Al Khaleej po fiton 1-0 me Al Wehda për javën e 13-të në Arabinë Saudite. Për vendasit në minutën e nëntë shënoi Sokol Cikalleshi. Sulmuesi i Kombëtares bëri mirë pas asistit të Poko, teksa kundërsulmi i Al Khaleej ishte "vrasës". Kavajasi nuk e pati të vështirë që pas kontrollit të mposhtte portierin kundërshtar me një goditje të bukur me të djathtën.
Tanimë Cikalleshi shkon në kuotën e dy golave dhe një asisti në kampionatin e Arabisë Saudite, aty ku pak javë më parë u transferua Cristiano Ronaldo për llogari të Al Nassr. Skuadrat e Cikalleshit dhe Ronaldos u përballën disa ditë më parë, me Al Nassr që fitoi minimalisht 0-1, teksa Ronaldo nuk debutoi për të tijtë ndërsa Cikalleshi ishte në fushë. Tanimë kavajasi sheh si rival për "Këpucën e Artë" një nga sulmuesi më të fortë në botë. Kujtojmë se sulmuesi shqiptar është i huazuar në Arabinë Saudite nga Konyaspor në Turqi deri në fundin e sezonit.

Komente

