Qeveria e Holandës rrezikon të bjerë pas përplasjeve mes partive të koalicionit për një paketë taksash, ku përfshihet edhe ajo që është quajtur “taksa për milionerët”. Kryeministri Rob Jetten ka vijuar gjatë fundjavës bisedimet me partnerët e koalicionit, pasi një takim disaorësh të premten nuk arriti t'i zgjidhte mosmarrëveshjet.
Kriza ka përfshirë tri partitë e koalicionit qeverisës, D66 të qendrës, CDA të qendrës së djathtë dhe VVD të djathtë, të cilat nuk kanë arritur të bien dakord për planet buxhetore të vendit.
Përplasja nisi pasi deputetët e D66 dhe CDA mbështetën ndryshimet e propozuara nga dy parti opozitare të qendrës së majtë, PRO dhe Volt, duke mundësuar miratimin e paketës së taksave në Parlament të enjten në mbrëmje, pas një debati që zgjati gjithë ditën.
Marrëveshja shkaktoi zemërim te VVD, e cila votoi kundër planit fiskal të vetë qeverisë. Drejtuesja e partisë, Dilan Jeshilgoz-Zegerius, deklaroi se ishte zënë në befasi nga marrëveshja. Propozimi parashikon një normë më të lartë tatimore prej 38.5% për të ardhurat nga pasuria që kalojnë 60 mijë euro, për shembull nga interesat e kursimeve apo investimet. Ata që fitojnë më pak se 60 mijë euro nga këto burime nuk do t'i nënshtrohen kësaj norme më të lartë.
Pas më shumë se shtatë orësh bisedime të premten, Jetten njoftoi se koalicioni do të vazhdonte të qëndronte bashkë, të paktën për momentin. Megjithatë, drejtuesja e VVD-së nuk i kurseu kritikat ndaj qeverisë.
“Qeveria e pakicës është një eksperiment i dështuar dhe nuk mund të vazhdohet kështu”, deklaroi ajo, duke kërkuar një riorganizim rrënjësor të mënyrës së funksionimit të koalicionit.
Edhe kryeministri pranoi se nevojitet një fillim i ri.
“Ditët e fundit kanë ndodhur shumë gjëra të mira, por edhe gjëra që nuk kanë shkuar mirë. Duhet të bëjmë më mirë”, tha Jetten.
Ai shtoi se bisedimet mes partive do të vazhdojnë gjatë ditëve në vijim, pasi diskutimet e deritanishme nuk kanë përfunduar. Kriza e fundit ka ngritur mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, vetëm nëntë muaj pasi Jetten mori detyrën si kryeministër.
Holanda ka zhvilluar katër palë zgjedhje parlamentare gjatë një dekade, ndërsa përplasjet e vazhdueshme politike kanë dëmtuar besimin e qytetarëve te përfaqësuesit e tyre.
Sipas sondazheve në rast zgjedhjesh të parakohshme, partia e majtë PRO, e drejtuar nga Jesse Klaver, do të dilte e para, ndërsa partia e ekstremit të djathtë e Geert Wilders do të renditej e dyta.









Komente
Komento