Në nisje të seancës, ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, kërkoi mocion mosbesimi për kryeministrin Edi Rama, duke deklaruar se qeveria ka rënë.
I ashpër në fjalën e tij ishte edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili kërkoi largimin e kreut të qeverisë nga Kuvendi, përpara se 'ta marrë sheshi më 18 Shkurt'.
Kulmi i seancës së tensionuar arriti kur deputeti demokrat Flamur Noka qëlloi me kartonin e votimit ligjvënësin socialist, Erion Braçe, pasi ky i fundit kishte fyer ish-kryeministrin Sali Berisha.
Shkak për përplasjen Noka-Braçe u bë pikërisht fjala e Berishës nga foltorja e Kuvendit i cili po lëshonte akuza në drejtim të qeverisë dhe mazhorancës. Punimet e seancës u ndërprenë për disa minuta, ndërsa Flamur Noka u përjashtua 10 ditë nga Kuvendi për shkelje të rregullores. Pas kësaj opozita braktisi punimet duke lënë të vetme në sallë maxhorancën.
Gjithashtu, kjo seancë e Kuvendit e cila ka nisur sot rreth orës 11:30 minuta u shfrytëzua nga opozita edhe për thirrje ndaj qytetarëve që të mblidhen të protestojnë në shesh me 18 Shkurt.
Kryeministri Edi Rama i mungoi seancës parlamentare pasi ndodhet në Kosovë për 9-vjetorin e Pavarësisë.
Ora 16:10 Byroja përjashton Nokën me 10 ditë nga Kuvendi
Byroja e Kuvendit ka përjashtuar me 10 ditë nga punimet e Kuvendit deputetin e PD, Flamur Noka.
Ora 15:50 Përjashtimi i Nokës dhe Braçes, nis mbledhja e Byrosë
Ka nisur mbledhja e Byrosë së Kuvendit për të shqyrtuar kërkesat e PD dhe PS për përjashtimin respektivisht të deputetëve Erion Braçe dhe Flamur Noka.
Byroja drejtohet nga kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i cili sapo është kthyer nga vizita zyrtare në Vjenë.
Byroja do të vendosë për përjashtimin ose jo të dy deputetëve të përfshirë në incident gjatë seancës së kësaj të enjte.
Ora 15:13 Braçe: Kallëzim penal Nokës, PD parti e dhunës
Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erjon Braçe paralajmëroi ngritjen e një padie penale për deputetin e PD, Flamur Noka.
"Kallëzim penal ndaj Flamur Nokës, për ushtrim dhune për shkak të detyrës", u shpreh Braçe.
Ai tha se PD ka një strategji të qartë dhune, ndërsa përmendi Gërdecin dhe 21 janarin si momentet që vërtetojnë filozofinë e demokratëve.
"Është një strategji e qartë dhune nga një parti që e ka instaluar dhunën prej 27 vitesh në këtë vend. Dhunë në 21 janar, në Gërdec, në rrugë. Kanë rrahur një militant, themelues të PD në Durrës, thjesht pse i tha Bashës se deputeti jot më ka marrë pronën. Dhunuan dhe një tjetër në Kavajë thjesht e vetëm se pse tha që Elvis Rroshi ka bërë punë.
Ky s'duhet të jetë në sallë. Sali Berisha ka vrarë në mes të Bulevardit, i ka pushkatuar, duhet të ishte përpara një banke të akuzuarish. Ai nuk duhet të ishte në Kuvend. Kjo histori dhune duhet të marrë fund. Nëse në këtë vend do të kishte sistem drejtësie, kjo s'do ndodhte. Por këtu nuk ka sistem sigurie".
Ora 15:05 Flamur Noka hyn me forcë në seancë, thyen kordonin e Gardës
Ora 14:28 PS kërkon përjashtimin e Nokës, PD të Braçes
PD dhe PS kërkojnë përjashtimin nga punimet e Kuvendit respektivisht të Erion Braçes dhe Flamur Nokës.
