VIDEO/ Fitore historike kundër Vllaznisë, Egnatia në finalen e Kupës së Shqipërisë përballë Tiranës

Kupa e Shqipërisë zhvilloi sot dy ndeshjet e kthimit të gjysmëfinaleve. Egnatia - Tirana do jetë finalja e 1 qershorit në këtë kompeticion që do luhet në "Elbasan Arena" në orën 19:00. Në 14:00 në Rrogozhinë, Egnatia fitoi 1-0 me Vllazninë dhe siguron e para biletën e finales së Kupës së Shqipërisë. Një gol i Jackson në minutën e 90-të të ndeshjes ka bërë që skuadra e Tetovës të bëjë historinë dhe për herë të parë të jetë në finalen e Kupës, duke zbritur nga froni shkodranët, që janë kampionët në fuqi të Kupës së Shqipërisë. Ndeshja e parë në "Loro Boriçi" ishte mbyllur 1-1. Në 17:00 në "Niko Dovana" Teuta dhe Tirana barazuan 0-0, me bardheblutë që fituan 3-0 në ndeshjen e parë dhe marrin biletën e finales.

Egnatia fitoi 1-0 me Vllazninë në gjysmëfinalen e kthimit në Kupën e Shqipërisë, me rrogozhinasit që pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë marrin biletën e parë për në finalen e Kupës. Skuadra e Edlir Tetovës shkruan kështu historinë, duke shkuar për herë të parë në një nivel të tillë. Ndeshja në "Arena Egnatia" nisi me grintë, teksa Çoba te miqtë u ndëshkua me karton të kuq, ndërsa pas konsultimit me VAR arbitri Enea Jorgji anuloi vendimin. Goli i vetëm i ndeshjes u shënua në minutën e 90-të nga Jackson. Kapiteni brazilian lëshoi një silurë nga jashtë zone, me Qarrin që pa topin pas shpinës. Kështu, pasi e mundi pak ditë më parë 0-4 në "Loro Boriçi", Egnatia ia merr dorën shkodranëve, duke shkruar historinë edhe pse pa tifozë për shkak të dënimit. 

Teuta dhe Tirana barazuan 0-0 në gjysmëfinalen e kthimit të Kupës së Shqipërisë. Falë fitores 3-0 në ndeshjen e parë, Tirana është finalistja e dytë e Kupës pas Egnatias. Përballja për trofeun e dytë më të rëndësishëm në vend do luhet në 1 qershor. Skuadra e Orges Shehit pas tre vitesh rikthehet në finale, teksa synon trofeun e 17-të të Kupës, ndërsa merr pjesë për herë të 27-të në një finale Kupe.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:29
'Jemi të parët si edhe në finalen e Kupës', ndihmësi i Shehit kunja Partizanit: Colella kënaqet kur sheh Tiranën që luan

Tirana eliminoi Teutën dhe do luajë në finalen e Kupës së Shqipërisë kundër Egnatias, në 1 qershor në 19:00 në "Elbasan Arena". Pas ndeshjes për Oversport foli ndihmëstrajneri i Tiranës, Artan Karapici. Ish-mesfushori ka lëshuar "xixa" kundër Partizanit, para derbit të kryeqytetit (17 maj 18:30). Me trajnerin e "Demave" që ndoqi nga pranë bardheblutë, Karapici nuk e ka humbur rastin për ngacmime.

"Nuk kishte lidhje me derbin, e kishim mendjen vetëm te Kupa. E arritëm një objektiv për të shkuar te finalja e Kupës. Nuk ndryshoi asgjë nga tre ditë më parë, të dyja ndeshjet kanë qenë thuajse njësoj. Edhe në ndeshjen që u mundëm në kampionat ne qarkulluam topin, thjesht në atë ditë kishim 10 minuta “black-out” që i ndodh çdo skuadre. Ne kemi qenë superiore ndaj Teutës. Jemi në vend të parë në kampionat, në finale të Kupës, më mirë se kaq nuk ka ku të shkojë. Colella ishte në stadium sot? U bë kohë e gjatë që vjen dhe ndjek Tiranën, me siguri që kënaqet kur vjen dhe na sheh duke luajtur", tha Artan Karapici.

Ora 19:12
Edi Martini: Teuta do fokusohet në kampionat, Tiranës i uroj të fitojë Kupën

Tirana eliminoi Teutën nga Kupa e Shqipërisë, pas dy ndeshjeve me rezultatin e përgjithshëm 3-0. Pas ndeshjes për Oversport foli trajneri i durrsakëve, Edi Martini. Trajneri shkodran i ka uruar Tiranës të fitojë Kupën, me të tijtë që do fokusohen në kampionat.

"Ndeshja e parë ndikoi në anën psikologjike, aq më tepër të përmbysësh atë rezultat përballë Tiranës. Edhe gjendja fizike ka qenë e ngarkuar, pasi me këtë grup lojtarësh kemi luajtur këtë periudhë. E dinim që përmbysja do të ishte e vështirë dhe rezultati i kësaj ndeshjeje nuk ndikon për sfidat e kampionatit. Janë edhe 4 ndeshje në kampionat dhe ne pretendojmë që të sigurojmë një vend në Kupat e Europës.

Skuadra po bën mirë dhe jemi optimistë për të arritur këtë objektiv. Do bëjmë të pamundurën që të arrijmë vendin e katërt. Kalendari është i vështirë, do të bëjmë maksimumin dhe shpresojmë që tia dalim. Sfida e radhës në Shkodër është shumë e vështirë, por ne do të synojmë deri në fund Europën. I uroj Tiranës që të fitojë Kupën", tha Martini.

