Në videon e xhiruar nga qytetarët, e gjatë 2 minuta e 17 sekonda dhe të siguruar nga A1 Report, shihet se gjithçka nis pas një aksidenti të ndodhur në qendër të qytetit të Korçës, ku një i ri ka përplasur nga mbrapa automjetin e zëvendësdrejtorit të policisë Hyseni.
Menjëherë pas kësaj, Hyseni ka telefonuar forcat e policisë për të raportuar aksidentin. Uniformat blu vijnë vetëm pas sekonda më vonë, ndërsa menjëherë i sulen të riut.
Edhe pse në video nuk dëgjohet se çfarë ka biseduar i riu me uniformat blu, shihet qartë acarimi i toneve mes tyre, deri sa saktësisht në 1:55 në të videos shihen efektivët e policisë teksa qëllojnë dhe dhunojnë të riun.
Edhe pse Hyseni është i pranishëm në automjet, ai nuk ka lëvizur për të ndaluar dhunimin ndaj të riut duke qëndruar qetësisht në mjetin e tij. Goditjet janë të vazhdueshme nga të dy efektivët ndaj të riut ndërsa as ndërhyrja e qytetarëve aty pranë nuk ka larguar dot atë nga dhuna.
Menjëherë pas publikimit të kësaj video në televizionin A1 Report, kanë nisur hetimet ndërsa është marrë edhe vendimi i pezullimit përkohësisht të 2 efektivëve të policisë ku njëri prej tyre është Robert Memelli, dhe zëvendësdrejtorit Hyseni, të paktën deri në përfundimin e hetimeve.
Ka qenë drejtori i Policisë së Korçës Edmond Tarkaj që në një lidhje telefonike, bëri të ditur vendimin e marrë nga ai për ngjarjen në fjalë. Tarkaj u shpreh se ngjarje të tilla janë të pahijshme ndërsa menjëherë ai ka marrë masat ndaj efektivëve të përfshirë.
Për këtë akt kanë reaguar edhe Kryeministri Edi Rama dhe Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Përmes një postimi në rrjetet sociale, kryeministri ka falenderuar qytetarët për denoncimin, ndërsa ka kërkuar që sa më shumë abuzime të tilla të denoncohen.
Sakaq, edhe Ministri Tahiri ka dënuar dhunën e policëve të Korçës, duke shtuar se ata do të mbajnë përgjegjësi për abuzimin me detyrën. Ministri ka falenderuar qytetarët, duke theksuar se falë denoncimit të tyre mund të kemi një Polici më të pastër.
Por ish-Kryeministri Sali Berisha ka një mendim tjetër, duke u shprehur se dhuna e shfaqur në video dëshmon për fytyrën e vërtetë të shtetit policor të Ramës dhe Tahirit.
(VIDEO - Momentet e goditjes së qytetarit nga efektivi i policisë)
(VIDEO E PLOTË)
Ora 20:19 Drejtori Tarkaj: Ngjarje e pahijshme, nisi pas debatit verbal të aksidentit
Drejtori i Policisë së Korçës Edmond Tragaj në një lidhje telefonike për A1 Report, ka dënuar dhunën e përdorur nga policia në drejtim të qytetarit dhe mosreagimin e zëvendësdrejtorit Arben Hyseni, duke e cilësuar këtë si një akt të pahijshëm.
Lidhur me këtë rast, ai theksoi se ka marrë vendimin për pezullimin përkohësisht nga detyra të 2 efektivëve të policisë si dhe të zëvendësdrejtorit Arben Hyseni deri në përfundit të hetimeve.
Sipas tij debate ka nsiur pas përplasjes së dy mjeteve, teksa e përfshirë në këtë aklsident ishte edhe makina e zëvendësdrejtorit Hyseni.
Tarkaj: Ajo që ka ndodhur në mes të qytetit të Korçës nga ana ime është bërë pezullimi i punonjësve të policisë që kanë marrë pjesë. Ndërkohë edhe zëvendësdrejtori është i pezulluar nga detyra përkohësisht deri sa të bëhen hetimet nga ana e SHKB.
Gazetarja: Pse ka ndodhur ky incident?
Tarkaj: Shkak është përplasja mes dy automjeteve.Mjeti i goditur nga mbrapa është mjeti i zëvendësdrejtorit.
Gazetarja: Si e cilësoni këtë ngjarje?
Tarkaj: Absolutisht ngjarja është e pahijshme dhe ne kemi marrë masat.