ANGLI - Granit Xhaka u bë protagonist në Premier League edhe pse nuk ishte i gatshëm për Sunderlandin. Ekipi i shqiptarit u mposht 3-1 të shtunën nga West Ham në Londër, por veç rezultatit vëmendjen e mori sherri i kapitenit shqiptar me një tifoz vendas.
Gjatë pjesës së dytë, një tifoz i West Ham provokoi stolin mik dhe Xhaka nuk i mbajti nervat, duke treguar 'damarin shqiptar' dhe duke e ftuar anglezin të dalin jashtë për t'u sqaruar.
Një tifoz, i ulur shumë pranë pankinës, i tregoi “SunSport” se çfarë pa dhe dëgjoi nga afër. Përplasja nisi pasi Nordi Mukiele (minuta 83) u zëvendësua dhe ishte qartazi i irrituar, duke ngritur duart lart dhe duke u ankuar ndaj trajnerit Regis Le Bris të Sunderland.
“Të gjithë po i bërtisnin ‘Hey! Hey!’ dhe po i thoshin ‘fshiji lotët, shok’, siç ndodh zakonisht kur je kaq afër fushës. Ai u kthye nga fusha dhe pati një përplasje me trajnerin. Kjo solli edhe më shumë reagime nga tifozët.
Xhaka u kthye dy ose tre rreshta pas dhe filloi t’i bërtiste një shokut tim: ‘tregoni respekt, tregoni respekt’, ironike, duke pasur parasysh që Mukiele sapo ishte përplasur me trajnerin e vet”, tha ai.
Situata u përshkallëzua edhe më shumë kur një tjetër person u afrua për ta qetësuar gjendjen.
"Xhaka filloi ta ngacmonte edhe atë, edhe pse ai vetëm po thoshte ‘ndalo, ndalo’. Pastaj Xhaka i tha: ‘Shihemi jashtë, shihemi jashtë’. Edhe kur po hynte në tunel pas përfundimit të ndeshjes, vazhdonte t’i thoshte: ‘Shihem jashtë’”, thuhet nga dëshmitarët që filmuan ngjarjen.
Komente







