Chelsea është treguar i pamëshirshëm në gjysmëfinalen e kthimit të EFL Cup, ose Kupës së Ligës, kundër Middlesbrough. Pas humbjes 1-0 në gjysmëfinalen e parë, të besuarve të Pochetinos i duhej përmbysja ndaj jo vetëm që ndodhi, por erdhi me shifrat e frikshme 6-1.
Që në minutën e 15 një autogol zhbllokoi shifrat, ndërsa meritë pati edhe Armando Broja, i cili pavarësisht thashethemeve të merkatos, e nisi si titullarë. Sulmuesi shqiptar ndikoi gjithashtu edhe te goli i dytë i realizuar nga Enzo Fernandez, ndërsa po në pjesën e parë realizoi edhe Disasi e Palmer, duke mbyllur llogaritë e kualifikimit.
Në pjesën e dytë Palmer sërish dhe Madueke i dërguan shifrat në 6-0, ndërsa për Middlesbrough golin e flamurit e realizoi Rogers në minutat e fundit të kohës së rregullt. Për pasojë të fitores tenistike Chelsea u kualifikua në finale të Kupës së Ligës, atje ku do ndeshet me fituesin e çiftit Fulham-Liverpool. Ndeshjen e parë e fituan ‘the reds’ me rezultatin 2-1, ndërsa sonte luhet gjysmëfinalja e kthimit.