fazë, ky organ, pra komisioni i jashtëm i vlerësimit pushon së ekzistuari dhe krijohet një organ i dytë vlerësimi për fazën e dytë, ku përveç 15 anëtarëve të komisionit të fazës së parë, rekrutohen edhe 30 anëtarë, shtesë që janë nga punonjësit të cilët e kanë kaluar vlerësimin me sukses në fazën e parë.

Dhe kështu me radhë. Kur arrijmë te faza e tretë komisioni i fazës së dytë pushon së ekzistuari dhe krijohet një komision tjetër, i madh gjithmonë, me 135 anëtarë, ku 90 anëtarë shtesë, pra 45 të fazës së dytë plus 90 anëtarë shtesë, rekrutohen gjithmonë nga punonjësit që kanë kaluar me sukses vlerësimin në fazën e dytë”, tha zv/ministri Julian Hodaj. Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj u shpreh për rëndësinë e procesit, duke e vënë theksin te paanshmëria e komisioneve të vlerësimit.

Fatmir Xhafaj

Në përfundim të takimin, ministri Fatmir Xhafaj u shpreh se në 2018 do të ketë veting në radhët e Policisë së Shtetit dhe ky është prioriteti absolut i Ministrisë së Brendshme.

“E kam thënë që ditën e parë që jam bërë ministër që kjo do të jetë një nga prioritetet e punës në funksion të nevojës për të pasur një organizatë policore shumë më të fortë se deri tani, dhe për të pasur në radhët e Policisë së Shtetit njerëz me integritet të fortë, të qëndrueshëm moral dhe profesional”, tha ministri. 

Redaksia Online
Xh.F/Shqiptarja.com