HOLANDË - Fundjavën e kaluar AZ Alkmaar fitoi 5-1 kundër NEC Nijmegen në finalen e Kupës së Holandës të zhvilluar në stadiumin 'De Kuip' të Rotterdamit. Përtej goleadës kjo ndeshje u përfol edhe për një ndodhi që nuk shihet shpesh në fushat e futbollit.
Në minutën e 76-të kur AZ Alkmaar po fitonte 3-0, arbitri i njohur Danny Makkelie ndërpreu ndeshjen pasi mori një telefonatë sigurie dhe iu desh të përgjigjej. Këto pamje janë duke bërë xhiron e medieve, teksa gjithçka e ka një shpjegim.
Makkelie mori një informacion për sigurinë dhe mediet në Holandë thonë se tifozët kishin në program të ndiznin shumë fishekzjarre dhe flakadanë. Në të tilla kushte ndeshja u ndërpre për pak minuta dhe të gjithë pyesnin për arsyen.
Në bazë të rregullave të sigurisë, delegati bëri të mundur që vetë arbitri të fliste me shefin e policisë apo personat përgjegjës në lidhje me këtë informacion dhe sapo gjithçka u duk e qetë sfida vijoi dhe prodhoi edhe tre gola të tjerë për rezultatin final 5-1.
Komente






