Çakejtë e rrjeteve sociale kanë nxjerrë sot në qarkullim një tjetër video intime, këtë herë ku shfaqet kompozitori Adi Hila në studion e tij të kthyer në një skutë takimesh intime, në shoqërinë e një gruaje dhe të një burri tjetër. Bëhet fjalë për një këngëtar që debutoi vite më parë në spektaklin “Gjeniu i Vogël”, kur kishte Hilën si mentor artistik. Të dy, me sa duket, kanë mbetur miq dhe sot, vite më vonë, shfaqen në shtrat, me një grua në sfond. Videoja përfundon sërish në rrjet dhe “gazetarët moralistë” e shfaqin të kënaqur, sikur të ishte një tjetër akt drejtësie kundër “imoralitetit” të protagonistëve të saj.

Videoja nuk tregon akte dhune, nuk tregon shantazh, nuk tregon të mitur të përfshirë. Ajo paraqet tre të rritur që kryejnë marrëdhënie seksuale me pëlqimin e tyre. Cili gazetar mund të ketë vërtet interes për këtë skenë dhe të drejtën ta publikojë? Çfarë të drejte ka opinioni publik të përgjojë dhomën e gjumit të një qytetari privat dhe të bëjë publike atë që ndodh brenda saj?

Pak ditë më parë, “gazetari” Elton Tozaj kishte shfaqur video të tjera të Adi Hilës duke kryer marrëdhënie seksuale me dy këngëtare, edhe ato të rritura dhe pjesëmarrëse me pëlqimin e tyre. Më pas, vetë Tozaj paralajmëroi edhe këtë video të re, e cila, siç pritej, përfundoi në rrjet, ndërsa premtoi të tjera për ditët në vijim. Në mënyrë të pabesueshme, policia e ka lënë të veprojë, pa u shqetësuar as ta marrë në pyetje për të mësuar prejardhjen e këtyre videove, të cilat përbëjnë qartazi provë të një vepre penale, pasi qartazi, vajzat dhe gratë nuk e dinin se po filmoheshin në intimitetin e tyre. Por, në momentin që videot i ranë në dorë gazetarit, në vend që të denonconte në polici paligjshmërinë që kishte zbuluar, pra filmimin pa pëlqimin e tyre, Elton Tozaj zgjodhi t’i publikonte dhe t’ua shpërndante edhe kolegëve të tjerë në WhatsApp, me qëllim publikimin. Vetëm dijenia për prejardhjen kriminale të një materiali të shpërndarë, siç janë në këtë rast videot, përbën vepër penale.

Në legjislacionin shqiptar, kjo vepër penale parashikohet nga neni 287/b i Kodit Penal, me titull “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”. Ky nen parashikon dënimin me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet për këdo që “blen, merr, fsheh ose përvetëson për vete apo për një person të tretë para ose mallra, si dhe për këdo që ndihmon në blerjen, marrjen, fshehjen ose përdorimin e tyre, duke e ditur se ato janë përfituar nga një person tjetër nëpërmjet një vepre penale ose veprimtarie kriminale”.

Kësaj i shtohet edhe shpërndarja e tyre me vetëdije të plotë, duke identifikuar me emër disa nga gratë e përfshira, madje duke përdorur kartën e moralit për të denigruar figurën e artisteve.

Ajo që ka bërë Tozaj nuk ka asnjë lidhje me gazetarinë. Po atëherë, përse Shteti nuk ndërhyn? Deri kur duhet të vazhdojë kjo barbari?

Dhe një pyetje të fundit për “gazetarët investigativë” dhe moralistët e rrjeteve sociale: edhe sikur ato skena seksi të fshehin një shantazh seksual apo profesional dhe Adi Hila të jetë duke përfituar nga ato dashnore, në cilën botë të qytetëruar publikohen pamjet e abuzuesve seksualë bashkë me ato të viktimave të tyre?