Sassuolo fitoi dje 3-2 me Cremonesen për javën e 25-të në Serie A. Dueli u vendos nga Nedim Bajrami, fantazisti i Kombëtares që ndali sferën në rrjetë në të 90+2 minutë me një goditje të zgjuar nga brenda zonës.
Kalimi në janar nga Empoli te Sassuolo i ka dhënë tjetër hov 24-vjeçarit, që duket i lumtur në Reggio Emilia. Bajrami ka qenë ndër lojtarët më të vlerësuar të ndeshjes, teksa pas ndeshjes ka thënë se është shumë i lumtur që më në fund shënoi dhe kërkon më shumë minuta në të ardhmen.
"Ishte një gol i rëndësishëm dhe një ndeshje e shkëlqyer për të gjithë ekipin, duhet të vazhdojmë kështu. 2-0 është gjithmonë i rrezikshëm, ata shënuan dy gola, por ne reaguam mirë dhe fituam. Ishte e rëndësishme për ne. Kam humbur 2 ose 3 herë raste para portës disa javë më parë. Sot topi hyri në portë dhe unë jam shumë i lumtur. Një gol i rëndësishëm për skuadrën. Ka shumë ndeshje për të luajtur me Sassuolon dhe këtu ndihem shumë mirë. Djemtë më pritën shumë mirë”, tha 24-vjeçari.