Socialistët i janë drejtuar Byrosë së Kuvendit me një kërkesë ku kërkojnë përjashtimin e Nokës për shkelje të rregullores së Kuvendit.
Edhe Partia Demokratike ka depozituar një kërkesë për mbledhjen e Byrosë së Kuvendit, për përjashtimin e deputetit Erion Braçe me 10 ditë nga seancat parlamentare.
Në kërkesën e demokratëve thuhet se Braçe ka përdorur fjalë fyese gjatë seancës së Kuvendit.
Ora 14:25 Balla: Goditja e Braçes nga Noka, vepër penale
Nënkryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla e ka cilësuar vepër të rëndë penale goditjen e Erjon Braçes nga Flamur Noka në Kuvend.
Balla tha se vepra e konsumuar nga Noka është goditje për shkak të detyrës.
"Kemi të bëjmë me një skenar të PD për të dëmtuar mbarëvajtjen e punimeve të Kuvendit. Dje pasdite një përfaqësuesi i PD në një komision theu rëndë rregulloren. Sot kemi një rast tejet të rëndë kur një deputet i PD ka goditur nënkryetarin e gruipit tonë parlametnar. Kjo nukë shtë vbetëm një thyerje e rëndë e rregullores së Kuvendit, është një vepër e rëndë penale, goditje për shkak të detyrës. Nuk është aspak i vërtetë pretendimi i PD ëse goditja ka ardhur si pasojë e reagimit të z.Braçe ndaj fjalimit të Berishës.
Gjatë gjithë seancës kemi pasur thyerje të rregullores nga deputetët e PD. S'kam parë ndonjë deputet në vendet e botës demokratike që të bllokojë foltoren e Kuvendit që të vijë e të flasë Sali Berisha.
Këtu ta harrojnë se mund të shkelin rregulloren".
Balla tha se për përjashtimin e Flamur Nokës nga punimet e Kuvendit do vendosë Byroja.
Ai i bëri thirrje kryetarit të PD, Lulzim Basha, që të mos i përdorë deputet si kamikazë.
"I bëj thirrje kryetarit de juro të PD, Lulzim Basha që të mos i përdorë deputetët si kamikazë".
Ora 14:10 Berisha: Sjellja e Nokës u imponua nga Braçe
Ish-kryeministri Sali Berisha mbrojti gjestin e Flamur Nokës i cili gjatë seancës së Kuvendit qëlloi me kartonin e votimit socialistin Erion Braçe.
Në një prononcim për mediat jashtë Kuvendit, Berisha tha se sjellja e Nokës u imponua nga Braçe i cili po fyente nga vendi.
"Sjellja e z.Noka ishte një imponim, pasi Braçe nuk la gjë pa thënë. Ç'ke që flet? Ti ke të drejtën të flasësh pas meje. Ka rregulla parlamenti. Këta janë të tmerruar, një fytyrë u vjen dhe një fytyrë u ikën. Aty kudo që ta vesh dorën, një bandë gjen", u shpreh Berisha.
Ai foli dhe për protestën e 18 shkurtit e cila sipas tij do të jetë një lëvizje për rikthimin e vlerave në Shqipëri.
"A nuk është mision për të shpëtuar Shqipërinë nga kanabistani? Lëvizjet nisin sot dhe vazhdojnë, nuk është një protestë strikt partiake, është një lëvizje.
A e keni marrë vesh mesazhin, po ndahen paratë e bankave për të penguar protetën, 100 euro në Laprakë, 500 euro në Divjakë. Po shpërndajnë paratë e bankës dhe drogës kundër protestës. Ai shesh do mbushet dhe ai do të jetë një uragan që kjo pranverë do të jetë pranvera e vërtetë e rikthimit të vlerave në Shqipëri", tha Berisha.
Ora 14:00 Noka-Braçes: S'të preka, rregulloren ta hodha se po fyeje
Pas rifillimit të seancës, deputeti Flamur Noka i është drejtuar Erjon Braçes se nuk e ka prekur, ndërsa rregulloren ia hodhi se po fyente.
