Afati kalimtar i janarit solli shumë lëvizje futbollistësh në tregun e transferimeve në Superligën shqiptare të futbollit. Në mbyllje të merkatos, gjatë një vëzhgimi të thjeshtë bie në sy se dhjetë klubet e Superligës kanë në total 99 futbollistë të huaj të regjistruar, përjashto ata me pasaportën e Kosovës apo të Maqedonisë së Veriut të cilët njihen si vendas në futbollin shqiptar.
Konkretisht Bylisi është 'për rekord' me 17 të huaj në ekipin e parë. Ballshiotët kanë vetëm gjashtë lojtarë me pasaportën shqiptare në ekip, një fenomen që këtë sezon po shtohet pasi Federata Shqiptare e Futbollit hoqi fashën mbrojtëse të aplikuar për shumë sezone, në lidhje me numrin maksimal të futbollistëve të huaj për një ekip, apo për ata që lejoheshin njëkohësisht në fushë.
Pas tyre është Flamurtari. Në Vlorë luajnë 16 futbollistë të huaj dhe jo detyrimisht nga jashtë vjen cilësia, pasi vlonjatët ndodhen në pozitën e fundit të klasifikimit.
Një tjetër element që ndikon në numrin e ulët të futbollistëve të rinj vendas është edhe zbrazja e qyteteve të vogla dhe afrimi i popullatës drejt Tiranës për më shumë mundësi.
Por as ekipet e kryeqytetit nuk i kanë munguar 'infektimit' me elementin e huaj. Partizani dhe Tirana kanë nga dhjetë futbollistë të huaj në ekip, ndërsa Dinamo ka tetë, duke treguar se trajnerët kanë 'frikë' të fusin të rinjtë e akademive në fushë.
Vora dhe Vllaznia me nga pesë të huaj në ekip janë dy skuadrat që i besojnë emrave vendas.
Nëse situata vijon me të tilla ritme, nuk do jetë çudi që kombëtaret e moshave të Shqipërisë të vuajnë për futbollistë cilësorë dhe asnjë emër vendas mos 'eksportohet' në Evropë.
Mjafton të kujtojmë që trajneri i Kombëtares, Sylvinho, fton vetëm dy elementë nga Superliga (Dajsinani dhe Aliji) për të kuptuar se elementi vendas mungon prej vitesh.
Më 16 shkurt Armand Duka garon i vetëm për t'u zgjedhur për herë të shtatë si presidenti i FSHF-së dhe me gjasë asnjë nga delegatët nuk ka për t'i kujtuar se akademitë sportive në Shqipëri nuk po prodhojnë atë për të cilën janë krijuar, duke u shtypur nga 'importi' i futbollistëve që vijnë me shumicë nga Afrika, Brazili apo edhe vendet Baltike.
Emrat e futbollistëve të huaj për secilin ekip të Superligës:
Bylis (17 të huaj): Roberts Ozols, Ion Gurau, Dime Dimov, Bruno, Mohamed Koita, Radu Negru, Ousama Kane, Aboubacar Camara, Mcvarthy Ofori, Olamilekan Adeduro, Mouctar Kodji, Faisal Charuatey, Rabiu Abdullahi, Ualisson Nem, Ahmed Sanogo, Jacques Fokam, Ibrahim Akibu
Flamurtari (16 të huaj): Luciano Squadrone, Dimitrios Chantakias, Momcilo Raso, Eric Veiga, Joao Urbaez, Alex Peralta, Cristian Nunez, Bangaly Diauara, Uilliam Baeten, Samy Bourard, Leo Melo, Christ Evo Ememe, Heiderber Ramirez, Alessandro Bolzan, Pereoui Magbisa, Archange Bintsouka
Egnatia (12 të huaj): Levan Tandilashvili, Daniel Afful, Zamiq Aliyev, Jefferon, Guillem Jaime, Fernando Medeiros, Alessandro Albanese, Afonso Rodrigues, Soumaila Bakayoko, Mohammed Yahaya, Nikola Buric, Daniel Adjessa
Partizani (10 të huaj): Saliu Sembene, Carlos Martnez, Amos Nondi, Arafat Doumbia, Rouen Human, Baboucarr Jatta, Sekou Sidibe, David Fadaio, Vusal Isgandarli, Diego Contreras
Tirana ( 10 të huaj): Anton Kresic, Johan Cortes, Basilio Ndong, Luciano Vera, Rafael, Freddy Alvarez, Patrik Myslovic, Serge Tabekou, Emmanuel Ernest, Oluabori Falaye
AF Elbasani (10 të huaj): Martin Janacek, Sigitas Olberkis, Emir Azemovic, Abbas Ibrahim, Insa Boye, Karim Loukili, Ibrahima Diallo, Blaise Tsague, Ze Gomes, Roei Ben Shimon
Dinamo (8 të huaj): Andre Teixeira, Lorran, Bakary Goudiaby, Malomo Ayodeji, Tiago Nani, Bright James, Saliou Guindo, Ibrahim Mustapha
Teuta (6 të huaj): Vitinho Oliveira, Daniel Uotlai, Manssour Fofana, Eva Uankeuai, Lorougnan Doukou, Oliver Jurgens
Vora (5 të huaj): Chibuike Ohaegbulam, Vinicius Cesar, Manfredas Ruzgis, Luis Felipe, Ayodele Folahan
Vllaznia (5 të huaj): Leon Maurice Pohls, Jasmin Celikovic, Andrey Yago, Cristian Dros, Bismark Charles
Komente












