Serie A e futbollit është interesante në fundin e sezonit. Në "Olimpico" Roma e De Rossit u mposht 1-3 nga surpriza Bologna, që tanimë "blindon" zonën Champions League dhe kërcënon Juventusin e vendit të tretë.
Në kryeqytet Bologna tregoi cilësi dhe shënoi dy gola në pjesën e parë me Azzouzi dhe Zirkzee, para se Azmoun të rihapte ndeshjen në pjesën e dytë. Megjithatë goli i Romës shërbeu sa për statistika pasi Saelemaekers shënoi të tretin për Bolognan me një parabol të bukur.
Me 62 pikë Bologna mban vendin e katërt dhe pesë javë nga fundi i sezonit ndodhet vetëm dy pikë pas Juventusit të vendit të tretë, duke dëshmuar një sezon të mrekullueshëm.
Kranar për ekipin që drejton është shprehur edhe Thiago Motta.
"Jam shumë krenar që jam trajneri i Bolognas, që kam këta lojtarë të cilët janë të gatshëm të sakrifikojnë gjithçka, por edhe të fitojnë ndeshje si kjo ndaj Romës. Ishte një ndeshje shumë e vështirë, një ndeshje delikate, por e kishim studiuar dhe besoj se kemi zhvilluar një ndeshje të madhe.
Jam i lumtur me të gjitha repartet. Skuadra bënë gjithçka që unë kërkoj, të gjithë ndihmojnë. Championsi? Mendoj vetëm për atë që bëmë në “Olimpico”, dua ta shijoj këtë moment. Gjithçka tjetër do të vijë në kohën e vet, e tashmja jonë është shumë e bukur dhe në këtë moment të mendosh për diçka tjetër nuk ka vend", tha Thiago Motta.
Trajneri i Romës, Daniele De Rossi tha pas humbjes së të tijve 1-3 nga Bologna se miqtë e merituan suksesin pasi luajtën më mirë, duke mos vjedhur asgjë.
“Ndoshta ne ishim më pak në formë se herët e tjera, por Bologna luan mirë, ata lëvizin shumë dhe të bëjnë të dukesh më pak brilant. Urime për ta, që nuk vodhën asgjë. Ndeshja ishte e ekuilibruar, në pjesën e parë ishim më të rrezikshëm, por nuk arritëm të dilnim nga gjendja ku ishim.
Kishte pak nervozizëm, nuk mund të lejojmë që një karton i verdhë të na nervozojë sepse nuk e vendos kartoni ndeshjen. Pavarësisht se nuk ia dolëm të merrnim një rezultat të mirë, djemtë performuan deri në fund", tha De Rossi.