"A të preka? Jo! Të hodha rregulloren se po fyeje", i është drejtuar Noka, Braçes.
Ora 13:58 Ndërpritet sërish seanca, Noka s'del nga salla
Seanca e Kuvendit është ndërprerë sërish nga drejtuesja Valentina Leskaj. Shkak është bërë prezenca e Nokës në seancë pas incidentit me Braçen. Flamur Noka ka refuzuar të dalë nga Kuvendi.
Ora 13:55 Leskaj-Nokës: Largohu nga seanca ose të nxjerr Garda
Ka rinisur seanca e Kuvendit pas ndërprerjes disa minutëshe për shkak të incidentit mes Flamur Nokës dhe Erjon Braçes.
Drejtuesja e seancës, Valentina Leskaj kërkoi largimin e Nokës nga seanca për thyerje të rregullores. Leskaj iu drejtua Nokës që të dalë vetë nga seanca, pasi në të kundërt do të jetë Garda ajo që do ta largojë.
Nga ana tjetër, deputetët e PD kërkuan edhe përjashtimin e deputetëvë socialistë Taulant Balla dhe Erjon Braçe për fyerje ndaj opozitës.
Valentina Leskaj: Z.Noka lini sallën e Kuvendit. Nëse nuk zbatohet kalohet në kushtet e pikës dy të nenit 65 për nxjerrjen tuaj jashtë seancës nga shërbimi i Gardës së Republikës.
Edi Paloka: Përjashtoni Ballën dhe Braçen se kanë fyer gjithë kohën jo vetëm folësit në podium, por edhe deputetët këtu. S'mund të ketë zbatim të njëanshëm të rregullores.
Valentina Leskaj: E keni në të githa TV-të me zë dhe figurë shkeljen e rregullores nga Z.Noka. Nëse keni të evidentuar, silleni kërkesën ta shqyrtojmë. Kërkoj të zbatohet rregullorja e Parlamentit.
Edi Paloka: Mos u bëni më qesharake se grupi parlamentar. Ju e paskeni parë në TV Flamur Nokë, po z.Braçe nuk e patë live kur ofendoi?
Valentina Leskaj: Ndërpritet seanca, pesë minuta pushim.
Ora 13:50 Rinis seanca e Kuvendit, Flamur Noka ndodhet në sallë
Ora 13:35 Sherr në Kuvend, Noka tenton të godasë Erion Braçen
Deputeti i PD, Flamur Noka, ka qëlluar ligjvënësin socialist, Erion Braçe, gjatë seancës së kësaj të enjte.
Gjithçka ndodhur gjatë fjalës së ish-kryeministrit Sali Berisha.
Në momentin që Berisha po artikulonte akuza në drejtim të qeverisë dhe deputetëve të mazhorancës, ka pasur një ofendim nga socialisti Braçe i cili ka folur nga vendi.
Reagimi i menjëhershëm ka ardhur nga Flamur Noka, i cili ka lëvizur nga vendi dhe i është afruar Braçes duke e qëlluar atë me një letër (kartonin e votimit).
Drejtuesja e seancës, Valentina Leskaj, kërkoi ndërprerjen e punimeve të seancës për 5 minuta. Pritet që pas këtij incidenti Flamur Noka të përjashtohet nga punimet e Kuvendit. Vendim të cilin do ta marrë Byroja e Kuvendit.
Situata në Kuvend vijon të mbetet e tensionuar për shkak të akuzave të ndërsjella mes deputetëve.
Sherri në Kuvend
Erion Braçe-Berishës: Ulu ore, ulu, o b...le.
Flamur Noka: Kujt i flet ashtu ti ore...
(Çohet nga vendi i tij dhe shkon drejt Braçes duke e qëlluar me kartonin e votimit)
Valentina Leskaj: Z.Noka, mos fyej, liro sallën e Kuvendit. Ata që shkelin rregulloren lënë sallën e Kuvendit.
Valentina Leskaj: Ndërpritet seanca për 5 minuta.
Ora 13:00 Ben Blushi-Blendi Klosit: Ti alabak, vartës i Vangjush Dakos, merr mijëra euro si rrogëtar i tij
Inatin që KQZ nuk e ka regjistruar ende si parti zyrtare për zgjedhje, Blushi e ka shprehur në sallën e Kuvendit. Një lumë akuzash ndaj PS pro dhe ndaj ministri Blendi Klosi, të cilin e etiketoi si vartës të Vangjush Dakos.
“Duan të më heqin tani përmes KQZ të drejtën për të patur parti. Mirë që në krye të PS nuk e pranuan garën. Mënyra si bënë referendum brenda PS.
Një parti i vjedh votat e veta për të mos futur në zgjedhje. E kush kjo parti, (i drejtohet podiumit të ministrave të qeverisë), Ju që mendoni se Dako është krenari se varros Durrësin e Lashtëpër të mos folur për Elvis Rroshin, apo për këtë tjetrin se mungoka këtu, (Ramën).
Blushi sheh nga Klosi: Ti more vartësi i Vangjush Dakos, që paguhesh parazit që paguhesh mijëra euro në muaj nga Vangjush Dako. Ky ne vitin '96 i mbante letrat Aleksandër Meksit, e bëra njeri e ngjita me zyrë në katin e dytë këtë halabak.
Shko në bashki merr rrogën në fund të muajit, vartës i Vangjush Dakos.
Klosi nga vendi: O budalla ca thua
Blushi: Parazit ik e merr rrogen ne fund muaji te Gjushi
Klosi: Ti je budalla, debil s’di ca thua
Ora 12:45 Artan Gaçi: Nëse kam 20 euro gjobë e lë mandatin që sot. Prokuroria të hetojë
Deputeti i Partisë Socialiste, Artan Gaçi gjatë fjalimit të tij në Kuvend i ka bërë thirrje Prokurorisë së Përgjithshme që të nisë menjëherë verifikimet për personin e tij lidhur me deklalarat se mbi të rëndon një gjobë prej 200 eurosh.
Gaçi tha se nëse provohet se ai ka një gjobë qoftë edhe 20 euro, do ta lërë menjëherë mandatin e deputetit.
“Ndaj Artan Gaçit nuk ka asnjë gjobë jo 200 euro, por as 20 euro nuk ka. Këtu ka diçka, nuk është thjeshtë një lajthitje. Kam hyrë i ndershëm në politikë dhe me shumë biznese ndërkohë që vazhdoj të jem i ndershëm dhe me më pak biznese. Përfshirja ime në atë listë është dashakeqe dhe më së shumti një lojë e shëmtuar politike për të hequr vëmendjen nga reforma në drejtësi”, u shpreh Gaçi.
Me tej Gaçi tha se mandatin e deputetit nuk e ka përdorur asnjëherë për favore duke u vetëofruar që Reforma në Drejtësi të nisë menjëherë nga ai.
“Unë mandatin e deputetit nuk e dua për lekë, as për ta shfrytëzuar për favore as për të marrë ndonjë rrogë se nuk di çfarë të bëj gjë tjetër. Shpresoj shumë që reforma në drejtësi të bëhet duke nisur nga unë i pari. Nëse prokuroria ka qoftë edhe një provë të vetme që të deklarojë se unë kam jo 200 euro, por 20 euro gjobë, unë e lë menjëherë mandatin. I bëj thirrje Prokurorisë të shkëpusë emrin tim nga lista dhe ta fillojë verifikimin nga unë i pari”.
Ora 12:40 Braçe: Zbatoni rendin e ditës, nëse doni mocion, silleni sipas rregullores
Socialisti Erion Brace u shpreh se Kuvendi gjithmonë del nga rendi i ditës me diskutime që nuk kanë të bëjnë me qytetarët. Lidhur me kërkesën e PD për mocion mosbesimi, Brace ttha që kjo le të bëhet sipas rregullores.