Ora 18:52
Barazim i ëmbël në Durrës, Tirana finaliste e Kupës së Shqipërisë

Teuta dhe Tirana barazuan 0-0 në gjysmëfinalen e kthimit të Kupës së Shqipërisë. Falë fitores 3-0 në ndeshjen e parë, Tirana është finalistja e dytë e Kupës pas Egnatias. Përballja për trofeun e dytë më të rëndësishëm në vend do luhet në 1 qershor. Skuadra e Orges Shehit pas tre vitesh rikthehet në finale, teksa synon trofeun e 17-të të Kupës, ndërsa merr pjesë për herë të 27-të në një finale Kupe.

Ora 16:50
Mesazh i koduar pas eliminimit, Sedloski i Vllaznisë: Djemtë flasin në dhomat e zhveshjes, pësojmë në minutën e 90-të

Vllaznia humbi 1-0 në transfertë me Egnatian dhe eliminohet nga Kupa e Shqipërisë, me rrogozhinasit që marrin biletën për në finale. Pas ndeshjes për Oversport, trajneri i Vllaznisë, Goce Sedloski është shprehur i zhgënjyer për golin në fundin e përballjes, teksa ka cekur edhe "thashethemet" që lojtarët e tij flasin në dhomat e zhveshjes, dukshëm si një mesazh i koduar për arbitrimin.

"Po pësojmë gol në minutën e fundit. Kjo ka qenë një gjysmëfinale, të gjithë jemi të zhgënjyer, nuk e kemi bërë punën si duhet deri në fund. Djemtë kanë luajtur në mënyrë korrekte, por nuk dua të flas për disa gjëra që thuhen në dhomat e zhveshjes. Kundërshtari nuk ka qenë më i mirë se ne. Tani nuk kemi pasur kohë të punojmë për gjendjen fizike të lojtarëve pasi në çdo tre ditë kemi pasur ndeshje. Pësojmë gola në minutën e 90 dhe nuk ka se çfarë të diskutosh më tepër", tha trajneri i Vllaznisë.

Ora 16:26
Edlir Tetova: Emocion që jam pjesë e historisë së Egnatias, në finale dua Tiranën

Egnatia fitoi 1-0 me Vllazninë dhe është finalistja e parë e Kupës së Shqipërisë për këtë edicion. Pas ndeshjes për Oversport, trajneri i rrogozhinasve Edlir Tetova është shprehur i emocionuar duke kërkuar në finale Tiranën, që drejtohet nga miku i tij Orges Shehi. Kujtojmë se Tetova dy sezone më parë ka qenë ndihmësi i Shehit te bardheblutë.

"Është emocion shumë i veçantë, pasi bëhem pjesë e historisë së këtij klubi që për herë të parë shkon në finalen e Kupës së Shqipërisë. Ishte një ndeshje me dy tablo. Në pjesën e parë u nxituam disi, por në pjesën e dytë përmirësuam lojën dhe arritëm të krijonim disa raste për shënim. Shpresoj që në finale të dalë Tirana, edhe për vetë rezultatin e ndeshjes së parë, sepse mua personalisht më ka mposhtur 4 herë në finale. Nuk është një hakmarrje, por do të doja Tiranën në finale", tha Tetova.

Ora 16:20
Teuta kërkon përmbysjen kundër Tiranës, titullarët në Kupën e Shqipërisë

Teuta dhe Tirana do luajnë sot në 17:00 në "Niko Dovana" për gjysmëfinalen e kthimit në Kupën e Shqipërisë. Ndeshja e parë mes tyre foli për bardheblutë e Shehit, që fituan 3-0. Tanimë Teuta pasi i mundi 2-1 fundjavën e shkuar në kampionat, kërkon shanset për biletën e finales së Kupës. Dukshëm më të avantazhuar, te Tirana nuk i kanë lënë gjë rastësisë duke hedhur në fushë ekipin më të mirë. Kujtojmë se pasi mundi 1-0 Vllazninë, Egnatia është finalistja e parë e Kupës.

Formacionet zyrtare:

Teuta: Qirko, Kouros, Kotobelli, Jazexhi, Marku, Kallaku, Beqja, E.Vila, Çyrbja, Oshafi, L.Vila Trajner: Edi Martini

Tirana: Bekaj, Toshevski, Lulaj, Najdovski, Pergjoni, Hila, Aleksi, Lushkja, Hasani, Berisha, Haxhiu Trajner: Orges Shehi

Ora 16:09
HISTORIKE/ Egnatia në finalen e Kupës së Shqipërisë, rrogozhinasit 'zbresin nga froni' Vllazninë (VIDEO)

Egnatia fitoi 1-0 me Vllazninë në gjysmëfinalen e kthimit në Kupën e Shqipërisë, me rrogozhinasit që pas barazimit 1-1 në ndeshjen e parë marrin biletën e parë për në finalen e Kupës. Skuadra e Edlir Tetovës shkruan kështu historinë, duke shkuar për herë të parë në një nivel të tillë. Ndeshja në "Arena Egnatia" nisi me grintë, teksa Çoba te miqtë u ndëshkua me karton të kuq, ndërsa pas konsultimit me VAR arbitri Enea Jorgji anuloi vendimin. Goli i vetëm i ndeshjes u shënua në minutën e 90-të nga Jackson. Kapiteni brazilian lëshoi një silurë nga jashtë zone, me Qarrin që pa topin pas shpinës. Kështu, pasi e mundi pak ditë më parë 0-4 në "Loro Boriçi", Egnatia ia merr dorën shkodranëve, duke shkruar historinë edhe pse pa tifozë për shkak të dënimit.

S.Dh/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen