Premier League e futbollit në Angli mbylli të hënën raundin e 12-të. Në "Old Trafford" Manchester United u mposht 0-1 nga Evertoni. 'Djajtë e Kuq' kanë tre ndeshje pa fitore, mes të cilave dy barazime dhe një humbje.

Ndeshja nisi 'malore' për miqtë nga Liverpooli, kjo pasi në minutën e 13-të një debat në fushë mes dy lojtarëve të Everton, konkretisht Idrissa Gueye dhe Michael Keane, bëri që miqtë të mbeteshin me një lojtar më pak. Gueye qëlloi me shpullë mbrojtësin Keane dhe arbitri nuk u mendua dy herë për t'i dhënë kartonin e kuq senegalezit 36-vjeçar.

Paçka kësaj situate, Everton ia doli të gjente golin me vlerën e tri pikëve në minutën e 29-të. Kiernan Dewsbury-Hall bëri çka deshi me mbrojtësit e United dhe me një të djathtë të saktë nga kufijtë e zonës e ndali sferën në trekëndëshin e majtë të portës së mbrojtur nga Lammens.

Paçka se Evertoni luajti me dhjetë futbollistë dhe portieri i tyre Pickford ishte më i miri në fushë, United nuk ia doli të gjente golin e barazimit. Kështu, pas javës së 12-të të Premier League, Man. United dhe Everton me nga 18 pikë ndajnë vendet 10-të dhe 11-të në klasifikim.

Arsenali me 29 pikë mbetet në krye të renditjes, ndjekur nga Chelsea me 23 pikë, Man. City me 22 pikë dhe Aston Villa me 21 pikë.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:10
Incident i paprecedentë te Evertoni, veterani godet shokun e skuadrës dhe përjashtohet me karton të kuq (VIDEO)

Një ngjarje krejtësisht e pazakontë ka shënuar minutat e para të ndeshjes mes Manchester United dhe Evertonit, e vlefshme për javën e 12-të të Premier League. Para se loja të merrte ritmin e saj normal, dy futbollistë të Evertonit u përplasën mes tyre në një moment tensioni që solli edhe një karton të kuq.

Protagonistë të incidentit ishin Idrissa Gueye dhe Michael Keane, përkatësisht mesfushori mbrojtës dhe qendërmbrojtësi i skuadrës blu. Tensioni nisi pas një veprimi mbrojtës që nuk u menaxhua mirë, pak pasi Manchester United kishte rrezikuar portën.

Gueye reagoi me zemërim ndaj Keane dhe debati verbal u përshkallëzua në një shtyrje mes tyre. Në këtë moment, Gueye i dha shpullë shokut të ekipit, veprim që çoi menjëherë në ndëshkimin e tij me karton të kuq nga gjyqtari.

Pas përjashtimit, lojtarët e Evertonit u detyruan të ndërhynin për të qetësuar situatën dhe për të larguar Gueye nga fusha, duke shmangur një përplasje më të madhe. Paçka situatës, Evertoni fitoi 0-1 kundër Manchester United.

S.Dh/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 3 Dhjetor, 08:56

    Çfarë mendoni për lëvizjen e Salianjit brenda PD?