"Secili nga deputetët ka përpara një rend dite dhe rregulloren e Kuvendit. E kuptoj që ka shqetësim për çdo gjë e për gjithçka. Çështjet që janë sot në rendin e ditës janë çështje që kanë të bëjnë me qytetarët dhe jo me numrat e Qeverisë. Nëse ka pretendime për shumicën që mbështet këtë qeveri, e ka në rregullore sa më shpejt të jetë e mundur të sjellë mocionin këtu. Në qoftë se nuk e dëgjon kush në Partinë e saj, ky është problemi i partisë së saj, jo problem i Kuvendit. Sa për kryeministrin kur vjen këtu i thonë “pse vjen”, kur nuk vjen i thonë “pse nuk vjen”. Kryeministri po përfaqëson Shqipërinë në festimet e Pavarësisë së Kosovës".
Ora 12:30 Berisha: Rama pulla e kuqe në Kuvend, të mos ia shohim bojën në Kuvend
Kurse ish kryeministri Sali Berisha kërkoi që Rama të mos vijë më në Kuvend duke e cilësuar kryeministrin, burracak.
“Parafolësi të shkojë aty se harroi çizmet e hajdutit. Në mbështetje të kërkesës së zonjës Topalli për mungesën e kryeministrit theksoj se ai nuk është më kryeministër por është pulla e kuqe e Kuvendit. Të mos ia shohim më bojën në Kuvend. Një burracak që nuk përballet dot, një burracak që lakuriqësinë e vet do tia paraqesë Kuvendit si pullë të kuqe, mos të vijë më në Kuvend. Të marrim një vendim ta nxjerrim përfundimisht nga Parlamenti. Më mirë ta marrim ne se sa ta marrë nesër sheshi. Do të jetë më e urtë kjo. Pulla e kuqe të mos vijë më në Kuvend”.
Ora 12:20 Topalli: Mocion mosbesimi për Ramën
Deputetja e PD, Jozefina Topalli u shpreh se ministrat aleatë në qeverisje e kanë braktisur podiumin e Kuvendit, ndërsa Rama ka 1 muaj që nuk e sheh Kuvendin me sy.
“Ka tre javë që në karriget e ministrave nuk ka asnjë ministër të partisë që bën koalicionin. Ka një muaj që kryeministri nuk vjen në Kuvend. Kjo nuk ka ndodhur asnjëherë në 25 vite. Ju nuk keni përgjegjësi në këtë raport, por maxhoranca ka përgjegjësi. Në këtë pikë që jemi nuk ka rrugë tjetër përveçse një mocion mosbesimi nga kryeministri. Tre javë pa partinë e koalicionit, një muaj pa paraqitjen e kryeministrit. A ka ndodhur ndonjëherë në 25 vite që një kryeministër të mos vijë një muaj rresht në Kuvend?”
Ora 12:00 Paloka: Thirreni derrin të vijë në Parlament
Kreu i grupit parlamentar i PD, Edi Paloka i kërkoi kërkoi drejtueses së seancës parlamnetare, Valentina Leskaj që kryeministri Rama të thirret të jetë i pranishëm në Kuvend.
Paloka kaloi në etiketime me fjalët ‘derr’ për kryeministrin, ndërsa shtoi se i mungon sot Kuvendit se po ngushëllon Armando Prengën për heqjen e mandatit të deputetit.
“Thirreni derrin këtu dhe të vijë të flasë. Ku e keni derrin? E keni te Armando Prenga dhe ka shkuar për ta ngushëlluar atje. Thirreni derrin të vijë dhe të përballet këtu se duke shpërndarë lopë nuk i pengon dot njerëzit të vijnë të shtunën në protestë”, tha Paloka.
Valentina Leskaj tha: Kryeministri është në krye të punëve.