Laçi humbi 1-2 me përmbysje në shtëpi me Kukësin për javën e 24-t në Superligën shqiptare të futbollit. Kurbinasit pësojnë disfatën e tretë radhazi në shtëpi, teksa djemtë e Mezanit tanimë e shohin veten në zonën e ftohtë. Nga ana tjetër, Kukësi merr fitoren e dytë radhazi dhe del nga zona që të rrezikon për qëndrimin në elitën e futbollit.
Ndeshja nisi mirë për vendasit, me Guindo që kaloi në avantazh kurbinasit pas vetëm 10 minutash lojë. Një aksion nga e majta bëri që Mazrekaj të gjente të lirë sulmuesin, me Guindo që do tundte rrjetën për herë të parë pas rikthimit te Laçi.
Pas golit të pësuar, Kukësi shtoi sulmet dhe gjithçka u konkretizua me golin e barazimit në minutën e 26-të me Atdhe Rashitin. Do ishte sërish Kukësi që në minutën e 53 do gjente golin me vlerën e tri pikëve. Një krosim nga këndi nuk u kontrollua si duhet nga Selmani, me Ebert që dërgoi topin në rrjetë për 1-2.
Ditë "jo" për Selmanin te Laçi, që iu fal VAR-it pas gafës që solli golin e tretë për Laçin dhe më pas u anullua. Trajneri Mezani u detyrua që të ndërronte gardianin në minutën e 74, me Dajsinanin që zuri vendin e Selmanit.
Me këtë fitore Kukësi shkon në kuotën e 31 pikëve në vendin e shtatë, teksa Laçi me 30 pikë qëndron në pozitën e 8-të.
Kukësi fitoi 1-2 me Laçin në transfertë për javën e 24 në Superligë. Verilindorët përmbysën kurbinasit, me Kukësin që pas shumë javësh del nga zona e ftohtë e renditjes. Pas ndeshjes për Oversport, trajneri i Kukësit, Rraman Hallaçi e vuri theksin te mbijetesa.
“Fitorja vjen në një moment të mirë. Kam kërkuar nga skuadra që të mbajmë topin në zotërim dhe më vjen mirë që edhe pas pësimit të golit reaguam. Skuadra tregoi grintë dhe karakter. U përgjigj mirë në pjesën e parë dhe jam shumë i kënaqur nga loja e skuadrës. Në pjesën e dytë u munduam që të mbyllnim ndeshjen në kundërsulm, por jo të gjitha rastet bëhen gol. Nuk e kemi luksin të festojmë, jemi të impenjuar maksimalisht për ndeshjet e radhës në kampionat", tha fillimisht trajneri.
Hallaçi tregoi më pas se objektivi është i qartë, sigurimi i mbijetesës në një sezon jo të mirë dhe më pas mendimi për sezonin e ri.
"Duhet të bëjmë kujdes. Objektivi është i qartë dhe nuk kam pse e diskutoj. Objektivi është qëndrimi në Superiore, pasi të arrijmë këtë, të shohim se çfarë mund të bëhet sezonin tjetër. Më ngroh loja e skuadrës, që bën në ndeshje ato që kërkoj në stërvitje. Presioni është i madh, por më pëlqen loja e skuadrës”, tha Hallaçi.