Në "Pierluigi Penzo" vendasit e Venezias nuk i bënë dot ballë Interit duke u mposhtur 0-1. Për zikaltërit Kristjan Asllani e nisi ndeshjen nga minuta e parë dhe la shenja në këtë duel. Minuta e 16-të e sfidës ishte deçizive, kur Asllani nga mesi i fushës dhuroi një pasim të bukur në sulm për Lautaron. Argjentinasi e kontrolloi sferën bukur, por goditja u ndal nga portieri vendas dhe në topin e kthyer Darmian nuk mund të gabonte me portën bosh.
Në minutën e 41 Asllani u ndëshkua me karton të verdhë, teksa në të 63' Inzaghi vendosi mos e rrezikonte duke e zëvendësuar me Frattesin. Tanimë Inter me 43 pikë merr vendin e dytë dhe ka një ndeshje më pak se Atalanta e renditur në pozitën e tretë. Ndërkohë presioni është në anën e Napolit kryesues (44 pikë dhe një ndeshje më shumë).