TIRANE-Ndryshe nga herët e tjera, si rrallë herë, opozita vijoi që të qëndronte në Kuvend ditën e sotme edhe pasi kryetari Gramoz Ruçi e mbylli seancën pas votimit të rendit të ditës. Fillimisht opozita nuk lejoi që të kishte diskutime, pasi e bllokoi foltoren, ndërsa pas largimit të shumicës, qëndroi e vetme në Kuvend duke transmetuar fjalimet LIVE nga Facebook.

Mes deputetëve që morën fjalën ishte edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili foli përballë deputetëve të opozitës, pasi qeveria dhe shumica u larguan. Në fjalën e tij, Berisha tha se negociatat nuk do të hapen jo në qershor, por as në vitin 2020, ndërsa vijoi si gjithmonë akuzat për Ramën.

Me Ramën Shqipëria nuk ka të ardhme Europiane. Jo, nuk hapen negociatat dhe për këtë që po bën Rama as në vitin 2020 nuk do të hapen negociatat. Me gjithë përpjekjet që ka bërë opozita.. A imagjinohet të hapen negociatat, kur ky mbron Tahirin dhe Xhafajn? Cilin dërgoi për të bindur Holandën, Geron Xhafën dërgoi! Fatmir Xhafën, njeriu që nuk ka fytyrë, ka mbajtur në parlament për një vit ligjin për kumbarin e vëllait dhe të ekstradimit të të vëllait. Deklaron se teorikisht është subjekt i ligjit anti-mafia, por praktikisht jo. Ky njeri zgjidhet për të bindur Holandën... Jo, 18 dhe 19, por as edhe  në 2020 nuk hapen negociatat.

Sali Berisha

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:29
Kryemadhi iu lutet socialistëve në Kuvendin bosh: Largohuni nga Rama, është pjesë e krimit

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, ka folur në Kuvend pas largimit të socialistëve, të cilët mbyllën seancën pasi votuan pr/ligjet e rendit të ditës.

Teksa në sallë ndodheshin vetëm deputetët e opozitës, Kryemadhi ju bëri thirrje të gjithë socialistëve që të largohen nga kryeministri Edi Rama.



Sipas saj, Rama ka blerë PS 11 vite më parë dhe e ka tjetërsuar atë në parti të krimit e drogës dhe mjerimit të shqiptarëve.

Kemi detyrim ndaj shqiptarëve, por edhe socialistëve, që u mashtruan nga Rama. Sot ne duhet të jemi më të qartë se kurrë për t’i thënë Ramës dhe kriminelëve të tij se ata janë vetëm. Shqiptarët janë të gjithë ata burra dhe gra, pensionistë, djem e vajza, që luftojnë çdo ditë për bukën e gojës dhe për të pasur një vend pune, një jetë më të mirë. Rama i do shqiptarët të varfër, të kapur, sepse vetëm kështu ai mund të mbretërojë në mbretërinë e tij të krimit. Rama nuk ka kuptuar akoma që momente te tij janë drejt fundit, nuk ka më asnjë njeri që ta mbrojë. Ndihet i fortë për paratë që ka për të paguar televizione, por shqiptarët nuk i blen dot.

Sot parlamenti është i qetë, sepse të gjithë përfaqësuesit dhe ambasadorët e krimit kanë dalë jashtë. Por, misioni ynë nuk është vetëm këtu, por të sensibilizojmë shqiptarët për të kundërshtuar çdo veprim arbitrar dhe të largojmë Edi Ramën. Vetëm kështu, ai do gjejë qetësinë e shpirtit të trazuar, që nuk e lë të flejë. E vetmja mënyrë e tij është të largohet sa më shpejt, t’i krijojë hapësirë vetes së tij në llumin e vet, që e ka uzurpuar. Unë ju lutem të gjithë socialistëve që të largohen prej tij, sepse ai është element kriminal që bleu PS 11 vite më parë dhe e tjetërsoi në partinë e krimit e trafikut, dhe të mjerimit të shqiptarëve.

Monika Kryemadhi, kryetare e LSI