Presidenti i SHBA-së nuk do të jetë i pranishëm në ndeshjen hapëse kundër Paraguait.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, zhvilloi një telefonatë me ekipin kombëtar të futbollit të SHBA-ve vetëm pak orë para ndeshjes së parë në Kupën e Botës kundër Paraguait.
Videoja përkatëse u publikua nga Federata Amerikane e Futbollit në rrjetet sociale, duke dokumentuar mesazhin mbështetës të presidentit amerikan drejtuar trajnerit të kombëtares, Mauricio Pochettino dhe lojtarëve.
Telefonata e shkurtër u zhvillua të premten me orën shqiptare, ku Donald Trump iu drejtua personalisht Mauricio Pochettinos, duke shprehur vlerësimin për punën e tij dhe potencialin e ekipit.
“Po ju telefonoj vetëm për t’ju thënë se jeni një njeri fantastik, një trajner i madh”, u shpreh presidenti i SHBA-ve.
Ai gjithashtu shprehu bindjen se kombëtarja ka talentin e nevojshëm për të bërë një rrugëtim të suksesshëm në turne.
“Ju keni shanse reale për të arritur deri në fund”, theksoi ai, duke nënvizuar se vlerëson shumë cilësinë e skuadrës.
Trump i uroi gjithashtu suksese ekipit para fillimit të ndeshjeve në turne dhe tha se synon ta ndjekë kompeticionin në tërësi. Megjithatë, sipas informacioneve të publikuara, ai nuk do të jetë i pranishëm në ndeshjen hapëse të SHBA-ve në Los Anxhelos kundër Paraguait.
Rikthimi i Kupës së Botës në SHBA
Ky turne shënon rikthimin e Kupës së Botës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për herë të parë që nga viti 1994. Këtë herë kompeticioni zhvillohet me 48 skuadra dhe organizohet bashkërisht nga SHBA, Kanadaja dhe Meksika.
Pavarësisht rritjes së madhe të futbollit në vend vitet e fundit, kombëtarja e meshkujve e SHBA-ve nuk ka arritur historikisht të ketë suksese të mëdha në Kupën e Botës.
Ndërkohë, kombëtarja e femrave është një nga ekipet më të suksesshme në historinë e sportit, me katër tituj botërorë të fituar.
Last night, we received a message of support from POTUS ahead of our World Cup journey. pic.twitter.com/MVPITGldtS
— U.S. Soccer Men's National Team (@USMNT) June 12, 2026
Lajmi kryesor:
Formacionet/ Do të luhet ndeshja e parë e Grupit D, titullarët e SHBA - Paraguai! Në Los Angeles ceremonia e tretë hapëse e Botërorit, mungon Trump




