Napoli u befasua mbrëmjen e të martës duke u mposhtur 6-2 nga PSV-ja në raundin e tretë të Champions League. Si të mos mjaftonte dështimi i tmerrshëm në Evropë, kampionët e Serie A luajtën me një lojtar më pak gjatë 14 minutave të fundit të ndeshjes.

Në minutën e 76-të, Lorenzo Lucca pati një rast të artë për gol, por mbrojtësi holandez mbylli bukur aksionin. Gjiganti i sulmit përfundoi në tokë dhe duket se kishte diçka për t'i thënë arbitrit, mbase për prekje të topit nga kundërshtari.

Mirëpo, gjesti i Lucca duke vendosur gishtin në kokë nuk u prit mirë nga arbitri gjerman Daniel Siebert. Ky i fundit i ka drejtuar një karton të kuq direkt sulmuesit të Napolit, në një mënyrë të çuditshme. Edhe vetë sulmuesi u pa i befasuar, ndërsa Daniel Siebert u tregua vërtet gjerman.