Miratohet plani rregullues i bashkisë Himarë. Mbledhja e Këshillit bashkiak u zhvillua nën masa të rrepta sigurie në Kuç, pasi shumë banorë të Himarës ishin mbledhur jashtë ambienteve ku po zhvillohej mbledhja e këtij këshilli.
 
Kujtojmë se 5 ditë më parë u anulua séance e para e këtij këshilli pasi banorët hynë brenda ambienteve duke e bërë të pamundur mbarëvajtjen e mbledhjes.
 
Për shkak të shmangies së incidenteve mbledhja e radhë ishte vendosur të mbahej në njësinë administrative Kuç, por edhe sot banorët ishin mbledhur duke e kundërshtuar planin rregullues të Himarës.
 
Pas një ore qëndrim ata janë larguar dhe mbledhja e këshillit ka vijuar normalisht, duke bërë të mundur edhe miratimin e planit rregullues të qytetit të Himarës.

Zhvillimet minutë pas minute

Ora 13:40 Goro: Plani sapo të miratohet nga KKT, bëhet menjëherë efektiv
“Shpresojmë që qytetarët tanë të kthehen dhe të investojnë duke pasur një plan konkret për zhvillimin e tyre. Ajo që është e rëndësishme dhe që unë dua të theksoj është se plani i zhvillimit me të kaluar në KKT dhe zbardhjen  e tij, bëhet menjëherë efektiv”, është shprehur Jorgo Goro, kreu i Bashkisë së Himarës.

Kreu i  Bashkisë së Himarës për sa i përket protestuesve është shprehur se një pjesë e tyre është e keqinformuar dhe se një pjesë e tyre janë të prekur nga ndërtimi i shëtitores.

“Protestuesit e para e punës nuk dinin se çfarë kërkonin, pasi nuk kishte lidhje ajo që bënim ne sot këtu me atë që ata pretendonin. Një pjesë e tyre janë të keqinformuar dhe një pjesë e tyre preken nga investimi i cili bëhet në shëtitoren e Himarës. Një investim i cili ka shpronësuar një pjesë të madhe të tyre, por edhe një investim i cili do t’u sjelli atyre një përfitim të madh, sepse pronat e tyre jaën aty, shtëpitë e tyre janë aty, do të bëhem më të bukura e të aksesueshme. Do të kenë mundësi t’i shfrytëzojnë edhe për gjëra të tjera, jo vetëm për shpi por edhe për lokale, hoteleri dhe pse jo edhe për çdo veprimtari tjetër”, tha Goro.


Ora 13:17 Miratohet plani rregullues i Bashkisë së Himarës
Këshilli Bashkiak i Himarës ka miratuar planin rregullues me 15 pro dhe 1 abstenim.

Ora 12:55 Banorët para lokalit largohen, vijon mbledhja
Banorët e Himarës të cilët ishin duke qëndruar para lokalit ku zhvillohet mbledhja e këshillit, janë larguar. Mbledhja për miratimin e planit rregullues vazhdon, ndërsa banorët kanë paralajmëruar protesta nëse ky plan miratohet. 

Ora 12: 30 Banorët tentojnë të hynë me forcë brenda lokalit
Banorët e grumbulluar përpara lokalit ku është duke zhvilluar mbledhja e Këshillit Bashkiak të Himarës, kanë tentuar të hynë me forcë brenda ambienteve të lokalit. Kanë qenë forcat e policisë të cilat janë në fshatin Kuç për mbarëvajtjen e  mbledhje që nuk kanë lejuar futjen e qytetarëve në lokal.

Ora 12:15 Mbledhja është duke u zhvilluar me 18 anëtarë
Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Himarës është duke u zhvilluar me 18 anëtarë nga 21 që ky këshillë ka.

Nga tre anëtarë që PBDNJ-ja ka në këtë këshill, 2 prej tyre u larguan nga mbledhja, ndërsa këshilltari i tretë mungoi për arsye shëndetësore.

Të pranishëm në mbledhje janë të gjithë këshilltarët e Partisë Demokratike, Partisë Socialiste dhe ata të Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Ora 12:05 Bollano flet për çështjen e pronave në Himarë
“Do ta konsultojmë në aspektin ligjor se si mund të reagojmë, janë bërë disa ankesa ligjore për mungesën e transparencës. Sigurisht ky zhvillim ka dy nivele, ka nivelin ligjor legjislativ, i cili nuk zbatohet në tërësinë e tij, por ka edhe aspektin politik, shoqëror dhe ekonomik për zhvillimin e zonës, i cili në dukje duket sikur e cenon negativisht zhvillimin e zonës”, është shprehur Bollano.

 
Ora 11: 40 Largohen nga mbledhja dy këshilltarë të PBDNJ-së, njëri prej tyre Vasil Bollano

Ora 11:15 Para lokalit edhe kreu i PBDNJ-së, Fredi Beleri
Mes njerëzve të grumbulluar para lokalit ku po zhvillohet mbledhja është edhe kreu i PBDNJ-së, Fredi Beleri, i cili mbledhjen e 25 gushtit ishte një  prej personave të cilët kundërshtonin planin rregullues të qytetit.



mbledhja ne himare
(Nga mbledhja e Këshillit Bashkiak Himarë)

Ora 11:00 Grumbullim njerëzish para lokalit ku zhvillohet mbledhja
Rreth 30 persona, pronat e të cilëve në qytetin e Himarës preken nga plani rregullues i qytetit janë grumbulluar para hyrjes së lokalit ku po zhvillohet mbledhja e këshillit.

Ora 10:45 Fillon mbledhja e Këshillit Bashkiak
Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Himarës për miratimin e planit rregullues të qytetit ka nisur në fshatin Kuc dhe po zhvillohet në ambientet e një lokali.


[gallery]23678[/gallery]