Juventusi fitoi 2-0 të mërkurën kundër Benficas për raundin e shtatë në fazën e ligës së Champions League, duke siguruar të paktën zonën play-off, teksa është në garë për një vend në tetë më të mirat, gjë që mund ta sigurojë nëse merr tri pikë kundër Monacos më 28 janar.

Dueli në Torino nuk ishte i qetë deri në momentin e golit të parë nga Kephren Thuram në minutën e 55-të. Trajneri i "Zonjës", Luciano Spalletti, u përplas me një tifoz të bardhezinjve i cili ishte pas stolit të ekipit. "Herës tjetër ndiqe ndeshjen nga shtëpia", kështu mësohet se i ka thënë trajneri tifozit, sipas medieve në Itali.

Në një konferencë për shtyp, ai sqaroi se çfarë kishte ndodhur, duke shpjeguar: "Që nga fillimi, për çdo lojtar që bënte një gabim më thoshte ta hiqja nga fusha. U ktheva dhe i thashë, 'Kam vetëm pesë zëvendësime, nuk mund t'i heq të gjithë.'

Spalletti, dy minuta më vonë u 'hakmor' ndaj tifozit që e kritikoi, kjo gjatë festimit të golit të Thuram, ai iu drejtua përsëri tifozit duke e ftuar të shkonte ta shihte ndeshjen diku tjetër.

SHUPLAKË NË FYTYRË - Shfaqja e shfrenuar e Spallettit nuk mbaroi këtu. Pak para minutës së 70-të, përpara se të fuste Opendan në fushë, ai e goditit me të vërtetë qendërsulmuesin belg. Ndërsa sulmuesi po qeshte, Luciano e goditi në fytyrë për ta 'rikthyer në vete'.